Qeveria nuk e ka “lëshuar” dorën, sa i takon buxhetit për vitin e ardhshëm, për ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës. Kreu i këtij dikasteri, Sokol Dervishaj tha në Komisionin Parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese Tregtisë dhe Mjedisit se në 2017-ën është parashikuar një fond prej 31 miliard lekësh, por që nuk i plotëson kërkesat e ministrisë.
“Padyshim nuk është buxheti më i mirë i mundshëm, që ka nevojë sektori i transportit dhe infrastrukturës. Pavarësisht, brenda këtij buxheti jemi përpjekur të racionalizojmë fondet që kemi në dispozicion dhe të përfundojmë projekte prioritare, veçanërisht në akset kombëtare rrugore. Në planifikimin e ministrisë është mbajtur parasysh edhe shmangia e detyrimeve të reja, problematikë që është diskutuar në Parlament dhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Vetem 9 % e buxhetit është për investime të reja në rrugë”, tha Dervishaj.
Me këtë buxhet, ministri theksoi se synohet të përfundojnë disa projekte të rëndësishme, që kanë filluar para vitit 2013 dhe ende nuk janë mbyllur, ndërsa bëri edhe një autokritikë se investimet në porte janë lënë në hije.
“Jemi marrë shumë me rrugët, por kemi harruar sektorin detar. Kemi lënë pas dore portet. Nuk duhet të harrojmë se të gjitha rrugët na lidhin me portet si Rruga e Kombit, Bypassi Fierit e Vlorës. Ne ndërtojmë rrugë që të çojnë në det, dhe s’kemi ndërtuar porte. Duhet ta planifikojmë në mënyrë strategjike qasjen ndaj transportit detar. Ne duhet të mbarojmë rrugët e nisura në qeverinë e Partisë Demokratike, që në fakt duhet të përfundonin po gjatë qeverisë së Partisë Demorkatike. Arsyet pse nuk janë mbyllur punimet janë të shumta. Mungesa e efikasitetit në projektim ka qenë problem i madh, pa harruar dhe ligjin që penalizon kompanitë shqiptare. Nuk është përgjegjësi e kësaj qeverie, pasi kemi disa projekte si Qukës-Qafë Pllocë, Rruga Tiranë-Elbasan që projektet kanë ndryshuar disa herë”, u shpreh ai.
Ministri i Transporteve ngriti shqetësimin e moskoordinimit mes 4 institucioneve, që janë përgjegjëse për ndërtimin e akseve. “Dua te theksoj se ka një problematikë. Sot në Shqiperi ndërtojnë rrugë 4 institucione, Autoriteti Rrugor Shqiptar, që e ka detyrim dhe ka tagrin kushtetues, por edhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Fondi i Rajoneve dhe bashkitë. Por standartet s’janë të njëjta, prandaj kjo është një çështje që duhet zgjidhur”, tha ai.
Ministri ju përgjigj edhe pyetjeve të deputetëve, për projekte konkrete rrugore duke u ndalur te projekti për ndërtimin e Rrugës së Arbrit, Bypassin Fierit, segmentin Lin-Pogradec dhe Rrugën e Kombit. “Për Rrugën e Arbrit, dua të them se është pushuar oferta nga kinezët, por ka një ofertë nga kompania shqiptare “Gjoka Konstruksion”, që po vlerësohet. Por më duhet të them se në aspektin financiar është një kërkesë shumë e pranueshme. Rruga e Kombit, është një rrugë strategjike për vendin. Aktualisht jemi në fazën ku në bashkëpunim me “IFC”, do të fillojmë së shpejti negociatat me kompaninë që u shpall fituese nga “KPP”. Por një element që e konsideroj shumë të rëndësishëm, lidhet me interesin e banorëve të Kuksit, për të mos i rënduar në aspektin ekonomik. Ky është element i rëndësishëm që do e kemi parasysh gjatë negociatave. E rëndësishme është që kompanitë, të fillojnë nga puna sa më shpejt, për ta përfunduar rrugën në radhë të parë, dhe mirëmbajtur”, tha Dervishaj.
Në lidhje me çmimet e larta të biletave të linjave ajrore, ministri tha se shumë shpejt do të nënshkruhet një Memorandum bashkëpunimi, që do i hapë rrugë ardhjes së kompanisë (low cost) WIZZAIR, në Prill të 2017. “Brenda muajit do të nënshkruajmë një “Memorandum Bashkëpunimi” me palën hungareze, duke bërë të mundur ardhjen për herë të parë të një kompanie ndërkombëtare ajrore “low cost” . E vetmja mënyrë për të hapur tregun është hapja e tij ndaj sa më shumë operatorëve”, përfundoi ministri i Transporteve./tesheshi.com