Nga Shkëlzen Rrecaj
Me shekuj bletët kanë qenë një simbol i produktivitetit, bollëkut, prodhimtarisë, duke i shoqëruar gjithnjë një mister se si arrin të fluturojë me strukturën e vet të krahëve. Konkluzionet rreth këtij misteri kanë qenë se bleta i rreh krahët aq shpejt sa krijon energjinë e nevojshme për ta ngritur trupin dhe fluturuar. Prandaj ajo është një simbol se gjithçka është e mundur.
Mjalti është një produkt mjaft i ëmbël dhe i veçantë, përveç të mirave shëndetësore është edhe një biznes i ëmbël dhe fitimprurës.
Mbledhja e mjaltit nga bletët është vetëm fillimi i një udhe të gjatë që ky produkt bën të arrijë deri tek konsumatori.
Cilësia e mjaltit të mirë varet nga bleta dhe ushqimi i saj. Lulet luajnë një rol të rëndësishëm në produktin përfundimtar dhe shijen e tij, 500 gramë mjaltë prodhohet nga nektari i mbi 2 milionë luleve.
Kosova ka kushte mjaft të përshtatshme për t`u marrë me bletari, sidomos Rrafshi i Dukagjinit. Sipas bletarëve të kësaj ane, ekzistojnë mbi 127 lloje të bimëve mjaltëdhënëse me vegjetacion nga pranvera e hershme e deri në vjeshtën e vonshme.
Kur të rinjtë sot kanë marrë rrugën e mërgimit, ka të tillë që kanë krijuar biznese dhe dëshirojnë të jetojnë dhe të ardhurat t’i fitojnë në vendin e tyre të lindjes.
Bleta, mjalti dhe nënproduktet e mjaltit janë përditshmëria e bletarit Arif Krasniqi nga fshati Prapaqan, komuna e Deçanit, i cili me këtë veprimtari merret që pesë vite. Edhe pse nuk e ka trashëguar mbajtjen e bletëve ai ka arritur që për pesë vite të ketë 100 koshere me bletë.
Por si filloi Arifi të merret me bletari dhe çfarë e frymëzoi atë?
“Është interesante se bletarinë shumica e kanë trashëgim nga të parët, por unë dhe familja ime është hera e parë kur kemi filluar para pesë viteve të merremi me bletari. Bletët janë të veçanta për mua, ato kanë një frymëzim dhe një plan të jashtëzakonshëm në punët e saj, ato janë vet mrekullia. Pas shumë takimeve, trajnime për ndërmarrësi të cilat janë financuar nga Ministria e Rinisë dhe Kulturës, po ashtu edhe nga investitorë të huaj, unë isha pjesë e këtyre trajnimeve dhe takimeve me njerëz dhe në biseda e sipër erdha në përfundim që ia vlen të merrmi me bletari. Kam qenë përfitues i granti për fillim, dhe investova në 30 koshere, investim ky i mbështetur nga Ministria e Rinisë dhe Kulturës”, u shpreh Arifi.
Arifi ka afër 100 koshere me bletë e që shpreson ta rrit bletishten e tij, pasi zona ku jeton ka një natyrë të pasur.
“Për momentin kemi afër 100 koshere me blete, gjithmonë synim e kemi rritjen në këtë drejtim, pasi që në zonën ku unë jetojë llogaritet zonë ndërkufitare dhe është një zonë që i plotëson kushtet për prodhime bio dhe mjalti i kësaj pjese është mjaftë i kërkuar, kemi një natyrë shumë të pasur me lule, leverdia aq sa është e madhe, po aq është edhe rreziku, sepse ky biznes ka një lidhshmëri shumë të ngushtë me kushtet klimatike dhe kjo nuk varet nga ne. Kemi pas vite kur kemi punuar me humbje, por kjo është bleta, që njeriu krijon një lidhje për të, pavarësisht humbjes, ne prapë duhet të kujdesimi për të”.
Si çdo fillim që është vështirë në të bërit biznes, edhe për bletarin Arifin ka qenë i vështirë. Por ai nuk është ndalur së punuari.
