Richard Lukaj është një emër i njohur në Amerikë. Djali me prindër shqiptar është sot drejtor i lartë menaxhues i “Bank Street Group” dhe këshilltar i bordit kombëtar të “Qendra Truman për Politikat Kombëtare”. Nëse dëgjon historinë e jetës së tij të duket sikur po shikon një film, por nga ai me fund të lumtur, që paçka vështirësive, në fund arrin të ndërtojë një jetë të bukur, por edhe shumë të zënë në të njëjtën kohë.
Familja e tij, pas një eksperience emigrimi në Itali (ku ka lindur edhe Richard-i) udhëton drejt Amerikës në vitet ’70 kur Lukaj ishte ende fëmijë. Vështirësitë ishin të mëdha, por dëshira për t’ia dalë me çdo kusht e bën familjen e tij, por edhe atë vetë të kuptonte se sa të rëndësishme ishin studimet dhe puna. Ai mendonte vetëm duke patur disiplinë në jetë dhe familje mund t’ia dalësh. Dëshiron shumë që t’i ngjajë babait.
“Ai ishte i palëkundur dhe rrallë humbiste durimin”, tregon Richard-i për të atin.
Ndërsa për vete thotë se: “shumë rrallë e ngre zërin tim dhe shpresoj që të jem në gjendje të imitoj gjeneratën e babait tim, duke e bërë jetën më të mirë rreth nesh dhe jo vetëm duke u ankuar për atë që nuk kemi”.
Për të jeta në Amerikë nuk ka rrjedhur vaj, sidomos në fillimet e tij, por tashmë gjithçka është kapërcyer dhe duket se pika e tij e dobët është Shqipëria. Një javë më parë, kryeministri Edi Rama gjatë vizitës së tij zyrtare në New York, ka darkuar në familjen e biznesmenit Lukaj.
Ai është bashkëshort i një gruaje nga Devolli i Korçës dhe sëbashku kanë dy vajza, tashmë zonjusha. Për të janë pasuria më e madhe në jetë. Më poshtë ju sjellim intervistën e Richard Lukaj për gazetën Dita.
-Zoti Lukaj, vetëm një foto familjare me kryeministrin Rama dhe emri juaj qarkulloi në të gjitha mediat në Shqipëri? Përse u takuat me kryeministrin?
Ky takim ishte një vazhdim i takimit tonë të fundit në Tiranë. Unë e njoh kryeministrin dhe paraardhësit e tij për shumë vite dhe e kam bërë zakon të takohem me udhëheqjen institucionale kur vizitoj rajonin sa herë që është e mundur, pasi jam angazhuar me zhvillimet në të gjithë rajonin për më shumë se dy dekada. Gjatë takimit tonë në Tiranë, ne u dakorduam që do të përpiqeshim të takoheshim përsëri kur delegacioni shqiptar të vizitonte NYC-në gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Ne donim të flisnim më tej në lidhje me një sërë temash, duke përfshirë kreditë jo-performuese në sistemin bankar, shqetësimet se si konsolidimi i industrisë në një vend të vogël mund të ndikojë në treg dhe veçanërisht për të diskutuar mbi gjendjen e arsimit dhe zhvillimin e saj në Shqipëri. Një numër i kolegëve/shokëve të mi dhe unë, do të dëshiroja të shihja krijimin e një produkti arsimor të Universitetit të akredituar ndërkombëtar për të mundësuar dhe avancuar zhvillimin afatgjatë ekonomik të vendit duke krijuar një forcë pune dhe shoqëri civile më të arsimuar. Unë shpresoj se z. Rama dhe të tjerët në qeveri do ta mbështesin këtë nismë dhe do të punojnë me ne për të realizuar këtë qëllim më të denjë.
-Po ashtu pati media të cilat takimin tuaj e lidhën me faktin se ju së bashku me bashkëshorten e zotit Rama jeni anëtarë të bordit në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri. Si është e vërteta?
Së pari, kur u dakordova të bashkohem me bordin e ABI, e cila është në pronësi të NCH Capital (fond investimesh në SHBA përmes një juridiksioni efikas të taksave), pranova ta bëja këtë pa dijeninë se zonja Rama më vonë do të bashkohej gjithashtu. Ne ishim të ratifikuar nga autoritetet bankare qendrore, por në takimin tone të parë të bordit ku ne të dy morëm pjesë, unë u impresionova me kontributin e saj në diskutimet e bordit dhe nuk e kisha idenë se ajo ishte gruaja e kryeministrit. Ishte më vonë, kur shtypi po e sulmonte për arsye të panjohura e kuptova lidhjen e saj familjare. Duke thënë këtë, unë nuk jam në dijeni për ndonjë çështje të ngritur lidhur me shërbimin e saj në bord dhe për këshillimin e kompanisë; përkundrazi, znj. Rama është duke e kryer detyrën në bazë të aftësive më të mira të saj.
