Nga Bashkim Kastrati
Blerim Mazreku është njëri nga basketbollistët më të suksesshëm në Kosovë. Ai është i gjatë 206 centimetra dhe e dominon shpesh parketin. Ka luajtur për disa skuadra të Kosovës, ndërsa së fundi ka është shpallur kampion i Ligës Ballkanike dhe asaj të Kosovës me Sigal Prishtinën.
Ai gjatë një interviste për tesheshi.com tregon për përvojën e tij në Ligën Ballkanike, sfidat dhe suksesin të cilin e konsideron historik. Flet edhe për gjeneratat e reja në basketbollin vendor duke u shprehur i pakënaqur që nuk po prodhohen talente të ri në basketboll, ndërsa thotë se aktualisht pritet nga disa lojtarë që janë zhvilluar jashtë Kosovës që të janë bartës të lojës dhe suksesit të përfaqësueses së Kosovës në garat ndërkombëtare. Mazreku thotë se duhet punuar shumë me gjeneratat e reja për të korrur sukseset pas disa viteve dhe nxjerrja e lojtarëve të mirë brenda Kosovës do të ndikonte në forcimin e kampionatit e rrjedhimisht edhe në paraqitje të mira në gara ndërkombëtare. Blerim Mazreku njihet edhe di besimtar dhe praktikues i fesë islame. Ai tregon edhe për vështirësitë që ka pasur nganjëherë në praktikimin e fesë krahas aktiviteteve sportive, si p.sh gjatë kohës sa ka qenë duke agjëruar dhe rastet se si vepron kur namazi është në kohën kur zhvillohet ndonjë lojë.
Si e vlerësoni sezonin që shkoi në aspektin e të arriturave personale, por edhe si klub?
Ky ishte sezoni me shumë sukses edhe për mua si basketbollist, por edhe për ekipin e Sigal Prishtinës, sidomos vendi i parë në Ballkan Ligë, ku patëm paraqitje të mira, arritëm rezultate të mira dhe treguam cilësi në çdo lojë. Rezultatet që kemi arritur në këtë garë dhe shpallja kampion i kësaj lige në pjesëmarrjen e dytë, tregon suksesin shumë të madh si klub, si lojtarë si shtet. Kjo është historike.
A konsideroni që ishte një përvojë e mirë për ju dhe bashkëlojtarët tuaj që keni marrë pjesë për herë të dytë në Ligën Ballkanike?
Po ishte një përvojë shumë e mirë për të gjithë ne si lojtarë. Pra e kemi provuar vetën në Ligën Ballkanike dhe ka qenë një mundësi shumë e mirë që ta dimë se ku jemi me cilësi. Me lojën që kemi treguar në parket dhe me rezultatet që kemi arritur besoj që me shumë sukses ja kemi dal.
Kosova është pranuar me të drejta të plota në FIBA, a jemi të gatshëm që si përfaqësuese të përballemi me përfaqësuese që tashmë janë pjesë e garave eliminatore?
Nuk e di a do të merr pjesë Kosova në eliminatorët e radhës, këtu e dinë Federata e Basketbollit të Kosovës më së miri. Për ne do të ishte shumë e rëndësishme njëherë vetëm pjesëmarrja, e pastaj të shohim ku jemi për nga përgatitja dhe cilësia, e pastaj të përgatitemi si duhet si përfaqësuese në të ardhmen.
Dihet se disa nga lojtarët kryesor të Kosovës janë në prag të përfundimit të karrierës aktive në basketboll, çka po mbetet mbrapa, a kemi gjenerata të reja që mund t’i zëvendësojnë denjësisht?
Jemi disa lojtarë apo të them shumë pak që tani jemi në prag të përfundimit të karrierës, nuk di çka do të mbetët mund të mos ketë lojtarë shumë cilësorë apo të na zëvendësojnë. Mirëpo mund të ketë që do të jenë edhe më të mirë se sa ne që jemi aktualisht. Pra të presim gjeneratat që janë jashtë vendit se çka do të bëjnë në të ardhmen, shpresoj të ketë lojtarë të mirë.
Viteve të fundit nuk kemi dëgjuar se ka dalë dhe shpërthyer ndonjë talent i ri në basketboll, sa është mangësi kjo për përfaqësuesen e Kosovës, por edhe për kampionatin në përgjithësi?
Lojtarë dhe talent të mirë në Kosovë që luajnë nuk ka, janë shumë të dobët dhe si gjeneratë mund të del dikush, por jo kualitet. Unë pres prej lojtarëve që janë jashtë Kosovës, siç janë Kenan Spahia, Gëzim Morina e disa të tjerë që këta djem të arrijnë shumë dhe në të ardhmen të përfaqësojnë denjësisht Kosovën në gara të ndryshme jashtë vendit.
Çka duhet të bëhet që në Kosovë të prodhohen talente të ri në basketboll dhe që edhe gjeneratat e reja të vazhdojnë me suksese edhe në ngritjen e nivelit të basketbollit në Kosovë?
Aktualisht na mungojnë shumë gjera për të nxjerrë talente të ri. Në këtë drejtim, duhet punë shumë e madhe, shumë mund, shumë disiplinë, e që fatkeqësisht tani aktualisht nuk i kemi.
Feja, më e rëndësishme se loja e basketbollit
Të flasim pak në aspektin personal, por që lidhet domosdo edhe me aktivitetin tuaj si sportist. Ju njiheni si praktikues i fesë Islame, a mund të na tregoni a keni pasur ndonjë vështirësi fillimisht për të praktikuar fenë kur keni qenë në stërvitje dhe aktivitete tjera sportive?
Në përgjithësi mirë kam kaluar nuk kam pasur ndonjë vështirësi. Ndonjëherë ka ardhur vështirësia, por i kam tejkaluar. Kam pasur dhe kam respekt vazhdimisht edhe nga klubet ku luaj edhe nga bashkëlojtarët.
Si veproni në rastet kur namazi mund të ju ketë rënë gjatë kohës sa zhvillohet një lojë, a ke mundur ta falësh në pauzë apo e ke zëvendësuar më vonë?
Nëse namazi është në kohën e lojës e shikoj sa kam kohë mes namazit që hyn koha dhe tjetrit që vjen pas tij dhe e shfrytëzoj kohën në mes që ta fali namazin, qoftë në pauzë, qoftë në fillim të lojës. Namazin duhet falur nuk ka tjetër.
Është raportuar se keni luajtur edhe kur keni qenë duke agjëruar, a është e vështirë një gjë e tillë që të luash në ndeshje apo edhe të bësh stërvitje duke qenë agjerueshëm?
Po më ka ra të luaj me agjërim. Normal është më vështirë, por me bindje të fort tejkalohen të gjitha. Ndërsa sa i përket stërvitjeve, kemi zakonisht dy herë në ditë dhe më ka rënë që të jem duke agjëruar. Nëse ke aktivitet sportiv dhe je duke agjëruar është më vështirë kuptohet, por obligimi është në rëndë të parë, e pastaj loja e basketbollit.
Cilat janë ambiciet e Klubit të Prishtinës për sezonin e ardhshëm në garat vendore dhe ato ndërkombëtare?
Për ambiciet e klubit nuk di ende asgjë konkrete dhe të detajuar pasi që nuk kem folur me klubin, mirëpo dihet se Prishtina gjithmonë ka ambicie të mëdha në çdo garë që merr pjesë edhe në garat vendore edhe në garant ndërkombëtare. /tesheshi.com/