Nga Behxhet Jashari
“Poezia arabe është antologji e llojit të vet,
thesar i urtësive arabe,
zbulim i letërsisë arabe dhe
“arkiv” ku ruhen shkencat e tyre”.
(Carlo Alfonso Nalino)
Jeta dhe veprimtaria
Një nga figurat më të njohura të orientalistikës botërore konsiderohet edhe orientalisti dhe arabologu italian Carlo Nalino (1872-1938). Nalino u lind më 17 shkurt të vitit 1872 në Torino të Italisë nga e ëma Hanna Montini dhe i ati Giovano Nalino. Ndërroi jetë më 25 korrik të vitit 1938 në Romë.
Pas përfundimit të arsimit të mesëm Carlo do të regjistrohet në Universitetin e Torinos. Për pasion kishte gjuhën arabe dhe gjeografinë. Si një student i ri ai për herë të parë do t’a publikojë një punim të tij shkencor me titull “Matja e meridianit nga gjeografët arabë”, përmes së cilës do të njihet si entuziast i shkencës, me këtë edhe i gjuhës dhe letërsisë arabe. Në punimet e tij të mëvonshme do të tregojë aftësi për një qasje adekuate ndaj studimeve filologjike. Gjatë moshës rinore të tij, Carlo Nalino do të angazhohet si bashkëpunëtor në Këshillin për botimin e një enciklopedie të titulluar “Enciklopedia Islame”. Si një entuziast dhe intelektual i ri, Nalino në moshën njëzet e tre vjeçare do t’a publikojë punimin e tij shkencor me titull “Sistemi i fiseve arabe gjatë periudhës paraislame”. Në këtë punim do t’a shpjegojë dhe interpretojë çështjen e renditjes kronologjike të fiseve arabe dhe zgjerimit të tyre nga aspekti historik, politik e social. Gjatë skalitjes si një intelektual i ri, Carloja do të tregohet si njohës i shkathtë i gjuhës arabe, madje – përveç Ignjat Goldziherit – nuk mund t’ia kalonte askush tjetër nga orientalistët e kohës kur jetoi. Studionte veprat e shkencëtarëve arabë të sferës së astronomisë dhe letërsisë. Duke gjurmuar pas shkencës, Carlo Nalino do të udhëtojë në Spanjë, përkatësisht në bibliotekat e njohura si në Korodbë, ashtu edhe në disa qytete tjera, me qëllim të gjetjes së literaturës përkatëse, pasi që dihet se në Spanjë do të mund të gjente materiale dhe libra të ndryshëm historik të trashëgimisë islame të përkthyera në ndonjë nga gjuhët evropiane, qoftë spanjolle apo latine.
Prej vitit 1893 e deri në vitin 1894 Carlo Nalino do të qëndrojë në Kajro të Egjiptit, ku do të njihet për së afërmi me kulturën dhe traditat egjiptase arabe, si dhe me islamin. Në vitin 1894 do të emërohet si mësimdhënës në katedrën e gjuhës arabe në Institutin Oriental të Napolit ku do të qëndrojë dy vite. Në vitin 1900 do t’a publikojë veprën me titull “L’Arabo parlato in Egitto: grammatica, dialoghi e raccolta di circa 6 000 vocaboli” (“Gjuha arabe në dialektin e Egjiptit: gramatika, dialogu dhe përmbledhja e rreth 6000 fjalëve”), vepër kjo e cila do të bëhet edhe doracak për mësimin e gjuhës arabe. Në vitin 1902 qeveria e atëhershme italiane Carlo Nalinon do t’a emërojë si ligjërues në Departamentin e Gjuhës Arabe në Universitetin e Palermos, ku do të qëndrojë deri në vitin 1913. Në vitin 1905 do të udhëtojë në Algjeri ku do të merr pjesë në një konferencë shkencore të orientalistëve botëror. Për një kohë të caktuar në kuadër të qeverisë së atëhershme Italiane Carloja do të angazhohet si klasifikues dhe sistematizues i lëndëve arkivore të cilat ishin trashëgimi nga administrata Osmane në Tripoli të Libisë, si dhe Drejtor i Zyrës për Përkthim, nga puna e të cilit qeveria italiane do të përfitojë mjaft. Ndërmjet periudhës kohore të viteve 1909-1910 qëndroi si i ftuar special në Universitetin e Egjiptit, me qëllim që të ligjërojë rreth historisë së astronomisë tek arabët dhe historisë së letërsisë arabe.
