Sot, pas 25 vitesh aktivitet të ethshëm politik, sa në pushtet e sa në opozitë, Berisha e ka krijuar tashmë profilin e tij të padiskutueshëm të një politikani autoritarist, aspak luajal; i ashpër në retorikë dhe qëndrime.
Edhe pse nuk është më lider zyrtar i PD-së, fjala e tij aty ka një pushtet të padiskutueshëm; e ku pozicionimet politike karshi shumë zhvillineve kanë gjithnjë një kahje ekstreme.
Ky profil, ku urtësia nuk zinte vend asgjëkundi në sjelljen politike të tij, nisi të skalitej që në fillimet e pushtetit të PD-së, ku më pas ai do të zgjidhej President.
Dhe si akt i parë do ishte padyshim burgosja e liderit të opozitës së atëhershme, Fatos Nano në vitin 1993; që u finalizua si zullum politik me manipulimin masiv të zgjedhjeve të 26 majit në vitin 1996.
Dhe përballë tij në ato kohëra, i kundërt plotësisht me të, i qetë, i urtë, i moderuar, luajal, ndodhej Eduart Selami, kryetar i PD-së; që largimi prej aty, dhe më pas nga Shqipëria pas humbjes së referendumit për Kushtetutën në vitin 1994, do ia shtonte dhe më tepër aureolën e një politikani model, me të cilin gjërat në selinë blu do ecnin ndryshe, sigurisht për mirë, po të kishte vijuar ta udhëhiqte si kryetar.
Kjo është ajo lloj fotografie që shumëkush në Shqipëri nuk e vë në diskutim, por ja që ka diçka që nuk përputhet me këtë lloj perceptimi e definicioni.
Sepse fillimet shfaqin të kundërtën e kësaj; posaçërisht ato që kanë të bëjnë me Fatos Nanon, arrestimin e tij.
Në librin “Të jesh apo të mos jesh – PS”, ish-gazetari i ZP-së e publicisti i njohur Ylli Pollovina, ofron një tjetër panoramë, aq sa, nëse në atë çfarë raporton lidhur me debatet e brendshme në PD për Nanon nëse duhej të burgosej apo jo, hiqen emrat, aty ku flet Berisha do mendosh se po flet Selami dhe e kundërta, aty ku flet Selami duket sikur flet Berisha.
Pra, tipike për të thënë “Berisha e Selami, siç nuk i keni njohur”: I pari racional, i mençur, institucional e demokrat në qëndrimet e tij, model i një burrështetasi të urtë; ndërsa i dyti pasionant politik me prirje ekstreme, i papjekur në qëndrime, deri dhe kontravers.
Madje, tek rrëfimi gazetaresk i Pollovinës, haset dhe skena se si Berisha, ai pra autoritari i padiskutueshëm brenda PD-së, ngjan për një moment i dobët dhe krejtësisht i shpërfillshëm para grupit parlamentar të partisë së tij.
Dhe a e dini pse? Sepse kërkonte pikërisht të kundërtën e saj për të cilin ka një bindje të plotë publike se ai çoi Nanon pas hekurave; por jo, pasi ai kërkonte me ngulm që Nano mos burgosej, me një arsyetim që vërtet të lë pa fjalë kur lexon Pollovinën.
Dhe përballë tij ishte Eduart Selami, me një këmbëngulje gati të pabesueshme për ta çuar pas hekurave kreun e opozitës, me në krah Zef Brozin; ish-kreu i Gjykatës së Kasacionit, që mos vonë do shndërrohej në “armik për kokë” i Berishës, me të njëjtat pretendime në thelb, që ky fundit ishte një diktator.
Ja ç’shkruan Pollovina duke iu referuar burimeve protokollare të një mbledhjeje grupi në PD, ku do diskutohej mbi fatin e Nanos:
Debati, i cili u ashpërsua që në momentin e parë, kishte të bënte më faktin nëse duhej të radikalizohet qëndrimi ndaj liderit të opozitës, ish-kryeministër, apo të ndiqej procedura normale. Sipas dëshmitarëve dhe protokollit të mbledhjes, ka pasur vetëm një pjesë të vogël të grupit parlamentar, që mendonte se Nano duhej të ndiqej i lirë. Debati u ashpërsua dhe në mbledhje u thirr presidenti Berisha. Sipas dëshmisë së z. Spahia, ai i kërkoi presidentit që të jepte opinionin e tij mbi “çështjen Nano”, pasi, sipas tij, grupi parlamentar ishte i interesuar për këtë qëndrim.
