Karakteristikë e një pjese të mirë të politikanëve shqiptarë në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni të Veriut janë shpërthimet e tyre në nivele idioteske në periudha zgjedhore. Në to ose pranë tyre ata lëshohen pa fre, nuk dinë ç’nxjerrin nga goja, mungesën e ideve e zëvendësojnë me llomotitje. Kjo ndodh përgjithësisht me të dështuarit, të paaftët, mashtruesit, njerëzit e kulisave. Një lloj simpatie në Shqipëri për politikanët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut është e arsyeshme duke parë urtësinë dhe vetëpërmbajtjen relativisht më të dallueshme të tyre, por nuk mungojnë përjashtimet zhgënjyese dhe atje.
Një nga këta politikanë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut ka sulmuar në mënyrë krejt të paprinciptë këto ditë më të madhen shtëpi botuese shqiptare në atë vend. Akuzat janë aq të pabaza dhe të turpshme, sa më tepër ngjajnë të shqiptuara prej një të çatrafiluari se të një politikani flokëbardhë.
E vetmja meritë që mund t’i njihet sot këtij politikani është tkurrja e frikshme e PDSH-së nën udhëheqjen e tij. Nuk i njihen teza, arritje, sipërmarrje politike pozitive. Në këto kushte mbijetese është e pritshme që ai ta kërkojë marrjen e vëmendjes me të tjera gjëra, me shfaqje teatrale e thirrje për të bërë gara se kush e kryen faljen (namazin) më mirë!!! Trashëgimia politike e Arbër Xhaferit ka përfunduar te ai në shpifje antilogosiane.
Po nëse në Shkup atij ia japin përgjigjen, në Tiranë duhet thënë diçka prej atyre që i detyrohen shtëpisë botuese Logos-A për shumë gjëra. Fillimisht, për çfarë mbahet mend akuzuesi ndër ne. Pamjet e tij pesë vite më parë tek shkrihej së qeshuri në ujërat e Jugut së bashku me presidentin aktual të Shqipërisë ndërsa gazetarit që sapo i kishte intervistuar i binin mbathjet në zhytjen në det morën dhenë. Vështirë të gjesh diçka tjetër me të cilën ta veçosh atë në kryeqytetin tonë nëse kërkon të dish më shumë. Asnjë artikulim politik, asnjë copë letër ku ai ta ketë përdorur bojën për të shkruar dhe jo për të bërë pis mure.
Përndryshe, Logos-A është në Tiranë marka më e njohur e aktivitetit të shqiptarëve të Maqedonisë. Autori i këtij artikulli e takoi z. Adnan Ismaili më tepër se një dekadë më parë. Një marrëveshje dhe një shtrëngim duarsh i hapi rrugë bashkëpunimit që vazhdon ende, asnjëherë i prishur, asnjëherë problematik. Kur në Shqipëri të dilte gjuha në marrjen e hakut tënd, parimet morale me të cilat udhëhiqeshin drejtuesit e Logosit nuk i lanë asnjëherë ata t’i hynin në hak tjetrit. Të shumtë ishin dhe janë ata që hapësirën e munguar në Tiranë a në rrethe të Shqipërisë e gjetën te Logos-A, pa u shfrytëzuar, duke u respektuar! Logos-A u shndërrua me kohë në më të mirëpriturën shtëpi botuese në Tiranë të shqiptarëve përtej kufirit, ashtu si drejtuesit e saj sa herë që mbërrinin në këto anë. Biseda me ta nuk zbriti asnjëherë në diskutime përfitimesh të padrejta.
Fryt i punës me përkushtim dhe mbështetur në virtyte të lavdërueshme njerëzore janë qindra librat e kësaj shtëpie botuese; rreze dielli në qiellin e mjegullt të shqiptarëve. Si zor të gjesh një bibliotekë familjare apo institucioni në Tiranë, në Shqipëri, ku të mungojnë librat e Logosit, nga korpusi i veprës së Alija Izetbegoviqit te ai i Vehbi Ismailit, nga libri fetar te ai letrar, nga ai në shqip te ai në tjetër gjuhë, nga ai në prozë te ai në poezi; fjalorë, enciklopedi, libra historikë, sociologjikë… Shumë, shumë, shumë…
Tridhjetë vitet e Logosit janë mund për ta kthyer shkretëtirën në luadh. Vitet e këtij lloji politikani janë mund për ta kthyer luadhin në shkretëtirë. Sulmi ndaj Logosit është një farë që nuk zë rrënjë; nuk ka ujë e dhé të mirë për të. /tesheshi.com/