Në vitin 1921 Nalino do të emërohet si ligjërues i rregullt në Universitetin Sapienza të Romës, e më pas do t’a themelojë Institutin për studime Orientale ku edhe do të zgjidhet si drejtor i këtij institutit. Në revistën shkencore “Oriente Moderno” Nalino vazhdimisht do t’i publikojë punimet tij të sferës së letërsisë arabe, historisë dhe islamit. Carlo Nalino në Egjipt do të udhëtojë në periudha të caktuara kohore si ligjërues edhe gjatë viteve 1928-1931, ku ligjëronte në Fakultetin Filozofik rreth historisë dhe kulturës jemenase. Në vitin 1933 do të zgjidhet anëtar i Shoqatës së Filologëve të Egjiptit. Thuhet se nuk kishte orientalist i cili më së afërmi ishte i ndërlidhur dhe i pasionuar me Egjiptin dhe kulturën arabe, siç ishte Carlo Nalino. Kah fundi i jetës së tij Nalino do të udhëtojë sërish në Egjipt, e më pas edhe në Arabinë Saudite, prej ku edhe do të inspirohet për të shkruar një studim për traditën dhe kulturën e arabëve të Hixhazit (të Arabisë Saudite). Pas përfundimit të vëllimit të parë, ai nuk arriti ta përfundojë edhe vëllimin e dytë, me që së shpejti do të ndërrojë jetë në vitin 1938.
Carlo Nalino: arabolog i shkëlqyer dhe simpatizues i Islamit
“Dashuria ime ndaj Kur’anit, islamit dhe Profetit të Islamit, shkaktoi që edhe miqtë e mi të më përshkruajnë si gjysmë mysliman”.
(Carlo Alfonso Nalino)
Si studiues i gjuhës dhe letërsisë arabe, Carlo Nalino do të arrijë të dallohet si njohës i shkëlqyer i kësaj sfere shkencore. Ai do të publikojë një varg veprash të kalibrit akademik shkencor të cilat kanë të bëjnë me gjuhën dhe letërsinë arabe. Ishte një studiues me virtyte të larta shkencore. Në opusin e gjerë intelektual të tij asnjëherë nuk u shfaq ndonjë qëndrim i ashpër e rigoroz ndaj kulturës dhe qytetërimit arabo-islam, madje ai mbante qëndrim mesatar dhe të matur sa iu përket interpretimeve dhe komenteve që kishin të bëjnë me arabët dhe islamin[1].
Me që libri më së miri tregon për qëndrimet e autorit rreth ndonjë çështjeje, këtu duhet përmendur veprën e tij “Historia e letërsisë arabe”, në fakt përmbledhjen e ligjëratave të cilat ai i mbajti në Universitetin e Kajros.
