Prej disa kohësh është cilësuar si ushqim jo shumë i shëndetshëm, por ky pohim me sa duket është hedhur poshtë nga një studim i ri dhe mjaft i plotë i realizuar nga Friedman School of Nutrition Science and Policy i Tufts University në Shtetet e Bashkuara të Amerikë dhe i publikuar në Plos One. Sipas ekspertëve, konsumi i gjalpit nuk ka asnjë lidhje me sëmundjet kardiovaskulare dhe është vënë re edhe një masë e efektit mbrojtës sa i takon sëmundjes së diabetit.
Studimi – Gjatë fazës së testimit, studiuesit kanë analizuar të dhënat e nëntë kërkimeve që kanë përfshirë gjithsej 636.151 persona. Sasia e gjalpit të përditshëm të konsumuar mesatarisht ka qenë rreth 14 gramë. Gjatë periudhës që pacientët janë ndjekur nga studiuesit, janë verifikuar 28.271 persona që kanë ndërruar jetë, 9.783 raste me sëmundje kardiovaskulare dhe 23.954 raste të fillimit të diabetit.
Studimi ka nxjerrë si përfundim lidhje të pakta dhe të parëndësishme mes konsumit të gjalpit dhe sëmundjeve me vdekësi totale. Efekti mbrojtës ndaj diabetit, siç shpjegojnë kërkuesit, mund të jetë i lidhur me praninë e yndyrës në qumësht.
“Edhe pse thuhet se konsumi i gjalpit mund të shkaktojë pasoja negative në shëndet, nga studimi del se ky produkt është tërësisht neutral”, – thotë autorja e kërkimit, Laura Pimpin, e cila sugjeron së vetë gjalpi mund të jetë një rrugë e mesme mes vajit ekstra të virgjër të ullirit dhe sheqerit apo amidonit, të cilët ndodhen tek bula e bardhë apo patatet. /tesheshi.com/