Nëse në Moskë dhe Shën Petërsburg debatohet nëse ishin carët apo sovjetikët që krijuan kulturën ruse, në Novgorod janë të sigurtë se nuk ishte asnjëra prej këtyre palëve, por vikingët.
Njëqind vjet më parë, revolucioni e flaku Rusinë nga era imperialiste në epokën komuniste – nga shekujt e carëve tek yjet e kuq sovjetikë. Në Shën Petërsburg, pallatet ekstravagante risjellin në kujtesë stilin luksoz të jetesës së perandorëve rusë, ndërsa në Moskë, qiellgërvishtës të zhveshur janë kujtesë për ekzistencën e ashpër nën sundimin diktatorial.
Edhe pse ka kaluar një shekull që kur rusët e gjetën veten në udhëkryq midis dy fazave të mëdha të historisë kombëtare, shumë prej tyre janë ende në kundërshti me njëri-tjetrin në lidhje më atë se cila periudhë dhe cili qytet ka pasur ndikimin më të madh në kulturën e sotme rusë dhe që ka nxitur më së shumti patriotizmin e thellë qytetar. Por, ndërsa banorët e Moskës dhe Shën Petërsburgut debatojnë nëse ishin sovjetikët apo carët që mbollën farën e nacionalizmit, banorët e Veliky Novgorod (njohur thjesht si Novgorod) këmbëngulin se ishin vikingët.
Në pamje të parë, Novgorod (vendosur rreth 200 kilometra në jug të Shën Petërsburgut, përgjatë lumit Volkhov) duket i ngrirë në kohën sovjetike, me asgjë që mund të sugjerojë se mund të jetë special. Stacioni i trenit qëndron i heshtur, ndërsa rrugët të rrethuara me ndërtesa betoni të padeshifrueshme, japin ndjesinë e lënies pas dore. Por, është pikërisht brenda fortifikatës së Kremlinit të Novgorodit – një prej citadelave të fortifikuara më të vjetra në Rusi – që merr ndjesinë e rëndësisë historike të këtij vendi.
Këtu, siç thonë banorët, është vendi ku ka lindur Rusia.
Në shekullin e 19-të, Novgorod ishte një vendbanim tregtar në lulëzim përgjatë rrugës së madhe Varangiane (termi mesjetar për vikingët) midis Skandinavisë dhe Greqisë. Novgorod gjëmonte nga jeta ndërsa tregtarët shkëmbenin mallra ekzotike, metale, verëra dhe qelibar nga Mesdheu me gëzofë luksozë hermeline, kunadheje e shqarthi për të cilët Novgorodi ishte i famshëm.
Megjithatë, ky ishte një vend pa ligje dhe luftimet ishin të zakonshme mes banorëve të vendbanimit dhe komuniteteve të tjera të afërta. Duke kërkuar të vendosë rregullin, banorët e Novgorodit ftuan shefin e fuqishëm varangian të asaj kohe, princin Rurik për të vendosur një qeveri të drejtë dhe të ndershme. Rurik u bind e udhëtoi nga Skandinavia për të marrë kontrollin e qytetit në vitin 862. Pas vdekjes së Rurik, në vitin 879, i afërmi i tij, Olegu morri pushtetin dhe e zgjeroi perandorinë, duke marrë toka në veri drejt atij që më vonë u bë Shën Petërsbugur dhe në jug deri në Kiev (më shumë se 1 mijë kilometra nga Novgorodi) si dhe bashkoi tributë e afërta slave dhe finlandeze për të formuar shtetin Kievan Rus.
Novgorod u zhvillua, dhe falë një marrëveshjeje të gjerë autonomie dhënë nga liderët e Kieven Rus, qyteti ishte i lirë të ngrinte sistemet e veta legjislative; liderët e tij zgjidheshin dhe shërbenin me mandate të kufizuara në atë që ishte qeveria e parë demokratike brenda rajonit që ne tani e quajmë Rusi.
Sot, muret mesjetare me tulla të kuqe të Novgorod Kremlin, vendndodhje e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, strehon muzeumin shtetëror të shtetit të Novgorodit, ku ka ekspozita dhe artefakte që detajojnë historinë e qytetit dhe oborrin Yaroslav, ish-vendndodhjen e një tregu të madh të shekullit të 16-të. Në zemër të Kremlinit është monumenti i Mijëvjeçarit të Shtetësisë Ruse, në majë të të cilit qëndron një skulpturë e princit Rurik. Statuja të dinjitarëve, përfshirë edhe Mihail Romanov dhe Katerinën e Madhe, qëndrojnë në formë spiraleje sipas kronologjisë në historinë ruse. Figura kryesore sidoqoftë gjithnjë ka qenë Rurik.
“Rurik në Rusinë bashkëkohore është një lloj figure simbolike, rreth të cilit ka një rreth mitesh e legjendash”, thotë Adrian Selin, profesor historie në shkollën ekonomike të Shën Petërsburgut.