Përveç veprës nga gjuha dhe letërsia arabe me titull “Gjuha arabe në dialektin e Egjiptit: gramatika, dialogu dhe përmbledhja e rreth 6000 fjalëve”, siç përmendëm më lartë, Carlo Nalino do t’a botojë edhe veprën “Literatura origjinale arabe në kohën e dinastisë së Emevitëve”. Në studimet e tij Nalino do të konstatojë se letërsia e përgjithshme arabe kaloi përmes gjashtë periudhave bazore. Pasi analizoi çdo njërën nga ato periudha mjaft të rëndësishme, ai veçanërisht flet për poezinë paraislamike arabe, ndërsa jetës dhe veprimtarisë së poetit të njohur të Hixhazit, Ebu Hilal el-Askeriut, do t’i kushtojë më tepër vëmendje, që d.t.th. se i jep një vend të rëndësishëm e të veçantë në tërë trashëgiminë e shkruar arabe. Carlo Nalino do t’i përkushtohet me një vëmendje të veçantë studimit të margaritarëve poetik paraislam arab, përkatësisht të a.q. muallaka, si dhe autorëve të tyre paraislamik të zonave të ndryshme të Arabisë së asaj kohe, e në veçanti të krahinës së Hixhazit[2]. Duhet theksuar se shtatë muallekatët (shtatë poezitë) konsiderohen si remek-vepër e poezisë klasike arabe[3]. Sa iu përket qasjeve ndaj poezive te periudhës klasike arabe, Carlo Nalino do të konstatojë se: “Arabët e periudhës paraislamike në fushën e letërsisë prozaike nuk u zgjeruan jashtë kornizave të eseve dhe tregimeve të shkurtra e koncize. Po qe se do të mund të bënim ndonjë krahasim të një vepre tepër me vlerë fetare me ato vepra tjera (tekste letrare arabe), do të kisha thënë se Libri i parë i publikuar dhe i zgjeruar në gjuhën arabe ishte Kur’ani Fisnik”.
Në konstatimet e tij në aspekt të përsosurisë gramatikore e letrare të Kur’anit, Nalino shpreh mahnitje të thellë. Ai në një mënyrë i “përkulet” stilit të lartë kuranor, madje thotë se “Kur’ani është një shprehje e përsosur e arabizmit, burim prej ku juristët dhe filozofët thithën “brumin” hyjnor për projektet e tyre integrale”.
Nalino është i mendimit se Kur’ani luajti një rol vendimtar edhe në afirmimin e gjuhës arabe. Madje, siç do të konstatojë intelektuali iranian Murteda Muttaheri, gjuha arabe është e vetmja gjuhë e cila – po qe se nuk do të ishte Kur’ani – do të humbej ose së paku do të mbetej një dialekt i panjohur dhe i lënë pas dore, siç ndodhi me qindra gjuhë dhe dialekte të tjera për të cilët nuk dimë asgjë. Me një fjalë, do të ishte një gjuhë e beduinëve dhe asgjë më tepër. Mirëpo, Kur’ani i dha energji dhe e ruajti atë. Prandaj, me plot bindje mund të themi se gjuha arabe nuk iu takon vetëm arabëve, por arabët i takojnë kësaj gjuhe[4]. Gjuha arabe është njëra nga gjuhët e rralla të gjuhëve në familjen e gjuhëve semite. Kjo gjuhë njëkohësisht është edhe gjuha më e re që lindi në truallin e Azisë jugperëndimore. Gjuhët semite janë të rëndësishme, sepse përfaqësojnë gjuhët e qytetërimeve të lashta (akade, asiriane, babilonase) nga të cilët gjinia njerëzore trashëgoi shumë gjëra[5]. Historia e gjuhës letrare arabe, që mund t’a ndajmë nga shumë varietete dialektike, fillon në shek. IV të erës së re. Zakonisht në zhvillimin e kësaj gjuhe dallohen tre periudha, si në vijim:
- Periudha e gjuhës së lashtë (deri në paraqitjen e Islamit në shek. VII).
- Periudha e gjuhës klasike (deri në kohën e rilindjes në shek. XVIII).
- Periudha e gjuhës bashkëkohore arabe.
Shkenca e gjuhës tek arabët është shumë e vjetër, por mjaft e zhvilluar. Prej shek VIII e deri në shek. X të erës së re, u njohën dy shkolla të mëdha arabe gramatikore, edhe atë:
– shkolla e Basrës dhe
– shkolla e Kufes[6].
