Nga Bardha NERGJONI
Ca copëza arti të paplota nuk mund të bëjnë një mozaik. Ky është imazhi që të jep sot Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë, ku të huajt shuajnë kuriozitetin e realizmit socialist, ndërsa shqiptarët marrin sërish shijen e një arti dogmatik pa patur larmi dhe mundësi krahasimi.
Vështirë se mund të shohësh shumë nga piktorët shqiptarë në galerinë kombëtare, e cila në fakt duhet të ishte një muze i artit figurativ në vend, por është një pamje e një periudhe që kishte artin e saj me kufij që nuk duheshin shkelur.
Në hyrje të Galerisë përballesh me një sallë ekspozitash gjithmonë në pritje të radhës së piktorëve, skulptorëve, por edhe fotografëve, e cila është e vetmja mundësi për artistët të prezantojnë artin e tyre. Më tej një hapësirë qendrore i dedikohet linjës muzeale “120 vite të pikturës dhe skulpturës në Shqipëri”. Linja e Realizmit Socialist mbetet ndër pavionet më të kërkuara nga të huajt, ku shpaloset më qartë ideologjia në art: “Realizmi Socialist. Ndërtimi i Modeleve të Njeriut të Ri (1960–1986)”. Duket se dhe guidat me të huajt janë të orientuara rreth këtyre pikturave dhe skulpturave të periudhës komuniste.
Të huajt që rastësisht pamë në një ditë të zakonshme brenda Galerisë, duken mjaft të interesuar, pasi në shumë vende kjo formë arti propagandistik nuk është hasur e kultivuar. Në vëzhgimin plot kuriozitet tek portretet e ushatarkëve- klonë, punëtorëve e punëtoreve të fizikshme, që ndërtojnë socializmin, salla nr. 5 të fton në një tjetër periudhë interesante të artit shqiptar: “Piktura Formaliste e Realizmit Socialist (1969–1974)”, ku në punët e piktorëve si Edison Gjergo, Alush Shima, Isuf Sulovari, Eduard Hila, Bajram Mata etj., të ftojnë në një devijim të lehtë nga kornizat e realizimit socialist. Pavioni përmbyllës është “Piktura dhe Skulptura Moderniste (1989–2001)”, por që nuk është i disponueshëm ende për vizitorët.
Buron Kaceli, një prej drejtuesve të Galerisë Kombëtare për disa vite sjell në vëmëndje lidhjen e tij me të vetmen Galeri Kombëtare të artit figurativ, mendimin për linjën kryesore të Galerisë, zgjidhjen për një shtesë të re ekspozimi si dhe problemet që po kalon piktura sot.
Buron, ju keni një lidhje të veçantë me Galerinë Kombëtare, jo vetëm se keni punuar aty por edhe sepse babai juaj ka pasur një rol. Ç’mund të thoni për krijimin e kësaj Galerie?
Galeria Kombëtare erdhi si kontribut i tim eti, Sadik Kaceli. Fill pas mbarimit të luftës filloi ngritja e institucioneve të para të kulturës. Ishte ndër të parët që mbaroi studimet për vizatim në shkollën e parë të vizatimit në Tiranë në vitet 30-të dhe vazhdoi më tej për pikturë në Paris.
Krijimi i Galerisë u bë në këtë mënyrë. Të gjithë piktorët dhe skulptorët e asaj periudhe u shpërndanë nëpër Shqipëri për të përzgjedhur veprat më të mira jo vetëm të asaj periudhe, por edhe më të hershme, jo vetëm shqiptare por edhe të huaja. Babai im shkoi në Shkodër për grumbullimin e pikturave. Kështu u krijua Galeria Kombëtare e Arteve që ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm për zhvillimin e artit tonë.
Si paraqitet gjendja sot?
Nga pikëpamja e qëndrueshmërisë dhe hapësirës Galeria e Arteve nuk është në kushtet më të mira të mundshme. Fondi në një pjesë të madhe është i grumbulluar dhe i rrezikuar nga dëmtimet. Edhe pse ka një sektor restaurimi me specialistë, sërish është e vështirë t’i ruash në gjendje optimale. Nëse do të realizohej një ndërtesë pas Galerisë, ku do të ekspozoheshin punimet e fondit të grumbulluar, atëherë do të zgjidhej problemi. Pas godinës është sheshi i përshtatshëm e do të mjaftonte një fond për ndërtimin e një objekti për ekspozimin e gjithashtu ruajtjen e veprave të artit. Kjo godinë duhet të ndërtohet sa më shpejt pasi është një domosdoshmëri dhe ia ka borxh shoqëria shqiptare arteve pamore një gjë të tillë.
