Platforma Shqiptare, ajo që u gatua në zyrën e Ramës në Tiranë mes faktorit politik shqiptar, mund të pësojë çarje; ose më saktë tërheqje të një prej forcave politike që e mbështeti. Bëhet fjalë për Lëvizjen BESA. Kjo pasi pretendohet se BDI po e përvetëson politikisht këtë platformë.
Kreu i BESËS, Bilal Kasami, tha gjatë një emisioni televiziv se me deklaratat e liderit të BDI-së, ku ky i fundit përvetësoi platformën, Lëvizja BESA mund ta rishqyrtojë mbështetjen ndaj saj.
Ndërsa duke iu referuar një sondazhi të fundit ku BESA rezultoi mbi BDI-në, Kasami shfaqi besimin se në zgjedhjet më të afërta, do ishin padiskutim fitues.
“Në zgjedhjet e radhës, kurdo qofshin ata, ne do të jemi fitues absolut. Këtë dalëngadalë do e nxjerrin edhe sondazhet e ndryshme të cilat bëhen, të cilat po tregojnë se shqiptarët e Maqedonisë tanimë nuk duan që ata t’i përfaqësojë një parti siç është BDI-ja”, tha Kasami. /tesheshi.com/