Nga José María Ridao*, El Pais
Marrëveshja drejt së cilës duket se po shkohet nga komuniteti ndërkombëtar për t’i dhënë fund konfliktit midis Izraelit dhe Hamasit, bazohet tek dy parime kryesore: largimi urgjent nga pushteti i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe fillimi i negociatave që do të çojnë në një zgjidhje me dy shtete për territorin e ish-mandatit britanik mbi Palestinën.
Por ndërkohë ka edhe një parim të nënkuptuar, i cili ka të ngjarë të diktojë evolucionin e konfliktit në muajt dhe vitet e ardhshëm: në kundërshtim me atë që kanë pretenduar Netanyahu dhe aleatët e tij, përfshirë sponsorët e Marrëveshjes së Abrahamit, aneksimi i plotë i Gazës, Bregut Perëndimor dhe Jerusalemit Lindor, të pushtuara pas luftës së vitit 1967, nuk do të çojë në “zhdukjen” e problemit palestinez.
Përkundrazi, ai do të thellojë më tej ndarjet politike, sociale dhe fetare që po e errësojnë të ardhmen e Izraelit. Vrasja e Isaac Rabin në vitin 1995, ishte një kambanë alarmi, por të cilën komuniteti ndërkombëtar si dhe opinioni publik izraelit, preferuan ta shpërfillnin për tre dekada, duke toleruar kolonizimin intensiv të territoreve të pushtuara në shkelje të plotë të ligjit ndërkombëtar.
Megjithëse udhëheqësit palestinezë janë fajësuar pa asnjë diferencim për vështirësitë në arritjen e një marrëveshjeje paqeje – një marrëveshje që pavarësisht nga natyra e saj, do të përmbajë gjithmonë një formë ndarjeje territoriale – e vërteta është se segmente të mëdha të shoqërisë izraelite refuzojnë të bëjnë lëshime si ato të propozuara nga Rabin dikur, që i pagoi me jetën e vet bindjet që kishte, duke u vrarë nga një kolon hebre i radikalizuar.
Që atëherë, pak ose gati asgjë s’ka ndryshuar në sjelljet bazike të Izraelit, përveç fakti që forcat që dikur qenë në periferi të sistemit politik, zënë sot një vend qendror, duke i polarizuar izraelitët, nga njëra anë, dhe nga ana tjetër duke bllokuar çdo lloj zgjidhje të negociuar të konfliktit me palestinezët.
Bazuar në kriteret demokratike minimale – pa llogaritur përgjegjësinë e operacioni ushtarak brutal që ka vrarë 34.000 palestinezë, ka shkatërruar spitale dhe infrastrukturën civile, dhe një uri për dy milionë civilë në Gaza – një lider si Netanyahu nuk mund të qëndronte në krye të asnjë qeverie.
Por besimi se rrëzimi i Netanyahut – nëse do të ndodhë – do të lejojë një ndryshim në politikën izraelite në raport me pushtimin dhe trajtimin e palestinezëve, nuk merr parasysh “bombën me sahat” që ka ndezur vetë Izraeli që nga viti 1967, kur nisi pushtimin.
Mesa dihet, qytetarët izraelitë e qortojnë Netanyahun se i ka kushtuar më shumë vëmendje problemeve të tij me sistemin e drejtësisë sesa detyrave të tij si kryeministër, duke filluar nga ruajtja e sigurisë së vendit. Por kur flitet mbi mënyrën se si ai po i kryen operacionet ushtarake në Gaza, dhe objektivin e tij për të eleminuar Hamasin, konsensusi është i gjerë, dhe debati i vetëm është nëse duhet të shpallet një armëpushim për të negociuar lirimin e pengjeve.
Por është pikërisht mënyra sesi Netanyahu po kryen operacionet ushtarake dhe qëllimi i tij për të shkatërruar Hamasin, ai që po e fut Izraelin në një rrugë pa krye. Në të njëjtin qorrsokak në të cilin u futën edhe Shtetet e Bashkuara duke i shpallur “luftë terrorizmit” pas sulmeve të 11 shtatorit 2001.
