Ish-kryeministri Sali Berisha tha se beteja e Azem Hajdarit është aktuale edhe në ditët e sotme, në demokracinë 27-vjeçare.
Sipas Berishës, demokratët duhet të vijojnë betejën mbështetur mbi idealet e Hajdarit dhe të frymëzuar nga guximi, vizioni dhe trimëria e tij.
“Sot për ne është një ditë që kujtojmë me dhimbje të madhe aktin barbar të kryer nga regjimi, ekzekutimin para selisë së PD-së, të tribunit të lirisë, Azem Hajdari. Njeriut që ka bërë si individ më shumë se kushdo tjetër për lirinë e shqiptarëve. Ishte gjoksi i tij që ngrihej më 8 dhjetor në rrugët e Tiranës përballë barrikadave, autoblindave të batalioneve të policisë, ushtrisë, që solli çeljen e dyerve të lirisë bashkë me studentë të tjerë të lirisë për shqiptarët.
Por Azem Hajdari nuk është vetëm një lider i historisë, ai është një burim i madh frymëzimi për çdo shqiptar, për çdo të ri, për çdo të re. Frymëzimi i tij është të qëndrojmë të pamposhtur, është të ngrihemi sa herë që rrëzohemi, është të vazhdojmë betejën. Dhe sot më të vendosur se kurrë për idealet për të cilat ai flijoi jetën e tij.
Ndaj dhe një herë thirrja ime le ta frymëzojë guximi, vizioni, trimëria e tribunit tonë legjendar për të realizuar sa më shpejt, sa më të vendosur idealet për të cilat ai ra dhe që sot janë në një dëshpërsi shumë të madhe. Unë kam besim se ne do t’ia dalim. i përjetshëm kujtimi i Azem Hajdarit”, tha Berisha. /tesheshi.com/