Nuk kishte diskutim gjatë darkës sonë në shtëpinë time për ndonjë çështje të bankës ABi, përpos asaj që i kujtonim komentet satirike të kolegut tonë të përbashkët Andi Ballta. Për të qenë i qartë, unë nuk jam zyrtar apo aksioner i bankës dhe si i tillë, nuk kam autoritet të kryej biznes në emër të bankës. Unë jam vetëm një drejtor i pavarur duke pasur parasysh interesat e aksionerëve dhe duke ofruar këshillë sa më të mirë në bazë të aftësive të mia. Shpresoj që në fakt mund të krijojmë një institucion financiar më të madh dhe të rëndësishëm, pasi që kjo mund të krijojë një mjedis më të mirë bankar në Shqipëri, por ABi është ende një nga bankat më të vogla në Shqipëri, megjithëse është duke përparuar pasi që fondi amerikan bleu biznesin nga francezët.
-Pas këtyre akuzave ju dhatë një shpjegim për miqtë tuaj në rrjetet sociale. Por përpos të tjerave thatë se jeni të gatshëm për të investuar apo për të sjellë investitorë në Shqipëri. Për çfarë bëhet fjalë konkretisht?
Predispozitat që kam treguar për pjesën më të madhe të jetës sime madhore, kanë kontribuar në propozime të shumta të rëndësishme gjatë viteve, duke përfshirë disa nga figurat udhëheqëse në bashkësinë tonë shqiptare dhe investitorët më të sofistikuar institucional botërore. Shpresoj të vazhdoj të promovoj investimet në Shqipëri dhe një ditë të bëj investim të suksesshëm në rajon, por nuk mendoj se është e domosdoshme. Jam në rregull të vazhdoj të punoj në pjesët tjera më mikpritëse të botës në ndërkohë, por shpresoj që territoret shqiptare të evoluojnë për të lejuar individë si unë të investojnë me konfidencë në sistem.
-Përse nuk keni investuar më parë?
Sepse nuk kam mundur të operoj ndonjë biznes në mjedisin e biznesit ku do të isha konfident në investimet e mia.
-E ndiqni aktualitetin në Shqipëri?
Me interes të madh ndjek progresin dhe zhvillimet në Shqipëri.
-Çfarë i duhet Shqipërisë për të qenë një vend me ekonomi të mirë?
Për një Shqipëri më të avancueshme, njerëzit duhet t’i japin përparësi arsimit para së gjithash. Atë që bën më së shumti Shqipëria është ndjekja e furishme e objektivave afatshkurtra, por pa konfidencë në një të ardhme më të ndritshme dhe të ardhme të pashmangshme afatgjatë. Udhëheqësit e kombit duhet të frymëzojnë njerëzit që të ndjekin ligjet dhe të investojnë në një të ardhme më të ndritur për prosperitetin e tyre kolektiv.
-Cilat janë raportet tuaja me politikanët shqiptarë?
Unë besoj që mbaj raport të duhur dhe të hapur me shumicën e liderëve të rëndësishëm në të gjithë rajonin me të gjitha bindjet politike dhe me figurat më të shquara të shoqërisë civile. Duke pasur parasysh orarin tim të çmendur të përditshëm, më vjen keq që nuk kam më shumë kohë për të shpenzuar në rajon, por unë kam qenë i nderuar që gjithmonë të kem një derë të hapur në çdo zyrë ku kërkova takim. Kjo nuk do të thotë që unë gjithmonë i lashë këto zyra i kënaqur me atë që kam dëgjuar ose mësuar, por e vlerësoj ndërveprimin konstruktiv edhe kur nuk jemi dakord.
-Çfarë mendimi keni për Sali Berishën, Edi Ramën dhe Ilir Metën?
I respektoj ata si udhëheqës të zgjedhur nga populli midis shumë liderëve të tjerë në Shqipëri dhe gjithë rajonin, dhe gjithashtu do t’i respektoj edhe të tjerët që do të pasojnë dhe ndërtojnë mbi arritjet e tyre në të ardhmen.
-Z. Lukaj, ju jeni shqiptar, por keni lindur në Itali, cila është lidhja juaj me Shqipërinë, kur keni ardhur për herë të parë këtu?
Gjyshi im u largua nga regjimi i ashpër komunist i Shqipërisë dhe babai im u arratis nga regjimi diskriminues i ashpër anti-shqiptar i Jugosllavisë, por unë ndjeva një lidhje të ngushtë me atdheun tim, ashtu si edhe fëmijët e mi me të njëjtin intensitet. Fillova të vizitoj rajonin në një moshë shumë të re, por nuk munda ta vizitoj Shqipërinë deri në fillim të mesit të viteve ’90, kur udhëtova për herë të parë me vëllain tim.