Përgjatë kohës, Rurik është shndërruar në legjendë kaq simbolike saqë Bashkimi Sovjektik doli kundër njohjes së tij si themelues i Rusisë, duke shkuar aq larg sa ta deklaronte idenë e një personi të tillë si një shpikje librash. “Autoritetet sovjetike e refuzuan Rurik si një person real për shkak të artikulimit të emrit të tij që tingëllon gjerman apo skandinav e jo sllav si e identifikojnë rusët modernë veten e tyre”, shpjegon Selin.
Por, banorët e Novgorodit këmbëngulin se princi Rurik ishte i vërtetë dhe se aid he fisi i tij ndihmuan në vendosjen e elementëve kryesorë të kulturës ruse.
Në të njëjtën kohë që pretendon se është vendlindja e Rusisë, Novgorod është po ashtu edhe një qendër domethënëse e përhapjes së besimit rus ortodoks.
Vladimiri i Madh, sundimtari i Kievan Rus midis viteve 980-1015 mori vendimin se do të bashkonte populline tij nën një besim pas një serie konfliktesh midis të krishterëve dhe paganëve. Pasi dërgoi akademikët të studionin rreth botës, Vladimiri zgjodhi krishtërimin ortodoks; sot Kisha Ortodokse Ruse luan një rol me ndikim në kulturën dhe politikën ruse, madje priftërinjtë ortodoksë bekojnë armët ruse.
Jo shumë kohë pasi Vladimiri i Madh prezantoi krishtërimin ortodoks në Kievan Rus, nisi ndërtimi i Katedrales së Shën Sofisë, Mençurisë së Zotit që është tashmë kisha më e vjetër në vend. Ndërtimi i saj solid me gurë nënvizon si modestinë ashtu edhe madhështinë e popullit të Novgorodit.
Ndërkohë, katedralja ishte një nga të parat që paraqet kupolat si bulba qepe, që shihen në disa nga strukturat më të famshme ruse – përfshirë edhe në katedralen e famshme të Moskës, të Shën Bazilit, ndërtuar më shumë se 500 vjet pas katedrales së Shën Sofisë.
Nëse ka kontribute kaq domethënëse ndaj kulturës së kombit, përse Novgorodi është kaq shpesh i nënvlerësuar nga Moska dhe Shën Petërsburgu në narrativën historike të Rusisë?
“Novgorod u bë pjesë e Rusisë vonë, kur Moska e pushtoi atë në vitin 1478”, shpjegon Nancy Kollmann, profesore e historisë në universitetin e Stanfordit.
Në mes të shekullit të 13-të, forcat mogole të njohura si tatarët pushtuan shtetin Kievan Rus. Tatarët vendosën sundimin në tokën ruse dhe e zëvendësuan shoqërinë e saj demokratike me një feudale. Kjo shkaktoi shpërbërjen e shtetit dhe ngjitjen në pushtet të Dukës së Madh të Moskës.
Nëse Novgorodi do të kishte pushtuar Moskën, Perandoria Ruse nuk do të kishte ekzistuar kurrë. Novgorod – që u shndërrua në shtet më vete pas shpërbërjes së Kievan Rus – u vendos nën kërcënin nga fuqia në rritje e Moskës. Konflikti midis dy shteteve mesjetare shpërtheu në vitin 1471 kur ushtria e keq-organizuar e Novgorodit u përplas aksidentalisht me forcat muscovite në atë që quhet beteja e Shelonit. Novgorod pësoi aq shumë humbje sa liderët e tij ia dorëzuan shtetin dikur të fuqishëm sundimit muskovit.
Dhe ja kështu ndodhi, që Novgorodi humbi pavarësinë, liderët e zgjedhur u zëvendësuan me mbretërorët muskovitë. Shkrimtari rus i shekullit të 19-të, Alexander Herzen kishte mendimin se vetëm sikur Novgorodi të kishte pushtuar Moskën, Perandoria Ruse nuk do të kishte ekzistuar kurrë.
Por, ndikimi i Kievan Rus u zbeh. Duka i Madh i Moskës vijoi t’i referohej tokës së tij si Rus, që ndryshoi për Rusi midis shekujve të 14 dhe 16. Emri u mbajt fort pasi Pjetri i Parë themeloi Perandorinë Ruse dhe e kaloi selinë nga Moska në të sapothemeluarin Shën Petërsburg në fillim të viteve 1700. Dhe edhe pse sovjetikët e anashkaluan emrin Rusi në favor të Bashkimi i Republikave Sovjetike në vitin 1917, emri u risoll pas rëniës së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991.
Banorët e Novgorodit nuk i kanë harruar rrënjët e tyre. Larg nga muret e Kremlinit, pjesëza të vogla të krenarisë kulturore ende mbijetojnë në jetën moderne. Teatri folkloric performon vallëzime dhe muzikë të vjetër, klubi i armëve sjell mësime për farkëtimin e mjeteve luftarake të kohës së princit Rurik.
Nuk ka dyshim se në një vend me një spektër kaq të gjerë gjeografik, origjina e kulturës ruse do të vijojë të debatohet. Ata që jetojnë në Novgorod të paktën, e dinë se historia dhe identiteti i tyre vjen prej legjendave.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/