Selami i ashpër në qëndrimin e tij, thotë se duhet të qartësohet situata se kush e mbron Fatos Nanon si dikur Ramiz Alia, Nexhmije Hoxhën. Krahasimi, i cili ndezi tensionin në sallë, i hapi rrugë fjalës së Berishës, i cili, befasuar nga situata dhe aludimet absurde, përgjigjet: “Unë jam President i Republikës dhe jo Prokuror i Republikës. Nuk kam arrestuar dhe nuk do të arrestoj asnjëherë asnjë njeri. Asnjëri nga ju, të nderuar zotërinj, të mos mendojë se do më imponojë ndonjëherë të ndërroj rolin. Përsa i përket çështjes Nano, jam në dijeni se Kontrolli i Shtetit ka dërguar dosjen në Prokurori. Prokurori i çështjes po shqyrton dosjen dhe mbi bazë të bindjes së tij duhet t’i kërkojë parlamentit heqjen e imunitetit për t’i hapur rrugë hetimeve më të thella dhe më të hollësishme. Se çfarë do të vendoset më vonë, kjo është çështje e drejtësisë, nuk është as e mija, as e juaja”. (Protokolli i mbledhjes).
Pas Berishës fjalën e merr Zef Brozi, i cili me patetizmin e tij të njohur dhe më vonë, deklaroi: “Nëse Fatos Nano nuk arrestohet brenda tetë ditëve, në burg do të jem unë, Zef Brozi, zoti President”. Duartrokitjet që shoqëruan fjalën plot patos të Zef Brozit, lanë në hije moderacionin e Berishës. Për herë të parë Berisha ndihej i mundur në një garë entuziazmi nga salla. Ditët që pasuan i dhanë duar të lira dyshes Selami-Brozi dhe më 31 korrik, në një mbledhje të ngushtë, Berisha ishte i vetmi kundër arrestimit paraprak të Fatos Nanos. I bindur se dosja e tij do të provonte fajësinë, Berisha rekomandonte ndekjen e lirë deri në procesin gjyqësor.
Ai përkrahte tezën se “lideri i opozitës ka një pushtet moral, i cili duhet respektuar. U përket gjykatësve, mbi bazën e provave dhe fakteve, të japin verdiktin për arrestimin e tij. Eshtë në nderin e demokracisë që njerëzit të ndiqen të lirë”.
Kundër idesë së Berishës është ngritur Selami. Ai mendonte se ndjekja e Nanos në gjendje të lirë “do të ngrejën Shqipërinë në këmbë”. Berisha i është përgjigjur se ne nuk bëjmë veprime nga frika dhe se shqiptarët nuk mund të ngrihen në këmbë për një të korruptuar, gjersa t’i provohet fajësia dhe, për më tepër, kur bëhet fjalë për një lider të opozitës.
Këtu përfundn dialogu mes Berishës dhe Selamit dhe, pak orë më vonë Berisha mësoi, siç thotë një këshilltar i tij, prej televizionit lajmin për arrestimin e Nanos. (fq. 90-91)
Ky fakt të bën të mendosh mbi një metamorfozë jo dhe aq të çuditshme të Berishës pas ardhjes në pushtet, kur dihet ndikimi i fortë i këtij të fundit në personalitetin njerëzor, shpërfytyrimin e tij.
Duhet kujtuar në kërë rast se prej gojës së Berishës do dilnin atëherë do thënie nga ato me vlerë epistolare, por që më pas munguan tërësisht në fjalorin e tij politik: “Bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës”, një mesazh që përçonte bukur prirjen për bashkëjetesë të paqme politike; si dhe atë që “nuk do i ngjasonte Enverit me qëndrimin në pushtet” se “do i rikthehej sërish bluzës së bardhë”, mesazhe të cilat koha i përgënjeshtroi.
Përgatiti: Ermir Hoxha – /tesheshi.com/