Një takim i udhëheqësve të vendeve të BE-së është në udhë e sipër në Bruksel për të konkluduar me një strategji të përbashkët për negociatat e pritshme me Britaninë për daljen nga unioni.
Të pranishëm në takim do të jenë përfaqësuesit e 27 vendeve, por nuk do të ketë vend në të për atë të Britanisë.
Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, i ka mëshuar me këtë rast unitetit mes 27 vendeve në këto bisedime.
“Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar,” u tha ai gazetarëve. “Vetëm atëherë do të jemi në gjendje t’i përmbyllim negociatat; çka do të thotë se uniteti ynë është gjithashtu në interes të Mbretërisë së Bashkuar.”
BE-ja këmbëngul për një përparim në bisedimet për largimin e Britanisë nga unioni përpara se të nisin debatet për marrëdhëniet e ardhshme tregtare.
Ndërkaq, bisedimet zyrtare pritet të nisin pas zgjedhjeve të parakohshme në Britani më 8 qershor. /tesheshi.com/