Pa dyshim, gjatë periudhave të ndryshme kohore, përfshirë që nga shek. VII e deri më sot, gjuha arabe luajti një rol vendimtar në analet e historisë së qytetërimeve. Kjo gjuhë ishte ajo që ndikoi në rilindjen e shumë drejtimeve shkencore që gjatë mesjetës u zhvilluan pikërisht në këtë gjuhë. Gjatë historisë së kalifatit islam, si në Spanjën myslimane, ashtu dhe në Lindje, edhe pse gjuhë polisemike (me shumë domethënie), gjuha arabe ishte gjuhë zyrtare. Ndërmjet shekullit IX dhe XII në këtë gjuhë do të shkruhen më shumë libra se në cilëndo gjuhë tjetër në lëmin e filozofisë, mjekësisë, historisë, religjionit, astronomisë dhe gjeografisë. Gjuhët e Evropës perëndimore akoma e bartin vulën e ndikimit të gjuhës arabe në shumë huazime nga kjo gjuhë. Pas latinishtes (alfabetit latin), sot gjuha arabe është gjuhë që më së shumti përdoret në botë.
Sidoqoftë, aty ku Carlo Nalino flet për letërsinë arabe dhe zhvillimin e saj në periudhën e kalifëve të parë islam (hulefairr-rrashidin), fillon me analizën e të gjitha specifikave të kësaj periudhe, si dhe me shqyrtimin e pozitës së letërsisë arabe në të, duke shpreh mospajtimin e tij me disa historianë të cilët konstatonin se me fillimin e Shpalljes së Kur’anit poezia tek arabët fillon t’a humb domethënien, ndërsa vlera e poezisë dukshëm është devalvuar! Si argument ndaj qëndrimeve të këtilla, Carlo Nalino do t’a citojë shkencëtarin dhe sociologun mysliman, me këtë edhe autorin e Mukaddimës së famshme, Ibn Haldunin (1332-1406), i cili konstaton se Kur’ani (me këtë edhe Profeti Muhammed) nuk i ndaluan poezitë që përmbanin domethënie edukative e arsimore, madje Kur’ani si Fjalë e Zotit nuk mund të mposhtet asnjëherë, ndërsa poezitë janë me prejardhje nga njeriu si krijesë, edhe pse të dobishme, ato në literaturën dhe vetëdijen myslimane gëzojnë vendin e tyre. Me qëllim që të ofrojë një pasqyrë më të qartë në këtë aspekt, Nalino bën një klasifikim mjaft interesant të poetëve duke i ndarë ata në tre grupe, edhe atë siç vijon:
- Në grupin e parë i vendos ata poetë të cilët e pranuan islamin dhe të cilët përmes poezive të tyre e mbronin islamin dhe profetin Muhammed (a.s.v.s.), siç ishin Hasan ibn Thabit, Ka’b bin Dhuhejr, etj.
- Në grupin e dytë i vendos ata poetë të cilët nuk e pranuan islamin, mirëpo gjatë zhvillimeve të rrethanave të caktuara anonin kah myslimanët dhe në poezitë e tyre përshkruanin trimërinë e luftëtarëve myslimanë të cilët luftonin kundër idhujtarëve, si dhe i vajtonin ata përmes poezive të tyre, siç ishin poetët Abdullah bin ez-Zab’ari, Dirar ibn el-Hattab, etj.
- Në grupin e tretë i vendos ata poetë të cilët e pranuan islamin, mirëpo në poezitë e tyre nuk lanë gjurmë të besimit islam. Kryesisht këta ishin beduinë arabë, si Muttamin ibn Nuvejjr, Ebu Mihxhan eth-Thekafi, etj.
Më tej Nalino konstaton se “përmbledhja me fjalë të urta e titulluar si “Neh’xhul-Belaga”, nuk është vepër e Ali ibn Ebi Talibit (r.a.), por e Sherif el-Murtadit, edhe pse këtu ekzistojnë fjalë edhe të Aliut (r.a.)”!