“Për këto pesë vite përvojë në bletari mendojë që ka qenë një fillim i vështirë, por angazhimi im dhe i familjes nuk jemi ndalur. Viti i kaluar ka qenë një viti shumë i mirë, ka pas një rendiment me një mesatare diku rreth 15 kilogramë. Një bletar i përgatitur është në gjendje të nxjerrë nga bletët shumë, edhe nëse kushtet klimatike nuk janë të mira, pasi që tek bletët nuk kemi vetëm një produkt por, kemi edhe disa nënprodukte të tjera të cilat kanë treg në vendin tonë, dhe ka kërkesë të madhe, për qumështin e bletëve, poleni, propolisin etj., që janë shumë të dobishme për shëndetin e njeriut. Sfidë tek bletët ka qenë nder vite kujdesi ndaj sëmundjeve si varotoza destruk, këto janë për bletarin një sfidë që duhet një kujdes i veçantë, pasi që një lëshim i vogël rrezikohet edhe krejt parku i bletëve”, theksoi bletari Arifi.
Sa është vështirë te merresh me bletari. A kërkon shumë punë?
“Nëse dikush ka plane të fillojë të merret me bletari, se pari duhet të shoh bletën si një dashuri dhe pastaj si biznes, sepse bletët ashtu e duan pronarin të dashur. Ka vështirësi të ndryshme, në kohët e fundit ka filluar që të mos punohet toka, të mos plehërohen livadhet, tokat kanë mbetur djerrina, dhe kjo nuk është e mirë për bletët, bletaria e ka problem kryesor kullosën. Bletari mund të llogaritë si ekonomi familjare sezonale, prandaj ka punë vetëm gjatë sezonës, nga marsi-shtator, prandaj këto muaj janë bukur të ngjeshur, ndërsa muajt, shtator-shkurt janë vetëm rutinë. Bleta ka rëndësi shumë të veçantë në bujqësinë dhe për rendimentin në bujqësi pasi që ajo ndihmon në polenizimin e bimëve dhe rritjen e rendimentit në vend. Prandaj duhet së bashku ta ndihmojmë bletën që të mos dëmtohet, zhduket nga faktori njeri.”
“Kur punojë me bletët e harrojë edhe kohën”, thotë Arifi.
Pothuajse çdo sektor i bujqësisë në Kosovë ballafaqohet me vështirësi, edhe sektori i bletarisë ka vështirësitë e veta.
Arifi tregon se bletaria në Kosovë, ka shumë vështirësi, nga me të ndryshmet, duke filluar nga ilaçet të cilat vijnë nga vendet e huaja hynë pa kontroll dhe në shumicën e rasteve kanë dështuar, dhe dëmet në bletari janë të pashmangshëm.
“Ministria e Bujqësisë nuk është afër bletarit në kohën kur duhet të jetë, ka mjaft neglizhenca në këtë drejtim, nuk bashkëndjejn me fermerin në asnjë situatë, keqpërdorime në subvencione etj.”, tregon Arifi.
Më tej ai thotë së futja e bletarëve të rinj në treg, pa përvojë, duke mos patur njohuri në lidhje me bletari, po i dëmtojnë bletarët ekzistues, pasi që bletari ka një rregull dhe një kalendar të punëve në kohë të caktuar. Numri i madh i shoqatave lokale të cilat po na i largojnë investitorët (investitorët po vërejnë jo seriozitet në këtë drejtim). Importi i mjaltës nga vendet e rajonit, ekonomi jolojale. Futja e bletëve nga Serbia me një çmim të lirë, pa kontroll shëndetësore e shumë problem tjera.
Një ndër problemet e vazhdueshme dhe më shqetësuese në bujqësinë moderne në mbarë botën është përdorimi i pesticideve, të lejuara ose jo, për t’i mbrojtur të mbjellat nga insekte të ndryshme apo nga dëmtimet. Ekspertë dhe studiues thonë se përdorimi i tepërt i pesticideve nuk dëmton vetëm tokën dhe ujin, por gjithashtu vret shumë nga organizmat e dobishëm prej të cilave varet edhe cilësia e të mbjellave dhe jeta e bletëve.
