E ardhmja e të gjithë Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian, tha zëdhënësja e Komisionit Evropian Ana Pisonero Hernandez në një përgjigje me shkrim për Zërin e Amerikës, pas një teksti nga Reuters ku thuhej se nuk ka marrëveshje në BE për anëtarësimin e 6 vendeve tw Ballkanit Perëndimor.
Duke cituar diplomatë të paidentifikuar dhe një dokument të brendshëm, Reuters tha të martën se “nga frika e reagimeve të anëtarëve të saj, BE nuk mund të garantojë më anëtarësimin e ardhshëm për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor”.
“Komisioni Evropian është i përkushtuar fort për të avancuar procesin e pranimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut,” tha Pisonero, duke shtuar se të dy vendet kanë përmbushur detyrimet e tyre, kjo është arsyeja pse BE mbështet plotësisht fillimin zyrtar të bisedimeve të pranimit deri në fund të vitit.
Zgjerimi, një investim strategjik
Pisonero thotë se “politika e zgjerimit është një investim strategjik në stabilitetin dhe sigurinë e Evropës”, dhe se udhëheqësit e BE -së kanë thënë vazhdimisht, përfshirë në samitin e fundit në Zagreb, se ata janë të përkushtuar pa mëdyshje ndaj perspektivës evropiane. /tesheshi.com/