Si shquhet i gazetari më kontrovers i Maqedonisë, dhe për pushtetin e Gruevksit mbeti gjithnjë kërcënues. Zoran Bozhinovski, shpeshherë ishte ndër të parët që publikonte skandalet e politikanëve të ndryshëm, dhe si i tillë u akuzua nga Prokuroria për spiunim dhe shantazh, vepra penale këto që sipas Kodit Penal rrezikojnë burg prej 15 vitesh.
Pas disa viteve arrati në Novi Sad të Serbisë, ai u arrestua dhe u ekstradua në burgjet e Maqedonisë. Ndërsa, pas qëndrimit prej 15 muajsh në paraburgim, sot i njëjti është lëshuar që të mbrohet në liri.
Por si ndihet tani Zoran Bozhinovski? Si janë raportet e tij me Zaevin dhe me BDI-në? Për këto e të tjera, ai flet në një intervistë ekskluzive për tesheshi.com
Intervistoi: Mensur Krasniqi
Ashtu siç jemi të njoftuar, ju keni mbajtur 14 muaj paraburgim nën akuzën për “spiunim”. Çka ishte vendimtare që gjykata të japë një vendim që ju të mbroheni në liri?
Jo, në paraburgim në Shkup isha 15 muaj e 8 ditë. Paraprakisht në Novi Sad në vitin 2013 dhe 2014 isha 10 muaj e gjysmë në paraburgim ekstradues, apo gjithsej 770 ditë. Jam i akuzuar për vepra kriminale, spiunim dhe shantazh. Nuk jam lëshuar nga paraburgimi, por sipas ligjit e kishin patjetër të më lëshojnë. Sipas ligjit për procedurë penale, për këta vepra penale është paraparë dënim deri 15 vite me burg, ndërsa paraburgimi i paraparë është maksimum deri në 1 vjet pas ngritjes së aktakuzës. Prokuroria Publike Themelore ka ngritur aktakuzë kundër meje më 18 korrik të vitit 2016, dhe kanë mundur sipas ligjit të më mbajnë në paraburgim deri më 18 korrik të këtij viti. Por ishin “të mirë” dhe më lëshuan katër ditë më herët. Ishin të mëshirshëm. Pas 15 seancave të mbajtura arritëm diku deri në mes të procedurës kundër meje, dhe jemi larg deri të aktgjykimi parë. Nuk ju mbeti tjetër përveç t’më “përzënë” nga paraburgimi, dhe kështu ndodhi më 14.07 të këtij viti.
Rastësisht ose jo, ju keni dalur të mbroheni në liri pas ndryshimit të qeverisë? Si është marrëdhënia e juaj me qeverinë e re?
Nuk ka asnjë rastësi. Në përgjigjen e pyetjes së parë është një pjesë e përgjigjes së kësaj pyetje. Ishin të detyruar të më lëshojnë nga paraburgimi, por procesi po vazhdon. Tash jam nën masa të kujdestarisë, nuk kam dokument udhëtimi dhe paraqitem në gjykatën e Kumanovës për çdo të mërkurë. Me qeverinë e re kam raporte shumë korrekte.
Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev dhe nënkryetarja Frosina Remenski janë politikanët e parë ku unë në dekadën e pestë të jetës sime ia kam dhënë përkrahjen e plotë. Tash do bëhen 1 dekadë që unë i njoh dhe ndjeki dhe asnjëherë nuk i kam parë të gabojnë. I’u jap përkrahje edhe tani që janë në qeveri, dhe pres shumë nga ata dhe koalicioni. Me BDI-në kisha raporte jokorrekte, ndërsa momentalisht këto raporte nuk janë as miqësore, as armiqësore. Gjeneralisht, ky koalicion qeveritar e ka mbështjetjen e plotë nga ana ime, ama deri në momentin kur unë do ta kuptoj që po punojnë kundër ligjit dhe interesave të qytetarëve. Mbetem gazetar profesionist dhe jam i sigurt se nuk do t’i mbyll sytë nëse shoh që Maqedoninë po e pengojnë në rrugën drejt BE dhe NATO.
Cili ishte trajtimi juaj gjatë kohës së paraburgimit?