E për këtë Arifi thotë se në vendin ku i shtegton bletët nuk ka shumë problem sa i përket helmimeve, pasi që në këtë vend bujqësia nuk është edhe aq e zhvilluar.
Që bletaria të fuqizohet kërkohet mbështetje nga institucioni përkatës dhe të motivohen bletarët që të merren me shumë me ketë sektor.
Për këtë bletari Arifi thotë: “Që bletaria të arrijë në vendin e duhur, duhet që sa më shumë të ketë investime dhe të motivohen të rinjtë të merren me ketë sektor apo edhe me kultura tjera bujqësore sa ikin drejt vendeve të Evropës. Ministria e Bujqësisë duhet të investojë më shumë në këtë drejtim duke dërguar jashtë vendit për të marrë përvoja të reja, për të mësuar më shumë për bletarinë bashkëkohore, dhe të kemi këshilltarë për bletari në kuadër të kësaj ministrie. Në Kosovë ende nuk kemi një laborator për analiza të mjaltës, që na tregon për mbetjet në mjaltë (nga helmet) dhe Ligj për bletari të veprojë sa më parë.”
I pyetur se a është biznes fitimprurës mjalti në Kosovë? Ai u përgjigj: “Po nëse plotësohen kushtet klimatike, për arsye se në Kosovë ka kërkesë të madhe të mjaltit, çmimi është shume i mirë, ka rritje të vetëdijes për konsumimin e mjaltit dhe ky produkt meriton plotësisht të merret në tavolinat tona, është një biznes shume i mirë, kostoja e prodhimit është e ulët, dhe fitimi është i lartë. Bleta kërkon njerëz të sinqertë në pune, dhe fitimi është i padiskutueshëm”.
Çdo bletar është një institucion më vete, ai ka të veçantat, pasi të tilla janë edhe problemet që ai has në mbarështimin e bletëve. Mirërritja e bletës, krahas kënaqësisë që jep, bart dhe andralla.
“Çdo bletar është i veçantë në vetvete, bleta ka aftësi të shkëlqyera, ajo të detyron që t’i të kujdesesh për natyrën në çdo cep ku ajo shkon, ajo e rregullon edhe të menduarit e njeriut për natyrën, ai i cili ka një bletë të vetme në shtëpi mendon veç për natyrën e pasur, dhe shkatërrimin e saj kjo është diçka që e kam vërejt tek të gjithë bletarët”, u shpreh Arifi.
Dhe momenti më i mirë dhe më i ëmbël është vjelja e mjaltit… Kur është koha e vjeljes së mjaltit dhe sa lloje të mjaltës arrini t’i merrni nga bletët?
“Në Deçan vjelja e mjaltit fillon me Akacian (bagremin) nga 15 maji e deri me 1 qershorë, kjo është vjelja e parë, pas përfundimit të mjaltës se bagremit fillon lulëzimi i gështenjës, dhe kjo është një mjaltë mjaftë e mirë dhe shumë e kërkuar për tregun, për këtë kullos duhet t’i shtegtojmë bletët pasi nuk kam afër. Pra ‘Bletari Arif’ ka vetëm dy lloje të mjalti, bagremi dhe gështenjë. Nga ky vit filloj me nxjerrjen e qumështit të bletës, jam duke u përgatitur që të startojë nga 5 maji.”
Çdo punë ka pjesë më të mirë po edhe atë të keqen. Por cila është pjesa më e mirë dhe cila është më e keqe në bletari? Bletari Arifi u shpreh: “Është nder dhe kënaqësi e veçantë të merresh me bletari, sepse mjalti ndryshe quhet edhe shurup natyral për mjekim, dhe sot shumica e njerëzve e konsumojnë mjaltin për shërim, a ka nder me të madhe se sa kjo, të jesh i sinqertë në këtë drejtim duke ua mundësuar konsumatorëve mjalt të mirë për organizmin e tyre, pjesa e keqe në bletari është kur nuk je në gjendje t’i plotësosh nevojat e konsumatorëve, pasi që janë të shumta.” /tesheshi.com/