Ben Blushi i përgjigjet me ‘Jo” ftesës së bërë nga Partia Demokratike që t’i bashkohet protestës së opozitës. Ai tha sot se i uron suksese kësaj proteste në garantimin e standardeve më të mira zgjedhore, por ai nuk gjen vend në çadrën e ngritur nga Sali Berisha.
“Protesta është e partisë demokratike dhe unë i uroj dy gjëra; e para të mos kalojnë në dhunë në ditët që vijnë dhe e dyta; i uroj sukses që të arrijnë të garantojnë standardet e domosdoshme zgjedhore. Nëse protesta, e theksoj e e Partisë Demokratike, arrin të garantojë standarde më të mira zgjedhore shumë kush prej nesh, përfshirë dhe mua, do të duhej ta falenderonim. Por ajo nuk është protesta ime dhe në çadrën e Sali berishës nuk ka vend për mua”- u shpreh Blushi sonte gjatë një bashkëbisedimi me studentë dhe pedagogë të Universitetit Europian të Tiranës.
Blushi sqaroi arsyet pse iku nga Rilindja dhe planet që ka me partinë e tij të re LIBRA për të përfshirë në lista njerëz të zakonshëm. Ai e konsideroi parlamentin aktual jo vetëm të inkriminuar, por dhe si parlamenti më injorant që nga koha e Zogut. Duke akuzuar ish-partinë e tij se ka futur deputetë me të shkuar kriminale në Kuvend, ai tha se qeveria vazhdon t’i mbrojë sërish ata dhe pse kanë dalë nga Kuvendi dhe se janë pikërisht këta njerëz që po mbledhin vota apo vendosin se çfarë bëhet me pushtetin në zonat e tyre.
“Ky është një karikaturë e parlamentit që duhet të kishim në fakt, për shkak se shumë njerëz të papërshtatshëm edhe për një emergjencë elektorale që partitë kanë pasur në vitin 2013, pra nevoja për të marrë pushtetin me çdo kusht dhe me çdo çmim, futën në listën e tyre njerëz që komuniteti e di që ishin problematik dhe me rekorde kriminale, por në vitin 2013 për shkak të një emergjence, sytë u mbyllën dhe ata u futën në parlament duke u fshehur pas një sistemi zgjedhor, i cili të jep mundësinë të votosh për një parti pa e ditur kush është pas kësaj. Kështu ndodhi që më se 10 apo 15 njerëz parlamentarë, që në fund të ditës është 10% e parlamentit sot, ose rezultuan që ishin njerëz që kishin trafikuar qenie njerëzore, ose kishin vrarë personalisht, ishin marrë me trafik droge dhe në proçes e sipër u skualifikuan megjithëse me shumë rezistencë, rezistenca për fat të keq vazhdon t’i mbrojë, ka një tentativë reale nga ana e qeverisë për t’i mbrojtur këta njerëz. Por çështja është se kjo nuk mbaron këtu, ka shumë njerëz që dolën nga parlamenti për shkak të rekordeve kriminale që kishin, janë akoma njerëz të rëndësishëm në zonat ku ata kishin bërë fushatë, pra mund të jenë jashtë parlamentit, por ata po vendosin kush do jetë kush, kush do jetë prefekt, kush do i zëvëndësojë, kush do jetë kryetar bashkie, kush do futet në administratë, kush do jetë drejtor spitali, kush do jetë drejtor shkolle, fuqi të cilën ja jep sistemi, ose më saktë ata që i futën në parlament. Unë dyshoj se edhe për disa vite, ky proçes dekriminalizimi nuk do shkojë dot deri në fund, ka akoma njerëz që akoma po mbledhin votat për zgjedhjet e ardhshme për qeverinë, edhe ndoshta për forca të tjera politike, që do të thotë që fuqia e tyre administrative do të vazhdojë”.
I pyetur nëse do të ishte më rehat politikisht dhe do të kishte më shumë sukses po të kishte luftuar në një parti të madhe siç është PS-ja Blushi u mjaftua me një paralelizëm letrar; “dekori nuk t’i rrit përmasat. Një mace do të dukej e vogël dhe me një stadium në sfond, ndërsa luani mbetet një luan edhe po të ishte para një muri”.
Blushi ishte pesimist në parashikimin e tij për të ardhmen duke thënë se ky sistem politik do të dështojë shumë shpejt dhe se lëvizjet populiste anti-sistem do të marrin formë dhe do të shkojmë drejt një ndryshimi radikal.
“Unë nuk jam populist, më akuzojnë se jam moralist po kjo nuk prish punë. Po unë mendoj se sistemi aktual po shkon drejt dështimit. Janë rreth 30-40 për qind e votuesve që nuk besojnë dhe nuk votojnë asnjë parti. Në 4-5 vitet e ardhshme do të dalë një parti e tyre, nuk e di a do të jetë LIBRA, që do të jetë populiste dhe do të jetë kundër këtij sistemi që kemi sot. Kurba e Drejtësisë dhe kurba popullore do të takohen në një pikë dhe do t’a shkrijnë këtë klasë politike që kemi sot, e cila defektin më të madh ka raportin me ligjin, është jashtë ligjit, se kap ligji”. /tesheshi.com/