Në Hungari, bllokada e tensionuar e policisë ndaj emigrantëve në stacionin qendror të trenit në Budapest ka hyrë në ditën e dytë, pasi policia një ditë më parë lejoi emigrantët të hyjnë në trena, por më pas u përpoq t’i dërgonte ata në një kamp refugjatësh në perëndim të kryeqytetit.
Kryeministri hungarez, Viktor Orban përballet gjatë ditës me një votim të rëndësishëm në parlament për shtrëngimin e kontrolllit kufitar ndërsa refugjatët kërkojnë të kalojnë më tej, drejt destinacionit të tyre, Gjermanisë.
Deputetët hungarezë do të votojnë gjithashtu edhe për krijimin e kampeve të reja të pritjes për emigrantët, e do të vendosin edhe për shpalljen e mundshme të gjendjes së jashtëzakonshme.
Kryeministri hungarez të enjten e përshkroi situatën si një “problem gjerman”, pasi Gjermania, sipas tij, është vendi ku të gjithë refugjatët duan të mbërrijnë. /tesheshi.com/