Që prej shekullit të 9-të, qyteti i vjetër në Fes ka tërhequr akademikë, imamë dhe intelektualë që kalonin mes dyerve të tij me shpresën për të zbuluar njohuritë e lashta që mbante qyteti.
Ky labirinth rrugicash të ndërlidhura, rrugësh, shatërvanësh, oborresh e sheshesh ka mbetur pothuajse i njëjtë që prej zgjerimit të shpejtë të qytetit gjatë dinastisë Marinid në shekujt e 13-të dhe 14-të.
Edhe pse gërmadhat e rrënuara të atyre që ishin dikur shtëpi madhështore mund të gjenden pothuajse në çdo cep, qeveria marokene së fundmi po investon më shumë para për restaurimin e medinës, që sot konsiderohet një nga qytetet më të mirë-ruajtura në botën arabo-muslimane. Po ashtu qyteti konsiderohet të jetë një prej zonave më të mëdha urbane në botë ku nuk qarkullojnë makina, ku gomerët dhe karrocat janë mënyrat e vetme për transportin e mallrave përmes rrugicave të ngushta dhe të pjerrëta.
Një shëtitje e shkurtër përmes qytetit, shfaq pa rezerva kaligrafinë e gdhendur islamike dhe mozaikë të mrekullueshëm – të formësuar me tulla të punuara individualisht në formacione gjeometrike. Ato mbulojnë linjat e mureve të xhamive, shkollat për mësimin e Kuranit dhe mauzeloumet. Sidoqoftë, një ndërtesë që qëndron në zemrën e qytetit, është veçanërisht tërheqëse për vizitorët.
Themeluar që në fazën e hershme të ndërtimit të qytetit më të vjetër perandorak të Marokut, universiteti Al-Karaouine (që shkruhet edhe në variantet Al-Quaraouiyine dhe Al-Qaraëiyyin) mban si datë të ngritjes së tij vitin 859 dhe konsiderohet nga UNESCO dhe libri Guinness i rekordeve botërore si universiteti më i vjetër ende në funksionim në botë.
Vendndodhje të tjera historike dhe arkeologjike si Taxila e Indisë së lashtë dhe universiteti Nalanda po në këtë vend mund të datojnë më herët, pasi shoqëritë e hershme nisën të praktikojnë shkollat e të shkruarit pas vitit 3500 para erës sonë, por Al-Karaouine mban me krenari rekordin botëror pasi ai ka vijuar të ofrojë arsimim që prej themelimit të tij. Po ashtu, universiteti është institucioni i parë arsimor në botë që ka dhënë diploma.
Ndodhur në zemër të qytetit të vjetër, kompleksi përbëhet nga një xhami, universiteti dhe biblioteka, dhe lidhet përmes një labirinti rrugicash të ngushta dhe korridoresh nga të katërta anët. Çatia prej tullash qeramike të gjelbër qëndron si pikë kulmore mbi panoramën urbane të Fesit, ngado që të jesh në qytet.
Historia sesi lindi institucioni është ndoshta edhe më mbresëlënëse sesa arkitektura e tij. Në fillimet e deri në mes të shekullit të 19-të, kur Fes po niste të krijonte fizionominë e tij si një metropol në lulëzim, Fatima al-Fihri – emigrante nga qyteti Kairouan (në Tunizinë e sotme) – u vendos dhe u martua në Fes, së bashku me motrën e saj, Mariam. Pas vdekjes së babait të tyre, motrat vendosën që ta përdornin pasurinë që trashëguan për të dhënë në komunitetin e tyre të sapoformuar duke krijuar xhaminë Al-Karaouine dhe kompleksin e universitetit.
Mariam e përdori pjesën më të madhe të trashëgimisë së saj për të ndërtuar xhaminë qendrore Andaluziane – brendësia e dekoruar e së cilës mund të nxërë deri në 20 mijë njerëz në kohë faljeje – ndërsa paratë e Fatimës, koha dhe energjitë e saj shkuan për mundësimin e një vendi arsimimi për njerëzit e Fesit. Fatima ishte kaq e përkushtuar ndaj kësaj kauze saqë ajo agjëroi gjatë ndërtimit të kompleksit (disa burime thonë për 18 vjet).
Xhamia nuk është e hapur për jo-muslimanët, kështu që pjesa më e madhe e turistëve vetëm sa mund të hedhin një sy në oborrin e madh të strukturës me gdhendjet e ndërlikuara dhe të pikturuara me dorë, harqet dhe shatërvanët me ujë – përmes dyerve masive në të katër anët. Tarracat e çative në qytet shërbejnë si pika të përshtatshme për të vështruar brenda, duke mundësuar panorama të mrekullueshme mbi xhaminë dhe minaret e saj të bardha prej nga dalin thirrjet e faljes në gjithë qytetin.
Nga niveli tokësor, nuk mund të shquhet forma dhe struktura e vërtetë e kompleksit, ku ndërtesat janë të ngjeshura kaq shumë së bashku sa çatitë preken dhe kryqëzohen sipër rrugicave. Por gjurma e dyerve masive dhe mureve prej druri ndihmojnë vizitorët të marrin me mend përmasat dhe shtrirjen e saj.
Xhamia është e mbushur me detaje vizuale si tavanet e dekoruar me delikatesë në hyrjen qendrore. Brendësia e ndërtesës ashtu si shfaqet sot e mori formën më së shumti nga dinastia Almoravid, që e zgjeroi xhaminë dhe hollin e faljes gjatë shekullit të 12-të.