Duket se linja kryesore e Galerisë së Arteve është piktura dhe skulptura e Realizmit Socialist. A i ka hyrë në hak piktorëve dhe veprave të tjera kjo linjë për hir të vizitorëve të huaj?
Sa i përket linjës së ndjekur sot, ka pasur mendime nga më të ndryshmet. Unë nuk kam qenë dakord me linjën e Realizimit Socialist. Sigurisht që paraqet interes për të huajt, por do të kishte interes edhe më të madh nëse nuk do të përjashtonim edhe vepra të tjera që nuk janë të linjës, por që përfaqësojnë punimet më të mira të piktorëve ndër vite. Duhet të realizohet një linjë ku të paraqitet me veprat më të mira, qofshin tipike të realizimit socialist apo jo aq tipike. Ka artistë të përjashtuar pse nuk janë tipikë të kësaj linje si Haxhi Bakalli, apo të tjerë. Ka peizazhe që janë lënë jashtë vetëm për shkak të kësaj logjike. Arti shqiptar nuk është vetëm Realizmi Socialist e kjo linjë është e paplotë. Për mendimin tim Galeria Kombëtare e Arteve është muze arti dhe në një muze paraqiten realizimet më të mira të artit shqiptar.
Çfarë i duhet pikturës sot, kritikë, vlerësim monetar, mbështetje…?
Kritika e artit thuajse mungon. Deri tani kritikën e kanë bërë piktorë. Ata kanë mendimet e veta për artin që përgjithësisht janë subjektive. Kritikën e mirë mund ta bëjë historian arti është mbi subjektivizimin e piktorëve dhe di të vlerësojë arritjet më të mira në këtë fushë. Kanë filluar lëvizjet e para në këtë drejtim. Mund të përmend një prej tyre. Olsen Gripshi është një kritik i ri i studiuar në Itali që ka filluar të artikulojë kritikë artistike. Sa i përket vlerësimit mund të them se piktura sot nuk ka vëmendjen e duhur nga ata që përgjigjen për artin. E kam ngritur dhe herë tjetër çështjen e mungesës së artit në institucione. Spitalet janë bosh, institucionet, stacionet e policisë, ambientet e ushtrisë, institucionet vendore kanë nevojë për pikturë. Mjafton një fond i vogël për blerje pikturash dhe do kultivonim shijet pasi këto janë ambiente që kanë frekuentim dhe kështu edukohen njerëzit me artin. Kjo do t’i shërbente shoqërisë pasi piktorët pak shesin. Blejnë vetëm ata njerëz që kanë mundësi sot pasi zhvillimi i pikturës kushton. Stimuli më i mirë është duke e çuar artin pranë njerëzve nëpërmjet institucioneve publike.
Po piktorët çfarë kanë më shumë nevojë?
Në Galerinë Kombëtare ka vetëm një pavion për ekspozimin e veprave të reja. Ka shumë piktorë që punojnë dhe duan të ekspozojnë veprat e tyre. Kjo galeri dhe salla në Muzeun Kombëtar janë të pamjaftueshme për artistët. Koha e qëndrimit të një ekspozite është shumë e vogël. 8-9 ditë janë të pamjaftueshme edhe për një kritikë të frytshme arti. Ekspozitat jashtë qëndrojnë mbi 2 muaj për publikun. Bashkia e Tiranës duhet të ketë një galeri të re për artin e sotëm.
Në fakt periudha e komunizmit ka qenë e artë për lulëzimin e artit me kusht. Po tani çfarë periudhe po kaloni?
Po, është e vërtetë që periudha e komunizmit ka qenë e mirë pasi shteti jepte fonde për artin, por kërkonte të realizonte një ideologji të tijin me mesazhe brenda kuadratit. Piktorët kishin mundësi, por nuk ishin të lirë pasi gjithçka ishte në funksion të propagandës. Tani jemi në kohën e lirisë së artit, por duhen krijuar kushte që artistët të shfrytëzojnë këtë liri. Mbaj mend se ka pasur nisma në mbështetje të piktorëve. Ish presidenti i atëhershëm Sali Berisha mori një vendim për t’i falur studiot piktorëve. Sigurisht atyre që i kishin studiot pasi shumë të tjerë nuk kishin. Sot është e vështirë të mbash një studio. Piktori nuk shet, por ndërkohë kërkon kushte që të pikturojë. Piktorët sot sakrifikojnë me idealizmin dhe dëshirën e tyre, por nuk ka një treg të mirëfilltë të artit në Shqipëri. Tregu i artit nuk ka lidhje me shqiptarët pasi ata e duan artin, por nuk kanë mundësi ta kenë atë pasi një pikturë e mirë kushton dhe jo çdokush mund ta ketë./tesheshi.com/