Siç theksuam më lartë, në aspekt të studimit Nalino i kushtoi vëmendje të veçantë poetëve të njohur paraislam të Hixhazit, ndër të cilët edhe Ka’b bin Dhuhejrit, një konvertit i mëvonshëm në islam. Në fakt, Kabi ishte i biri i poetit Dhuhejr, një ndër poetët e cilësuar në “muallaka”, poezitë e të cilëve në periudhën pagane paraIslamike vareshin në muret e Qabes. Gjithashtu, edhe Ka’bi ishte një poet i fuqishëm si i ati, por ai vazhdimisht i satirizonte Profetin dhe Islamin. Atëherë kur do të çlirohet Meka, Ka’b bin Dhuhejri do të ikë drejt qytetit Taif. Megjithatë, aty nuk gjeti strehim. Me që Kabi kishte një vëlla i cili quhej Buxhejr, do të ndodh që ky i fundit t’ia dërgojë një letër Kabit ku i shpjegonte se Muhammedi i falte të gjithë ata që pendoheshin për veprimet e tyre armiqësore, e që konvertoheshin në myslimanë. Ai e këshilloi vëllain e tij Ka’bin që të udhëtojë drejt Medines dhe t’a shpreh pranimin e islamit në prani të Profetit Muhammed (s.a.v.s.), me që, siç i shkroi në letër, “për ty nuk ekziston rrugë tjetër më të mirë”. Buxhejri i shkroi me sinqeritetin më të mëdha vëllait të tij Ka’bit, pasi që vërtetë nuk kishte rrugë tjetër shpëtimi për të. Pasi që Ka’b bin Dhuhejri do të mendojë thellë, vendosi të thurë një poezi lavdëruese për Muhammedin (s.a.v.s.) në një stil vërtetë të pasur gramatikor, e kështu do të arrit fshehurazi të futet në Medinë. Ditën e nesërme në mëngjes u fut në xhami dhe fali namazin e sabahut nën udhëheqjen e Muhammedit (s.a.v.s.). Pas namazit u paraqit para Profetit Muhammed (s.a.v.s.). Ra në gjunjë dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, Kabi u pendua për të kaluarën dhe u bë mysliman. Po t’a sjell këtu, a e fal”?
“Po”. Tha i Dërguari i Allahut.
Ka’bi tregoi se kush ishte, duke i thënë: “Unë jam Ka’b bin Dhuhejri”!
Njëri nga medinasit iu hodh menjëherë sipër Kabit për ta vrarë atë, mirëpo Muhammedi (s.a.v.s.) nuk e lejoi, duke thënë: “Ai u pendua dhe erdhi si mysliman”!
Kabi nxori letrën me poezi (kasiden) që kishte përgatitur dhe filloi t’a recitojë:
“I Dërguari i Allahut është një dritë me anë të së cilës ndrit çdo gjë!
Është një prej shpatave të Allahut,
E zhveshur për t’a prerë të keqen e për t’a hedhur..!”
Këto vargje të bukura poetike do t’a kënaqin Muhammedin (s.a.v.s.) i cili me këtë rast e nxori këmishën (burda) e tij dhe ia hodhi atë krahëve Ka’bit. Prej këtu kjo kaside (poezi për Muhammedin s.a.v.s.) u bë e njohur me emrin “Kasidet-ul-Burda” قصيدة البردة.
