Kancelari gjerman Olaf Scholz tha sot se do të udhëtojë në Ballkanin Perëndimor, përpara takimit të Këshillit Evropian të planifikuar për muajin e ardhshëm, për t’i përcjellë një mesazh rajonit se ai ka një vend në Bashkimin Evropian.
“Gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor me aspirata në BE, domethënë Serbia, Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Kosova, janë tashmë në një proces reformash shumëvjeçare,” u tha Scholz ligjvënësve në Berlin, raportoi Reuters.
Ai shtoi se “sot, më shumë se kurrë, integrimi i tyre në BE është edhe në interesin strategjik të Brukselit”, duke vënë në dukje, sipas Reuters, ndikimin e fuqive të huaja në rajon, përfshirë Rusinë.
“Respektimi i detyrimeve tona ndaj tyre nuk është vetëm një çështje e besueshmërisë sonë,” tha Scholz.
Pushtimi rus i Ukrainës më 24 shkurt ka ngritur frikën se konflikti mund të përhapet në Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, liderët e BE-së ende nuk bien dakord për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në Union.
Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili aktualisht është kundër zgjerimit të BE, propozoi së fundmi formimin e një komuniteti të ri politik në Evropë, i cili do të përfshinte si Ukrainën ashtu edhe vendet e Ballkanit Perëndimor.
Duke krahasuar Ukrainën dhe vendet e Ballkanit Perëndimor në kontekstin e zgjerimit , Scholz tha se ndihma e një vendi që u sulmua brutalisht kontribuoi në zmbrapsjen e sulmit. Ai tha se Ukraina është gjithashtu pjesë e “familjes sonë evropiane”.
“Kjo është e vërtetë,” tha kancelari gjerman. “Megjithatë, procesi i anëtarësimit në BE nuk është çështje muajsh. Fakti që nuk ka rrugë të shkurtra në rrugën drejt BE-së është gjithashtu një kusht i drejtësisë ndaj gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha ai. /tesheshi.com/