Ndryshime të tjera vijuan të ndodhnin përgjatë shekujve në vazhdim. Dinastia Almohad – që mori kontrollin e zonave të gjera në Marok dhe në Spanjën jugore pas ngjitjes së saj pas dinastisë Almoravids – shtoi pikturime maure lulesh dhe ndikimin e dizenjos andaluziane në shatërvanin qendror prej mermeri. Dy pavionet e shatërvanëve – që të kujtojnë oborrin e Luanëve në pallatin Alhambra në Granadë të Spanjës- u shtuan në fillim të shekullit të 17-të.
Nisur si xhami me një shkollë për mësimin e Kuranit dhe një bibliotekë modeste, Al-Karaouine u shndërrua përgjatë viteve në institucionin më të famshëm në botë që ofronte diploma të plota në një sërë fushash, duke tërhequr njerëz nga e gjitha bota për të studiuar aty.
Gjatë viteve të hershme të saj, madrasa (shkolla) u fokusua në arsimimin fetar, por më pas u zgjerua në linguistikë, gramatikë, ligj, muzikë, sufizëm, mjekësi dhe astronomi. Në vitin 1947, Al-Karaouine u integrua në sistemin shtetëror arsimor dhe më në fund u bashkua edhe më sistemin modern universitar me dekret mbretëror në vitin 1963 pas përfundimit të periudhës së protektoratit francez të Marokut. Në vitin 1965, u rimërtua zyrtarisht si universiteti Al-Karaouine, krahasimisht me emrin e thjeshtë “Al-Karaouine”.
Nxënës të famshëm të cilët kanë studiuar brenda mureve të veshura me mozaikë përfshijnë filozofin musliman e shekullit të 12-të, Ibn Rushd, papa Silvester II (i cili thuhet se paraqiti numrat arabë në Europë pasi studioi këtu në shekullin e 10-të), teologun e shekujve 13-14-të Ibn al-Haj al-Abdari si dhe diplomatin berber andaluzian të shekullit të 16-të, Leo Africanus.
Maimonides – filozofi hebre i famshëm për shkrimet e tij mbi ligjin dhe etikën hebreje gjatë shekullit të 12-të – thuhet se ka pasur lidhje me medresenë.
Dinastia Marinid e zgjeroi bibliotekën në vitin 1359, duke shtuar një hapësirë të madhe të mbushur me më shumë se 20 mijë libra të shkruar me dorë, që datonin prej fillimit të Mesjetës. Po ashtu, biblioteka përfshinte edhe 4 mijë tekste të rralla dhe dorëshkrime.
Trishtueshëm, shumë tekste të rëndësishëm dhe madje, biblioteka të tëra janë shkatërruar në kombe të tjerë arabë, si biblioteka e Universitetit të Mosulit në Irak, gjatë luftërave të dekadave të fundit. Biblioteka Al-Karaouine që përmban disa prej dorëshkrimeve më të vjetra të ruajtura në historinë Islame, është tashmë një prej më të rëndësishmeve në botën Islame dhe arabe. Sot, brenda mureve të bibliotekës ruhen të sigurta një kopje e shekullti të 9-të të Mushaf Al Karim (kopje e vjetër e Kuranit), një rrëfim i shekullit të 10-të i jetës së profetit Muhamed dhe tekste nga akademiku i shekullit të 12-të, Ibn Tufail.
Gjatë restaurimit më të fundit të kompleksit midis viteve 2012 dhe 2016, u ndërtua një laborator i teknologjisë së lartë për të rikthyer dorëshkrime historike të palexueshme, duke siguruar që ato të jetojnë edhe për shumë breza të tjerë.
Biblioteka po ashtu përmban një kasafortë të shekullit të 16-të, me një derë të padepërtueshme bakri që ka katër kyçe dhe kërkon katër çelësa për t’u hapur. Ky sistem përdorej për të mbrojtur vetëm tekstet më të çmuara. Abdelfettah Bougchouf, kuratori i bibliotekës, ka të vetmin çelës për të vetmen bravë që përdoret.
Pas dhënies së një donacioni bujar nga ana e bankës Arabe të Kuvajtit për ministrinë marokene të Kulturës për qëllime të mbrojtjes së vlerave kulturore, një krah i vogël i medresesë u rihap për publikun në vitin 2016. Kjo bëri të mundur që vizitorët të kundronin mozaikët e saj që të lënë pa fjalë dhe gdhendjet e kuruara, sikundër edhe dhomat e studimit dhe fjetoret e studentëve.
Në vitin 2012, ministria e përdori grantin për të punësuar arkitektin Aziza Chaouni për restaurimin e kompleksit universitar. Duke përdorur materiale lokale aty ku ishte e mundur, mjeshtrit dhe inxhinierët me shumë lodhje restuaruan mozaikët, ristrukturuan shatërvanët, instaluan një sistem drenazhimi modern dhe rregulluan çatinë me tjegullat karakteristike të gjelbra.
Për shkak të shumë shekujve traditash kufizuese sociale, studentet femra nisën të studionin në këtë institucion në numra domethënës në vitet e fundit, pavarësisht se universiteti u themelua nga një grua më shumë se 1 mijë vjet më parë. Tashmë ai është i hapur për të gjithë që të studiojnë pavarësisht besimit apo gjinisë, pasi studentët të kërkojnë leje.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/