-Po në Amerikë kur keni shkuar?
Prindërit e mi emigruan së pari në Itali (ku kam lindur) dhe më vonë në SHBA ku kam ardhur si djalë i ri.
-I mbani mend vështirësitë e para, si ka qenë për ju?
Natyrisht, por gjithmonë isha mirënjohës për atë që kishim dhe më pak i shqetësuar për atë që nuk kishim. Unë mbetem optimist dhe i kënaqur në këtë mënyrë edhe sot. Po ashtu shoh territoret shqiptare me të njëjtin lens. E admiroj me dashuri të madhe Shqipërinë dhe njerëzit e saj, dhe mbetem optimist se do të kalojnë sfidat dhe ditët më të mira do të jenë gjithmonë përpara.
-Flisni mirë shqip, si e keni ruajtur gjuhën tuaj?
Unë nuk e ruajtja, pasi në të vërtetë nuk flisja shqip deri në moshë madhore dhe në të vërtetë unë ende mësoj. Shpresoj të përmirësoj aftësitë e mia që një ditë të jem në gjendje të shkruaj historinë time të jetës në gjuhën shqipe. Po punoj edhe për të hapur shkollën shqipe pranë shtëpisë sime për komunitetin tim të zonës, duke përfshirë edhe fëmijët e mi, kështu që edhe ata mund të mësojnë të lexojnë, të shkruajnë, të kërcejnë dhe të kënaqen duke qenë shqiptarë po aq sa unë.
-Z. Lukaj, sa e vështirë është për emigrantët shqiptarë që të integrohen në Amerikë?
Shumë, shumë e vështirë, sidomos nëse nuk janë të arsimuar. Gjithashtu është e vështirë për ata që integrohen dhe asimilohen plotësisht pasi që disa e humbin identitetin e tyre etnik dhe më bën të trishtohem që njerëzit të humbasin bukurinë e identitetit të tyre etnik.
-Sa funksional dhe i organizuar është komuniteti shqiptaro-amerikan në SHBA?
Në kohë të nevojave të mëdha, komuniteti ynë shkëlqen më mirë se çdo tjetër! Ne kemi demonstruar se mund të arrijmë të pamundurën. Për fat të keq në kohë jo-krize, komuniteti ndahet dhe është më pak i koordinuar, duke pasqyruar ndarjet në rajon.
-Si shihet Shqipëria nga SHBA, nuk flas vetëm qeverinë amerikane, por dhe për njerëzit e thjeshtë. Sa e njohin vendin tonë?
Shqipëria është ende një mister mistik me disa nuanca të frikshme për shumicën. Gjithashtu shqiptarët keqkuptohen shpesh, por me kalimin e kohës ky imazh do të përmirësohet.
-Në Shqipëri, sa herë që hapet aplikimi për Lotarinë Amerikane ka një numër të madh njerëzish që aplikojnë dhe e ëndërrojnë token e premtuar. Pse e duam kaq shumë Amerikën, në këndvështrimin tuaj?
Thjesht për shkak se familjet shqiptare që erdhën në Amerikë, kanë arritur dhe janë bërë pjesë e admirueshme e shoqërisë amerikane. Disa do të donin të ndiqnin këtë shembull, por nuk mund të vlerësojnë plotësisht sakrificat që duhen bërë. Disa kanë ardhur përmes lotarisë dhe kanë lulëzuar, por shumë të tjerë ende përpiqen të rimarrin veten dhe të arrijnë deri në nivelin e jetesës që lanë pas në Shqipëri.
-Thonë shpesh që shqiptarët dallohen për nga karakteri, temperamenti… ju keni ndonjë tipar dallues, tipik shqiptar, ndoshta, gjaknxehtë për shembull, apo diçka tjetër…?
Figura ime atërore shqiptare nuk ishte si perceptimi juaj i stereotipeve të shqiptarëve. Ai dhe shumica e miqve të tij ishin gjakftohtë, të palëkundur dhe rrallë humbisnin durimin. Shumë rrallë ngre zërin tim dhe shpresoj që të jem në gjendje të imitoj gjeneratën e babait tim, duke e bërë jetën më të mirë rreth nesh dhe jo vetëm duke u ankuar për atë që nuk kemi.
-Si është një ditë e juaja sot, si nis dhe si mbaron ajo?
