Berlini ka përcjellë dhe ai nga ana e tij mesazhin për 30 qershorin. Duke e njohur siç gjithë komuniteti ndërkombëtar si datën e ligjshme të zgjedhjeve, nga Ambasada Gjermane në Tiranë apelohet për shmangjen e çdo pengimi të qytetarëve për të votuar.
“Duke patur parasysh zgjedhjet vendore të ditës së diel, datë 30 qershor, u bëj thirrje të gjitha palëve të kontribuojnë në mënyrë aktive që të pengojnë çdo formë dhune. Është me rëndësi vendimtare, që zgjedhjet të zhvillohen të lira. Në këtë kontekst ky është një obligim i veçantë i partive opozitare. Gjermania ka sjellë në Shqipëri vëzhgues, që do të vëzhgojnë proceset në kuadër të misionit të pavarur të OSBE-/ODIHR-it”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga ambasadorja Susanne Schüt.
Por në deklaratë ajo ka cekur, duke lënë të nënkuptuar, edhe përgjimet e publikuara në Bild. Sipas saj, për ato vendos gjykata.
“Akuzat, që u referohen akteve eventualisht kriminale në kuadrin e zgjedhjeve të shkuara, duhet të sqarohen në mënyrë të menjëhershme nga agjensitë e zbatimit të ligjit sipas legjislaciont në fuqi. Për sqarimin e çështjeve të së drejtës kushtetuese të mbetura pezull deri më tani rëndësi vendimtare ka rivendosja e shpejtë në funksionalitet e Gjykatës Kushtetuese”, shprehet znj. Schüt. /tesheshi.com/