Si në Novi Sad ashtu edhe në Shkup kam pasur trajtim korrekt nga ana e drejtorisë së burgut. Për 770 ditë paraburgim askush, qoftë edhe shtrembët nuk më ka shikuar, askush nuk më ka ofenduar, dhe as që kam një gërvishje. Edhe në Serbi edhe në Maqedoni isha i vendosur në dhoma që i plotësojnë standardet, ashtu që nuk isha i maltretuar as për nga vendosja që është njëra nga metodat e keqtrajtimit që aplikohet. Dallimi ndërmjet paraburgimit në Novi Sad dhe Shkup
ishte në izolimin e ashpër që këtu në Shkup është aplikuar ndaj meje. Nuk guxonte të vinte askush tek unë përveç persona të caktuar si kontrollues dhe gardianë, pastaj 40 përqind e korrespodencës me shkrim deri te bashkëshortja ime dhe familja ishin të censuruara dhe të padorëzuara pa ndonjë shpjegim. Letrat shkojnë nëpërmjet gjykatës. Ata letra që shkonin ishin të lëshuara me vonesë nga dy apo tre muaj. Po ashtu në mënyrë të detajuar i kanë kontrolluar rrobat që në vizita i jepja familjes sime që t’i pastronin në shtëpi. Kërkonin nga unë mos vallë kam fshehur ndonjë letër në rroba. Lëshova dhjetë mesazhe dhe dy m’i kapën. Por sërish më nxitën në inat dhe unë gjeta mënyrën tjetër që nëpërmjet “telefonit të fshehur” t’i lëshojë 20 mesazhe. Gjithmonë dyshonin se po përcjelli mesazhe në të zezë, por asnjëherë nuk e kan zbuluar formën. Ata që më kanë ndihmuar të komunikoj me familjen gjithmonë e kanë rrezikuar vendin e punës.
Shpesh herë ju nëpërmjet rrjetit social facebook keni publikuar lajme të ndryshme, informacione, sekrete, materiale për persona të ndryshëm nga qeveria. Kjo ishte si pjesë e gazetarisë hulumtuese, ose keni bashkëpunuar me njerëz të shërbimeve sekrete?
Me shërbime sekrete nuk bashkëpunohet. Shërbimi sekret fillimisht ju ndjek nëse jeni i dobishëm dhe i sigurt për ta, pastaj ju rekruton dhe fillon bashkëpunimin e përbashkët. Për këto shërbime pastaj fitohet shpërblimi, privilegje, punësime dhe të tjera. Pas kësaj ju hyni në sistem nga i cili nuk mund të dilni përjetësisht. Unë nuk përshtatem me këtë sistem sepse parimisht në jetën time asnjëherë nuk kam takuar pjesëtarë të këtyre shërbimeve që është më intelegjent nga unë, që është autoritet për respekt dhe i cili do t’më garanton se do t’i plotëson kërkesat e mia maksimale që t’më fiton si bashkëpunëtorë. Është nënçmim për mendjen time të shëndoshë që t’më tërheq në shërbime sekrete një spiun budalla që nuk mundet ta kupton çka në fakt punoj, qëllimet e mia, cila është strategjia ime etj. Kështu mbeta i parekrutuar, dhe nuk hyra në bashkëpunim me asnjë shërbim. Supozoj që arsye për këtë është edhe mosdëshira për tu skllavëruar ndaj disa personave me vlera të rrejshme që do të kishin luajtur me mua, ashtu siç po luajnë me ata që janë pajtuar të bashkëpunojnë. Është aq e thjeshtë, unë kam 51 vjet, nga mosha 6 vjeçare jam me mediume, u rrita në radio Kumanova dhe gazetarinë e zgjodha për profesion. Kam një qëllim interesant: dëshiroja ta shoh si duket kur një gazetar hulumtues që në mënyrë joselektive publikon gjithçka që është e vlerësuar si interes i përgjithshëm, nuk shitet dhe nuk i takon askujt. Shtrenjtë më ka kushtuar kjo, ndoshta shumë shtrenjtë. Shtrenjtë i ka kushtuar edhe familjes sime, por nuk mundem kundër karakterit tim. Unë jam vetëm një gazetar i lirë dhe asgjë më shumë, ky është funksioni im më i lartë për të cilin kam luftuar përgjakshëm dhe nga kjo nuk do të tërhiqem asnjëherë. Jam i përzgjedhuri i vetvetes përjetësisht.
Sa është e gjërë lista e personave për të cilët pretendoni se posedoni materiale skandaloze?
Nga Sllovenia deri në Maqedoni, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, shumë e gjërë. Por, material nuk posedoj. Pjesa më e madhe janë të publikuara menjëherë, ashtu siç më janë dhënë në mënyrë integrale.
Ndërsa arkivën të cilën e posedoja, më është konfiskuar gjatë kontrollit policor në Novi Sad kur edhe më burgosën në nëntor të vitit 2013, para se të futem në paraburgimin ekstradues. Kompjuter, laptop, tablet, dy celularë dhe çantë e mbushur me dokumente që paraprakisht kanë qenë të skenuara dhe publikuara, sot e asaj dite gjenden në depot e gjykatës në Novi Sad. Kam vërtetime për lëndë të sekuestruara. Ata nuk janë edhe aq materiale skandaloze, aq sa janë dëshmi për keqpërdorime të pushtetit ekzekutiv nga ana e pushtetit të kaluar.
Si e vlerësoni zhvillimin e gazetarisë në Maqedoni në krahasim me shtetet e rajonit?
