Të rinjtë e Lëvizjes BESA kanë realizuar sot një performancë gjatë të cilës kanë ironizuar politikat e BDI-së rreth projektit “Shkupi 2014”, njofton SHENJA.
Ata kanë vendosur në ndërtesën e Muzeut të VMRO-DPMNE-së mbishkrimin: “Muzeu i VMRO-së, Ali Ahmeti”. Daim Luci nga Lëvizja BESA ka deklaruar se kjo bëhet në frymë të emërtimit të objekteve publike të projektit “Shkupi 2014”, “konform mundësisë që e lejon 20 përqindëshi i Marrëveshjes së shkelur të Ohrit”.
“Duke kërkuar objektin më të rëndësishëm të këtij projekti, si dhe duke kërkuar emrin më emblematik shqiptar që i shkon atij, arritëm në konstatim se objekti më meritor që duhet të bart emër shqiptari është pikërisht Muzeu i VMRO-së në Shkup, ndërsa emri që më së miri i shkon këtij objekti është ai që e ka ndihmuar më së shumti gjatë kësaj kohe fuqizimin e VMRO-së dhe, në përgjithësi VMRO-izmin e Shkupit, është ky komandanti legjendar Ali Ahmeti”, ka deklaruar Ahmeti. /tesheshi.com/