Poezia paraislame arabe përfshinte mjaft emra gjeografik. Në ato poezi gjejmë shumë emra të mikrotoponimeve të gjeografisë arabe, përkatësisht të rrafshinave, burimeve, kodrinave dhe të vendeve të ndryshme historike arabe. Në to shpeshherë përshkruheshin edhe dukuri të ndryshme historike, fenomene natyrore që ndodhnin në shkretëtirë, etj. Panairet tregtare që organizoheshin në kohë të caktuara luanin rol të madh në zhvillimin e poezisë, pasi që ato kishin edhe karakter të manifestimeve letrare poetike. Panairi më i njohur i asaj kohe mbahej në Ukadh, në afërsi të Mekës. Aty, përveç tregtisë, organizoheshin edhe konkurse poetike dhe mbrëmje oratorie. Poezia e shkruar e cila merrte vendin e merituar si poezi ndër më të mirat, siç përmendëm më lartë quhej mual-laka (poezi e varur në mur), me që poezia e zgjedhur fituese nga juria shkruhej në varak[7], përkatësisht në një copë bezeje të madhe që varej në murin e Qabesë.
Thuhet se ndër poetët më të njohur të periudhës paraislamike njihej edhe Imru’l-Kajsi, pas tij Dhuhejr ibn Ebi Sulma, Tarafa ibn-ul-Abdi, Antara ibn Sheddad, Amr ibn Kulthum, Lebid ibn Rebia dhe Haris ibn Hilliz[8]. Arabët e vjetër, veçanërisht beduinët, inteligjencën e tyre e matnin përmes poezive dhe oratorisë. Në Arabinë nomade poetët ishin pjesë e pajisjes ushtarake të fiseve. Ata i mbronin forcat e fisit të tyre dhe i dëmtonin fiset armike me një fuqi e cila vepronte në mënyrë misterioze dhe përbëhej nga përpilimi i vargjeve interesante që do të tërhiqnin vëmendje dhe do të mbaheshin mend gjatë kohë[9].
Burimet:
BOŽOVIČ, Rade, “Udžbenik savremenog arapskog jezika – sa vježbankom i rječnikom”, Sarajevë, 1988.
- S. Margoliouth, “Mohammed and the Rise of Islam”, New York-London, 1905.
HITI, Filip, “Istoriaj Arapa”, Veselin Masleša, Sarajevo, 1973.
RAMIĆ, Jusuf, “Obzorja arapsko-islamske književnosti”, Sarajevë, 1999.
SMAILAGIĆ, Nerkez, “Klasična kultura islam”, II, Zagreb, 1976.
Islamska Misao, nr. 134, 1990, Sarajevë.
[1] Ekzistojnë një varg orientalistësh të cilët gjatë veprimtarisë së tyre shprehën respekt të plotë ndaj islamit, ndër të cilët ishte edhe orientalisti rus Ignjatij Julijanoviç Kraçkovski. Ai është autor i qindra veprave në lëmin e historisë së letërsisë arabe. Në njërën nga veprat e tij Kraçkovski flet për ndikimin e poezisë dhe shkencës në Evropë, madje ai hulumtoi evolucionin e zhanreve të poezisë klasike arabe, si dhe poezinë arabo-islame. Kraçkovski i analizoi me kujdes edhe gjurmët e qytetërimit islam në Spanjë, si dhe manifestimet kulturore në këtë siujdhesë myslimane të Evropës.
[2] Në krahinën e Hixhazit bëjnë pjesë qytet: Mekka, Taif, Medine, Xhide, Jenbu, etj.
[3] HITI, Filip, “Istoriaj Arapa”, Veselin Masleša, Sarajevo, 1973, f. 79.
[4] MUTTAHERI, Murteda, “Nužnost učenja arapskog jezika”, Islamska Misao, nr. 134, 1990, Sarajevë.
[5] BOŽOVIČ, Rade, “Udžbenik savremenog arapskog jezika – sa vježbankom i rječnikom”, Sarajevë, 1988, f. 7.
[6] BOŽOVIČ, Rade, po aty, f. 7.
[7] Pëlhurë e hollë që i ngjante letrës.
[8] RAMIĆ, Jusuf, “Obzorja arapsko-islamske književnosti”, Sarajevë, 1999, fq. 9-35.
[9] D. S. Margoliouth, “Mohammed and the Rise of Islam”, New York-London, 1905.
/tesheshi.com/