Nga Apollonia, atje ku ishte në kuadër të përfundimit të punimeve për rikonstruksionin e Parkut Arkeologjik, kryeministri Rama tha se opozita duhet të heq dorë nga bllokimi i rrugëve.
“Është koha për ta zhbllokuar këtë rrugë dhe jo për të bllokuar rrugët e Shqipërisë; nuk është koha për të bllokuar njerëzit që duan të lëvizin lirisht në rrugët e vendit, nuk është koha për të bllokuar njerëzit që kanë punë, fëmijët, nxënësit, studentët, gjyshërit, gjyshet, mallrat, që janë gjaku i ekonomisë tonë çdo ditë, por është koha për të hapur përfundimisht rrugën e të bërit një shtet modern, demokratik dhe europian, ku secili në rrugën e vet duhet të jetë i garantuar në konkurrencë dhe i vlerësuar sipas meritës”, u shpreh Rama.
Ndërkohë, që në orët e para të mëngjesit, shefi i mazhorancës publikoi një status në fb shoqëruar me foton e një policeje, duke shkruar:
“Mirënjohje dhe respekt për çdo punonjës të Policisë së Shtetit, që me përkushtimin dhe profesionalizimin e saj apo të tij, ka bërë të mundur kthimin e besimit të qytetarëve tek uniformat blu. Shumë është bërë. Ende më shumë mbetet për t’u bërë. Por, edhe shumë ka për të humbur nëse ndalemi sot. Prandaj, përpara për #ShqipërinëQëDuam”, thuhet ndër të tjera në mesazhin e kryeministrit. /tesheshi.com/