Maqedonia sipas zhvillimit të gazetarisë gjendet në epokën e gurit, Sërbia është edhe më keq. Të tjerat nuk e di si qëndrojnë, shumë kohë kam qenë i izoluar, por për këto dy shtete garantoj. Bëhet fjalë për mediume të kapura dhe të okupuara. Po edhe ata të cilat janë të lira, opozitare, nuk dijnë çfarë të bëjnë në lirinë e tyre. Është fatkeqësi që publikohet për çdo ditë, dhe zbulohet 10 përqindëshi e asaj që në të vërtetë po ndodh dhe askush nuk e publikon. Sikurse kënaqen t’i mbajnë qytetarët të painformuar. Në një farë forme këtu bashkëpunëtorë janë edhe qytetarët që bëjnë vetëvrasje duke i ndjekur këto antimedia të kapura që e bëjnë budalla edhe një të mençur. Maqedonia sërish ka votuar me përqindje prej 50 përqindëve për MPB DPMNE(e kam fjalën për VMRO-DPMNE), që tregon se nuk dëshirojnë as liri mediale as personale. Kështu që, mediumet janë ashtu siç janë njerëzit. Në Sërbi është edhe më keq, por për dikë paraqet rehati dhe nuk është e rëndësishme si shihet tek populli.
Dhe në fund, nëse Gjykata vendos me aktgjykim në favor tuajin, do të qëndroni për të jetuar në Maqedoni, apo do të ktheheni sërish në Sërbi?
Në atë moment kur do të ma kthejnë dokumentin e udhëtimit, do të kthehem në Serbi. Jetoj me gruan e dytë në Novi Sad nga viti 2011, atin vendi i përkas dhe jam shumë i respektuar. Bashkëshorten e kam shahiste, përveçse është profesoreshë e matematikës. Bota e shahistëve, mjeshtëria dhe rrethi i tillë është shoqëria jonë. Ndërsa shahistët janë njerëzit më të ndershëm në botë. Këtu nuk kam çfarë të pres dhe të kërkoj që nga viti 2007 kur më pështynin në rrugë dhe më ofendonin për shkak të përpjekjeve të mia që ta them të vërtetën për Toshe Proeskin(aksidentin nga i cili ndërroi jetë këngëtari më i njohur maqedonas) dhe 15 persona tjerë të vrarë dhe humbur rreth tij në mënyrë direkte dhe indirekte. Unë Maqedonisë nuk i duhem, këtë e kuptova që atëherë dhe në kohë ika, që t’i shpëtojë fëmijët e mi. Sot vajzat e mia janë njerëz të realizuar. Ndryshe, unë jetoj në Vojvodinën multietnike dhe multigjuhësore, që vetëm në formë nominuese dhe formale gjëndet në Serbi. Nga Novi Sadi deri në Beograd, dallimi është si hëna me tokën. Kur bëhet fjalë për aktgjykimin, mendimi im që nga shtatori i vitit 2013 është që aktgjykim nuk do të ketë, pasi që kur e hapën rastin “Spiuni”, dhe kur e lexova vendimin për ngritjen e procedurës, e kuptova që plotësisht e kanë gabuar. Nuk do të komentoj detaje në mënyrë që mos të ndikojë në gjykatësen e cila e udhëheq procedurën. Por, avokatja ime Lela Stojkovska ka disa “xhokerë” rezervë të cilat do ti nxjerrë nëse vjen deri në procedurën e provave dhe fjalët përfundimtare. Sërish vlerësoj se Prokuroria pas ndryshimit të Prokurorit Publik, Marko Zvërlevski do të fillon të marrë frymë lirshëm dhe do ta lexon ligjin ashtu siç duhet me ç‘rast do ta ndalojë procedurën kundër meje. Nëse ka të paktën një gjysmë dëshmie kundër meje, që në shkallën e parë, edhe atë në mungesë do t’më kishin gjykuar në vitin 2014, ndërsa kryeredaktori i TVSitel i afërt me pushtetin dhe spikerja e tij, Talevska atë gjysmëdëshmi do ta këndonin nga fillimi i programit, deri në fund. Por, që kur më sollën me dhunë dhe jashtëligjshëm, për 90 ditë hetim pa asnjë procedurë (prill-korrik 2016), u ballafaquan me faktin që rasti kundër meje është i porositur dhe motivuar politikisht.
Porositësi tani ka rrënë nga pushteti, ashtu siç e dimë, ndërsa fatkeqësisht është i rënduar me dhjetëra vepra të rënda penale kundër shtetit, dhe me njëzet kuti të plota me dëshmi.
Ai ka me dhjetëra procedura dhe aktakuza nga Prokuroria Speciale pas vetëm 45 përqind të bisedave të përgjuara, ndërsa unë vetëm një me tre akuza. Këtu mendoj në Nikolla Gruevskin, ish-kryeministrin e shtetit. /tesheshi.com/