Narrativa e asaj pjese të opozitës që mbështeti kandidimin e Fredi Belerin në Himarë, një prishje pakti mes dy forcave kryesore politike PS-PD vendosur që në vitin 2000, për mosmbështetjen prej tyre të asnjë individi me theks filogrek, vijon e pacenuar nga ndonë sfidë gazetareske që të mbrojë Belerin, për më tepër të akuzuar si vrasës të dy ushtarakëve shqiptare në 1995-ën, si pjesë e një komandoje greke me kauzë Vorio Epirin.
I fundit, Aldo Bumçi, një ndër emrat më pa identitet apo talent politik në politikën shqiptare, fyes i paepur i një inteligjence mesatare, i mëshoi mbajtjes në burg të Belerit, pa qenë i shqetësuar aspak nga ndonjë pyetje inteligjente gazetareske e llojit: Pse vendosët ta mbështesnit Belerin, çfarë patë ju te ky individ diçka të spikatur, diçka të denjë për ta menaxhuar Himarën, ndërkohë që përflitet si vrasës dhe luan me teza antishqiptare?
Bumçi vijoi “t’i binte njëlloj legenit politik” kur tha se “në lidhje me Belerin nuk ka asnjë provë në flagrancë.
Cili ligj e ndalon betimin e tij? A ka dyshime që Rama nuk po kontrollon drejtësinë në Shqipëri? Provat janë të fabrikuara pasi nuk ka flagrancë. Rama është i gatshëm për të bërë gjithçka për të mbajtur në mënyrë të paligjshme Bashkinë e Himarës”.
I tha pra këto Bumçi për Belerin para një gazetarie në mjerim, e cila më e pakta duhet ndjek radhën për këtë çështje: i pari është kandidimi i Belerit, e dyti vjen arrestimi i tij dhe mbajtja në burg. Nuk mundet që të merresh vetëm me të dytën qasje pa ezauruar të parën. Sepse siç mund të jetë një skandal juridiko-politik burgosja e Belerit, po kaq skandal është mbështetja e tij nga dyshja Berisha-Meta, deri në kufijtë e një tradhëtie kombëtare. /tesheshi.com/