Në kulmin e një krize për emërimet në Gjykatën Kushtetuese, ku tashmë kemi një luftë të hapur të presidentit Meta me ndërkombëtarët, aty ka rënë një tjetër “bombë”. Kolegji i Apelimit ka shkarkuar anëtarin e tij të Gjykatës Kushtetuese, Besnik Muçin, zgjedhjen e Metës nga vakancat e KED-it. Arsyeja ka qenë ajo e zakonshmja: mosjustifikimi i pasurisë.
“Provat e administruara konsiderohen se janë të mjaftueshme, prandaj Besnik Muçi nuk mund të gëzojë besimin e publikut për të qëndruar në detyrë. Muçi ka cenuar besimin e publikut dhe për pasojë vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit duhet ndryshuar. Për këtë arsye, trupi gjykues vendosi ndryshimin e vendimit dhe shkarkimin nga detyra të Besnik Muçit”, deklaroi Kolegji i Posaçëm i Apelimit.
Por ndërkohë, me argumentat e veta juridike, ky i fundit nuk e njeh vendimin.
Vendimi i sot nuk mund t’i shtrijë kompetencat mbi anëtarët e zgjedhur në anëtarët e Kushtetueses. Në momentin që kam bërë betimin e kam humbur statusin e prokurorit. Jam anëtarë i Kushtetuses. Kolegji i Apelimit nuk ka patur të drejtë. Ne momentin që ka përfunduar statusi im, unë nuk jam subjekt pasi ata nuk kanë kompetenca. E thotë qartë Kushtetuesja. Mbarimin e mandatit tim e thotë Kushtetuta, e konstaton Gjykata Kushtetuese me ndryshimet e fundit”, tha Muçi nën irritim.
Reagoi dhe Presidenca, po nën irritim, duke e përkthyer si gjithnjë politikisht këtëb zhvillim të fundit. “ZERO SURPRIZË nga vettingu i Partisë. Pas dështimit të rrëmbimit flagrant të Gjykatës Kushtetuese, rikthehet skenari për bllokimin e këtij institucioni nga të njëjtët aktorë që e bllokuan për tre vjet”. TURP! TURP! TURP!”, shkroi zëdhënësi Blushi. /tesheshi.com/