Biertani piktoresk, një nga shtatë fshatrat saksonë të Transilvanisë, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, duket sikur ka ngrirë në kohë. Karroca të tërhequra nga kuajt janë ende pjesë e jetës së përditshme dhe banorët lokalë mblidhen për të tregtuar mallrat e tyre në sheshin me guriçka të fshatit. Në zemër të fshatit, një kishë e fortifikuar e shekullit të 15-të bën hije mbi strukturat rreth e rrotull nga lartësia e një kodrine.
Brenda oborrit të kishës, së bashku me një nga muret e fortifikuar, ndodhet edhe një ndërtesë e vogël me një dhomë në brendësi jo më shumë se një qilar. Për 300 vjet, çiftet martesa e të cilëve kishte “ndeshur në shkëmbinj”, do të mbylleshin këtu nga peshkopi lokal, për të gjetur veten me shpresën se ata do të sheshonin problemet e tyre dhe do të shmangnin divorcin.
Mund të duket si një makth – mirëpo të dhënat tregojnë se ky “burg martesor” ishte pothuajse efektiv. Në 300 vjet ka pasur vetëm një divorc.
“Falë kësaj ndërtese të bekuar, në 300 vjetët që Biertani ka pasur peshkop, ne kemi regjistruar vetëm një divorc”, thotë Ulf Ziegler, prifti aktual i Biertanit.
Sot, burgu i vogël e i errët është një muzeum i pajisur me manekinë që duket sikur vuajnë. Dhoma ka një tavan të ulët dhe mure të trashë, dhe është e kursyer në mobilim, një tavolinë dhe karrike, një sënduk për ushqime dhe një krevat i traditës saksone që duket aq i vogël sa mund të merret për krevat fëmije. Ndërsa çiftet përpiqeshin të riparonin martesat e tyre brenda kësaj hapësire kaq të vogël, duhet të ndanin çdo gjë, që nga jastëku i vetëm dhe batanija e deri tek tryeza e vetme.
Luteranizmi, feja e saksonëve të Transilvanisë, qeveriste pjesën më të madhe të aspekteve të jetës e, edhe pse divorci ishte i lejuar nën disa rrethana – si tradhtia – preferohej që çiftet të përpiqeshin të shpëtonin bashkimin e tyre në martesë. Kështu, një çift që kërkonte divorcin mund të vizitonte vullnetarisht peshkopin, i cili do t’i dërgonte ata në burgun martesor për të parë nëse diferencat që ata kishin mund të mbylleshin përpara se të ndanin rrugën.
“Luteranizmi ishte një instrument për të mbajtur shoqërinë në rendin e vjetër kristian”, shpjegon Zielger, duke vënë në dukje se me këtë mbronte gratë dhe fëmijët që vareshin nga uniteti i familjes për të mbijetuar. Nëse ndodhte një divorc, bashkëshorti duhej të paguante ish-gruan e tij me gjysmën e fitimeve, por nëse martohej sërish dhe divorcohej përsëri, gruaja e dytë nuk merrte asgjë.
Në shekullin e 12-të, të ardhurit saksonë– me origjinë nga zona që sot janë Franca, Belgjika, Luksemburgu dhe Gjermania – u ftuan nga mbreti i Hungarisë, Géza II për t’u vendosur në Transilvaninë rurale dhe për ta mbrojtur atë nga kërcënimi prej tartarëve dhe osmanëve, sikundër edhe për ta zhvilluar zonën nga ana ekonomike. Saksonët e Transilvanisë ishin mjeshtër zanatçinj: Biertani u shndërrua në një qytet të rëndësishëm tregtar dhe pikë kulturore me një popullsi të fuqishme prej 5 mijë banorësh në vitin 1510.
Të ecësh midis rrugëve të Biertanit ndërsa dielli nis të zhduket pas kodrave të valëzuara, sheh banorët tek rrinë jashtë në oborre dhe ndonjë fermer që shtyn karrocën me kashtë përmes fshatit. Kisha imponuese me nëntë kullat e fortifikuara që e rrethojnë, ndriçohet nga drita të forta dhe qëllimi është i dukshëm: ishte një vatër qendrore për të vendosurit e hershëm saksonë – një vend sigurie dhe nderimi.
Panorama prej mureve 11 metra të lartë të fortifikimit të kishës pranë burgut martesor shtrihet përmes fshatit dhe deri në rrethina. Shumë banorë aktualë punojnë tokën e tyre duke përdorur teknika të vjetra fermere dhe tregtojnë mallrat e tyre për të siguruar jetesën. Barinj me rroba të ronitura nga moti mund të dallohen në gjelbërimin e kodrave duke ruajtur kopetë – një skenë që me gjasa nuk duhet të ketë ndryshuar shumë përgjatë disa shekujve të fundit.
Jeta vazhdon të lëvizë me ngadalësi, me një hap meditative: sidoqoftë, në ditët e sotme presioni ekonomik dhe fetar për çiftet në vështirësi që të qëndrojnë së bashku, ka rënë.
“Arsyeja për të qëndrua së bashku, me gjasa nuk ishte dashuria. Arsyeja për të punuar dhe mbijetuar”, thotë Ziegler. “Nëse një çift mbyllet brenda për gjashtë javë, është shumë e vështirë për ta të kenë mjaftueshëm ushqim vitin që pason, kështu që kishte presion për të dalë e për të vazhduar punën së bashku”.
Ziegler beson, se madje edhe sot, koncepti i një burgu martesor ka mësime të fuqishme për të dhënë ndaj martesës moderne. Dhe ai nuk është i vetmi që e beson këtë gjë: ai thotë se ka marrë kërkesa nga çifte që duan të përdorin burgun për të riparuar martesat e tyre të krisura.
“Në familjet moderne, ka gjithnjë pak e më pak kohë për njëri-tjetrin, ne jemi shumë më egoistë sesa paraardhësit tanë”, thotë Ziegler. “Ne vuajmë nga vetmia, që është arsyeja përse sot ne kemi nevojë të flasim më shumë, kështu që mund të gjejmë se çfarë kemi të rëndësishme dhe çfarë na lidh”.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/