Fillon shumë herët, e mbushur me aktivitete të llojllojshmëri të ndryshme dhe mbaron shumë vonë kur i shtjelloj mësimet e ditës dhe planifikoj të nesërmen. Pastaj ri-mbushem me gjumë dhe filloj një ditë tjetër duke pritur që gjërat të shkojnë edhe me mirë.
-Dimë që bashkëshorten e keni nga Devolli i Korçës, si jeni njohur më të?
E takova kur ajo u zhvendos për herë të parë në NYC dhe të dy zgjodhëm të merrnim pjesë në një mbledhje fondesh për kosovarët gjatë luftës me Serbinë. Kështu e kishte fati.
-Ju jeni edhe baba i dy vajzave, si i keni marrëdhëniet me to dhe a ju mungon një… djalë?
Dikur në rininë time të papjekur mendoja se një djalë ishte e domosdoshme, por meqenëse jeta më ndihmoi të rritesha, nuk mund të imagjinoj që kam nevojë për diçka më shumë se sa dashuria që kam nga bijat e mia. Unë jam i kompletuar në përqafimet te tyre dhe nuk kam asnjë plan për më shumë fëmijë.
-E viziton shpesh Shqipërinë dhe çfarë ju bën përshtypje sa herë që vini këtu?
Gjithmonë mahnitem se sa rehat ndihem në shtëpinë time larg shtëpisë sime dhe e vlerësoj se sa gëzim marr nga gjërat e thjeshta të jetës këtu. Unë lutem që jeta do të më lejojë më shumë kohë në rajon, pasiqë edhe orari im ngadalësohet me kalimin e kohës.
-Çfarë do i këshillonit një njeriu, vajze apo djali, që dëshiron të futet në botën e biznesit?
Mësoni dhe vazhdoni të mësoni. Asgjë nuk qëndron konstante në biznes, gjithnjë ndryshon. Më e rëndësishmja është të mësoni etikën dhe moralin përpara se të hyni në botën e biznesit, përndryshe ju vetëm do ta përhapni mjerimin tuaj.
-Sa të ndershëm janë biznesmenët pasi shpesh i krahasojnë me mashtruesit?
Varet se kë e quan biznesmen. Unë nuk i quaj kriminelët biznesmenë, ndërsa mediat shpesh janë më fleksible në rajon. Sikurse jo të gjithë figurat politike janë politikanë, disa janë thjesht kriminelë.
-Z. Lukaj, ju keni arritur shumë çka në jetë, jeni një njeri i suksesshëm, keni një familje të shëndetshme, jeni i lumtur?
Natyrisht, por ende mbetem ambicioz dhe mbaj aspirate më të larta.
-Çfarë duhet të bëjmë në jetë, atë që duam apo atë që duhet?
Shpresoj që jeni të bekuar për të bërë të dyja.
-Jeni ndjerë ndonjëherë i lodhur nga jeta që bëni?
Sigurisht. Ashtu si të gjithë të tjerët nganjëherë jeta na ngreh poshtë dhe kemi nevojë të ndalohemi. Kjo do të thotë se është koha për pushime.
-Çfarë ju tremb apo nga se keni frikë?
Nuk kam asgjë për t’u frikësuar në të vërtetë dhe kujdesem të mos bëj gabime që nuk korrigjohen lehtë, gjithashtu e pranoj se nuk jam perfekt, por kurrë nuk pushoj të përpiqet të jem.
-Jeni cilësuar si “magjistari” i Wall Street, duke mbetur një nga menaxherët më të rinj të një rangu aq të lartë. Si ju bën të ndiheni ku fakt?
Kurrë nuk mendoj për artikuj të tillë jo-serioz që janë dukshëm “ndriçues” për të shitur gazetat. Unë e njoh veten. Punoj shumë, dhe jam po aq mirënjohës për fatin e mirë që jeta më ka ofruar. Besoj se karakteristika më e rëndësishme për suksesin tim ka qenë besueshmëria dhe besimi.
-Z. Lukaj, sa i pasur ndiheni?
Jam i bekuar me shumë pasuri shpirtërore, familje e miq! Kjo është pasuria më e madhe që mund të kemi në jetë.
-Keni kaluar ndonjë moment të vështirë në jetë, cili është ai?
Shumë sigurisht, por nuk ndalem në sfidat e jetës që i kam mposhtur. Gjithmonë kërkoj raundin e ardhshëm të sfidave dhe mundësive për t’i mposhtur.
-Keni një ëndërr në raport me Shqipërinë, çfarë doni të bëni për këtë vend?
Ëndërroj për ditë më të mira për të gjithë shqiptarët dhe do të vazhdoj të bëj çmos për të ndihmuar në këtë drejtim. Përpiqem të ndikoj sa më shumë njerëz që mundem, por kisha dashur të kem aftësinë për të bërë më shumë. /tesheshi.com/