Që të dyja janë luftëra të përjetshme, luftëra që vazhduan pafund, jo sepse armiqtë zotërojnë një kapacitet të pashtershëm për rezistencë, por sepse ata që i shpallin ato e përcaktojnë fitoren në terma që e pengojnë atë të arrihet me mjete ushtarake. Në këtë mënyrë, i detyruan ushtritë që të ndjekin pafundësisht hijen e tyre.
Përmes mjeteve ushtarake, Izraeli mund të poshtonte të gjithë Gazën, por vetëm nëse do të dinte se çfarë të bënte më pas me territorin dhe banorët e saj. Nga ana tjetër, asgjësimi i Hamasit është një synim i paarritshëm, sepse për sa kohë që edhe vetëm një nga militantët e organizatës kryen një sulm dhe e merr përgjegjësinë në emër të Hamasit, atëherë lufta nuk do të ketë përfunduar.
Për këtë arsye, Netanyahu dhe aleatët e tij ngurrojnë të shpallin ndonjë armëpushim, qoftë edhe në përgjigje të thirrjeve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së apo kërkesave të familjeve të pengjeve, të cilët duan të negociojnë lirimin e tyre. Për Netanyahun dhe aleatët e tij, armëpushimet janë fitore të pjesshme për Hamasin, pasi ato e detyrojnë Izraelin që të njohë grupin, duke forcuar politikisht një armik që ata kërkojnë ta asgjësojnë ushtarakisht.
Edhe duke supozuar se Netanyahu nuk do të jetë më kryeministër, dhe madje duke supozuar se pasardhësi i tij i mundshëm eventual dëshiron dhe është në gjendje të shpallë fundin e luftës, Izraeli është ende përballë perspektivës së zymtë të ndarjes së brendshme.
Deri më sot, qeveritë e njëpasnjëshme të Izraelit kanë lejuar gjysmë milionë kolonë hebrenj të vendosen në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor. Që nga vrasja e Rabin, forcat politike i kanë përdorur këta civilë të armatosur për të penguar çdo lloj vendimi që mund të çojë në një lëshim territorial në favor të palestinezëve.
Në këto kushte, a është e mundur të imagjinohet, në një periudhë afatshkurtër apo afatmesme, një qeveri izraelite që ka shumicën parlamentare dhe konsensusin social për të adresuar zgjidhjen me dy shtete dhe shpërbërjen e vendbanimeve në zonat palestineze?
Nëse këtë gjë përpiqet ta bëjë një qeveri e re, a do të arrijë në një pikë pa kthim përçarja politike, sociale dhe fetare e nxitur qëllimisht nga Netanyahu dhe aleatët e tij? Për më tepër zgjidhja e konfliktit përmes krijimit të dy shteteve, kufizohet në kujtimin – me një vonesë tragjike 76-vjeçare – të nevojës për të respektuar Rezolutën 181 me të cilën Kombet e Bashkuara ndanë ish-protektoratin britanik të Palestinës midis pionierëve sionistë dhe banorëve vendas.
Siç ndodh gjithmonë në Lindjen e Mesme, pyetja kryesore është “Çfarë duhet bërë?”. Këtë herë përgjigja varet vetëm nga izraelitët. Konkretisht, tek vendimi që ata marrin se në cilin vend duan të jetojnë, dhe si duan të jetë natyra e shtetit të tyre.
A mund të vazhdojnë pushtimin dhe vendbanimet duke injoruar të drejtat më elementare të palestinezëve, duke shkelur ligjin ndërkombëtar, dhe duke akuzuar çokënd si antisemit nëse thotë se sulmet e tyre në Gaza i tejkalojnë shumë kufijtë e vetëmbrojtjes legjitime? Ndërkohë, nuk ka më kohë as për palestinezët, pasi ata vazhdojnë të vdesin çdo ditë nën bombat që janë një shfaqje e turpshme e forcës nga ana e Izraelit. Por koha po mbaron edhe për izraelitët, të cilët janë gjithnjë e më të përçarë pasi Netanyahu dhe aleatët e tij, duke u përpjekur që të imponojnë një zgjidhje që nuk është zgjidhje, po këmbëngulin në luftën e tyre të pafund, e cila kërcënon tani të përfshijë të gjithë rajonin dhe madje të përshkallëzohet edhe më tej.
*José María Ridao është një shkrimtar dhe diplomat spanjoll.