Brazili dëshmon sërish se mbetet superfuqia e Amerikës së Jugut. Pavarësisht se e kanë siguruar kualifikimin për botërorin e vitit 2018, brazilianët i kanë dhënë një 2-0 Ekuadorit, që ka shpëtuar paq me kaq pak gola të pësuar, pas më shumë se 10 rasteve që kundërshtari kishte.
Ishte një ndër blerjet e fundit të Barcelonës, mesfushori Paulinjo ai që përfitoi në minutën e 69-të, kur pas goditjes nga këndi dhe prekjes së kundërshtarit, e goditi fort topin nga fare afër, duke shënuar golin e parë.
Pas më pak se 10 minutash, Gabriel Jesus, bën një xhonglim e nxjerr të lira Kutinjon, i cili goditi saktë nga afër portës duke shënuar golin e dytë.
Pavarësisht frymëmbajtjes për transferimin e dëshiruar tek Barcelona, “i trishtuari” Kutinjo nuk e reflektoi në fushë, gjendjen e tij.
Më këtë fitore, Brazili përforcoi dominancën në zonën e Amerikës Latine, kur skuadrat e tjera që luftojnë për kualifikimin, janë shumë pikë larg. /tesheshi.com/