Sputnik deklaron sot një fakt të bujshëm: Beogradi-kryeqyteti i Serbisë, është kthyer në pikën neutrale midis dy superfuqive, SHBA dhe Rusi. Njësoj si Vjena në Luftën e Ftohtë.
Prej disa kohësh në Beograd po zhvillohen bisedimet e paqes mes SHBA dhe Rusisë në lidhje me Ukrainën, dhe siç bën të ditur Sputnik, ka gjasa që kryeqyteti serb të jetë vendi i ardhshëm i takimit ndërmjet Donald Trump dhe Vladimir Putin.
Si rrjedhojë, kjo do të thotë që Serbia, Ballkani, me një fjalë trevat shqiptare do të kthehen në një terren i përmbytur nga shërbimet sekrete të të gjithë botës, në radhë të parë CIA amerikane apo edhe GRU-ja ruse e cila merret me operacionet në Ballkan.
Një dokument sekret i Prokurorit Special të Malit të Zi, Milovoje Kantiç, bënte të ditur se është zbuluar plani sesi do të sulmohej Mali i Zi nga forcat e shërbimit ushtarak rus.
Është sërish portal Sputnik që bën të ditur ekzistencën e raportit të prokurorit malazez, i cili thekson se më 16 tetor 2016, në Zllatibor, një pikë turistike malore në perëndim të Serbisë, që ndodhet pranë kufirit të Bosnjës dhe Malit të Zi, ka qenë shtabi i trupave të GRU që ishin përgatitur të kryenin një aksion ditën e zgjedhjeve parlamentare për të rrëzuar qeverinë e Podgoricës.
Sputnik i kundërshton këto akuza, duke theksuar se janë thjesht fantazi, por nga ana tjetër i gjithë portali është i mbushur me lajme diversioniste për Ballkanin.
Dhe si për të bindur më shumë gjithë këtë furi ruse në rajon, është sërish Sputnik që njofton se sot, në ditën kur Vladimir Putin ka ditëlindjen, Presidenti serb Aleksandër Vuçiç e ka marrë në telefon për ta uruar dhe biseda menjëherë është bërë lajm në portalin e Kremlinit.
Putin pasi e ka komplomentuar Vuçiç ka deklaruar se së shpejti ata do të takohen në Beograd.
Nuk dihet ende nëse e ka thënë me kuptimin që takimi do të zhvillohet kur edhe Trump do të vizitojë kryeqytetin serb.
Në fakt, Sputnik bën të ditur se prej disa ditësh në Beograd po takohen intensivisht të dërguarit specialë të Donald Trump dhe Vladimir Putin, përkatësisht: Vladimir Surkov dhe Kurt Wolker, të cilët po diskutojnë mbi marrëveshjen e Minskut për Ukrainën.
Kjo marrëveshje e firmosur me ndërmjetësimin e OSBE-së i kërkon Rusisë të ndalojë operacionet ushtarake në lindje të Ukrainës dhe të zbatojë një armëpushim.
SHBA kërkon vendosjen e Kaskave Blu të OKB-së në kufirin lindor të Ukrainës, por kjo do votën e Këshillit të Sigurimit, anëtar i të cilit është edhe Rusia. Që Putin të tërhiqet nga Donbas natyrisht që do të kërkojë një dëmshpërblim nga ana e Trump.
Pikërisht përpara se të zhvillohet takimi i nivelit të lartë Trump-Putin, Rusia po lëviz gjërat në Ballkan.
Moska jo vetëm që nuk pranon që të largohet nga Serbia, ku ka instaluar në Nish një qendër logjistike për të cilën NATO dyshon se është një pikë komandimi të operacioneve të spiunazhit, por po bën përpjekje që të trazojë Malin e Zi dhe Bosnjën.
Sputnik prej kohësh po nxit një protestë të serbëve në Mal të Zi, të cilët janë mjaft të shumtë në numër dhe i mëshon idesë se Podgorica i ka përjashtuar serbët si një popull shtetformues.
Sputnik thekson se 10 vjet nga referendumi për pavarësinë e Malit të Zi, Podgorica po mohon çdo gjë që është serbe.
Simonida Kordiç, kreu i opozitës serbe në Mal të Zi deklaron për Sputnik se “krerët e Malit të Zi përdorin politikën përça e sundo mes serbëve dhe malazezëve.
“Alfabeti cirilik është një përjashtim në Mal të Zi dhe nuk përbën një rregull. Administrata përdor pothuejse kudo alfabetin latin, duke dhënë një shenjë të pastër se nuk dëshiron asnjë element serb”.
E gjithë kjo atmosferë përplasjeje zhvillohet afër tokave shqiptare, afër kufirit me Kosovën dhe Shqipërinë që krijojnë një situatë shumë komplekse.
Në këtë atmosferë, në Beograd do të zhvillohen takimet e mëdha për të ardhmen e Kosovës, ku palë nuk do të jetë më BE, por sipas gjasave SHBA dhe Rusia do të vendosin për të ardhmen e Kosovës.
Siç Klinton bindi Jelcinin me anë të kryeministrit Cromerdin, edhe Trump do ta zgjidhë këtë problem njëherë e përgjithmonë me Putin.
Kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore e vizitës në Ballkan të Zv.presidentit Mike Pence në gusht. E njëjta ka qenë edhe arsyeja e pritjes së Hashim Thaçit në Shtëpinë e Bardhë.
Pra Beogradi duket që do të jetë qyteti ku fuqitë e mëdha do të shfryjnë tensionet, që sipas rregullit do të duhet t’i ndezin në kufijtë përreth.
Ndaj dhe ka nisur një garë e ethshme armatimi në të gjithë Ballkanin dhe Beogradi synon të tregojë që është më i armatosuri, duke sjellë si “qershinë mbi tortë”, bombarduesit rusë Mig 29.
Por Sputnik ka një shqetësim që e shprehë herëpashere dhe ai është Bonsdeel-i, baza amerikane pranë Ferizajt, për të cilën shërbimi sekret rus ka marrë vesh shumë pak. Një muaj më parë, mediave serbe iu dha një armë nga Moska se në Bondsteel ka armë bërthamore.
Të jetë e vërtetë?! Shaban Murati, diplomati veteran shqiptar, aktualisht i tërhequr nga shërbimi aktiv shkruante në faqen e tij në Facebook: “Me rastin e mbërritjes kësaj jave në Beograd të një skuadrilje prej gjashtë avionëve gjuejtës “MIG-29” dhuratë e Rusisë për Serbinë, presidenti serb Vuçiç deklaroi në 5 tetor: “Serbia ka tani në mënyrë të bindshme skuadronin më të fuqishëm në rajon. Në një kohë të shkurtër Serbia ka marrë tani avionë ushtarakë më tepër se gjatë 40 viteve të kaluara. Mendoj se qeveritë dhe diplomacitë e shteteve ballkanike duhet t’i bëjnë vetes pyetjen: A po armatoset Serbia për Korenë e Veriut?”. /tesheshi.com/