Gjashtëdhjetë vjet më parë, Belgjika organizoi ekspozimin “live” të njerëzve nga Kongo, me rastin e panairit Botëror të vitit 1958. Tani vendi po rimendon këtë trashëgimi, për të shlyer llogaritë me të kaluarën.
Belgjika organizoi gjashtëdhjetë vjet më parë hapjen e panairit botëror, një festim 200-ditësh plot shkëlqim për të shënuar arritjet e pas luftës në fushën sociale, kulturore dhe teknologjike. Thuhet se organizimi ka ruajtur një vend të rëndësishëm në kujtesën kolektive të kombit belg. Një seri aktivitetesh tashmë po mbahen në Atomium, peizazhin futuristik të ndërtuar për kujtesën e spektaklit të asaj kohe.
Megjithatë ndërsa kryeqyteti belg zhytet në nostalgji, një nga pavionet e ekspozitës që u hap në atë kohë, nuk është rindërtuar: shfaqja “live” e burrave, grave dhe fëmijëve me ngjyrë “në kushte primitive” të ekspozuar për qëllime edukative dhe argëtimin e europianëve të bardhë.
Ishte “kopshti i fundit zooologjik me njerëz” në botë.
Pasi deri në vitin 1958, Belgjika e sundonte ende Kongon, pjesën e territorit rreth 80 herë më shumë se madhësia e vet, kjo ishte dhe një burim i madh krenarie për vendin. Shteti afrikano-qendror i pasur me minerale, nuk ishte vetëm një shpërblim i jashtëzakonshëm ekonomik, por i jepte dinjitet Belgjikës, një kombi të vogël europian nën hijen e Britanisë dhe Francës, me një pozicion në botë.
“Expo ’58” u pa nga politikanët belgë si një mundësi për ta lëmuar këtë arritje, duke i dhënë shkëlqim asaj që shihej si një lidhje speciale me Kongon Belge. Në pjesën e parë të Atomium, një rindërtim i kullës Eifel të Parisit, dhe kryevepra e ekspozitës, tetë hektarë tokë të ndarë në shtatë pavione i dedikoheshin temave të punës së minierave në Kongo, artit, transportit dhe bujqësisë së saj, mes të tjerash. Kjo pjesë njihej si Kongorama.
Në tre hektarët e saj të kopshteve tropikalë, burra, gra dhe fëmijë kongolezë dilnin për ekspozim ditë pas dite, me veshje “tradicionale”, nën rrethimin e një gardhi prej bambuje.
Kopshtet zoologjike njerëzore nuk ishin aspak risi në perëndim dhe ishin mbajtur rregullisht më herët në atë shekull në Londër, Paris, Oslo dhe Hamburg. Në Nju Jork në vitin 1906, një i ri kongolez me dhëmbë të mprehtë u strehua në pavionin e majmunëve në kopshtin zoologjik të Bronksit.
Në verën e vitit 1897, mbreti Leopold II kishte sjellë 267 kongolezë në Bruksel, për t’u ekspozuar rreth pallatit të tij kolonial në Tervuren, në lindje të qytetit, duke u dhënë kanoeve në liqenet mbretërore: 1.3 milionë belgë, nga 4 milionë gjithsej, vizituan këtë shfaqje, duke ecur mbi një urë të varur me litarë për të pasur këndpamje sa më të mirë.
Ajo verë qëlloi të ishte me një të ftohtë të hidhur, dhe shtatë nga kongolezët në fjalë vdiqën nga pneumonia dhe gripi: trupat e tyre u flakën në një varr të përbashkët të pashkruar në varrezën lokale. Por ishte kaq i madh popullariteti i kopshtit zoologjik dhe shfaqjeve të tjera saqë më pas u caktua një ekspozitë e përhershme në atë vend. Fillimisht nisi të quhej Muzeumi i Kongos, ndërsa tani është Muzemi Mbretëror për Afrikën Qendrore.
Ekspozita e vitit 1958 ishte më e vogël, por e njëjtë në përmbajtje. U ngrit një fshat “tipik”, ku kongolezët kalonin ditët duke u marrë me punë dore në kasollet e kashtës, ndërkohë që talleshin nga burrat dhe gratë e bardha që qëndronin anash.
“Nëse nuk kishte reagim, ata hidhnin para ose banana përtej gardhit të bambuve”, shkroi një gazetar në atë kohë për spektatorët.
Një tjetër raportim fliste për njerëzit që bënin thashetheme me njëri-tjetrin “sesi kishin para negrot në kopshtet zoologjike”.
Kongolezët e ekspozuar ishin një pjesë nga 598 njerëzit – përfshirë 273 burra, 128 gra dhe 197 fëmijë, në total 183 familje – që u sollën nga Afrika për të pajisur me staf panairin që ishte më i madh se pavionet afrikane.
Zyra koloniale ishte “shumë nervoze se çfarë mund të sillte për Belgjikën, një numër i tillë i paprecedent kongolezësh”, sipas historianes për Afrikën Qendrore, Dr Sarah Van Beurden.
Por, të strehuar në një ndërtesë të posaçme, të izoluar nga Expo prej nga mund të merreshin e të dërgoheshin me autobus, kongolezët ankoheshin për banesa të mbipopulluara, kufizime strikte për vizitorët, apo për daljen nga ndërtesa dhe sigurisht për abuzimin e përditshëm në panair.
Deri në korrik, artistët dhe artizanët kongolezë dhe familjet e tyre nuk mundën të rezistonin më dhe disa u kthyen në shtëpi. Kopshti zoologjik njerëzor, si e njihnin kongolezët, u mbyll dhe pjesa tjetër e panairit vazhdoi pa të.
Një kopsht i tillë zoologjik nuk do të ngrihej më kurrë në asnjë vend, dhe në janar 1959, Kongo fitoi pavarësinë.
Më 1 dhjetor, pas një rinovimi prej 75 milionë eurosh, muzemi mbretëror u rihap sërish pesë vjet pasi kishte hapur dyert për herë të fundit për publikun. Në të ka një qendër të re vizitorësh dhe një hapësirë të madhe nëntokësore që e dyfishon sipërfaqen e ekspozimit në 11 mijë metra katrorë. Por përtej transformimit fizik, një ndryshim shumë më domethënës po ndërmerret.
Kur drejtori Gryseels mori detyrën në vitin 2001, ekspozita e përhershme kishte ndryshuar shumë pak nga vitet 1920. Së bashku me motivin e L së dyfishtë, të mbretit Leopold që vizitorët ndeshnin në çdo sallë, dhe citimet mbretërore që predikonin planin më të lartë moral të kolonializimit, historia tregohej me dritën belge aty ku kishte errësirë.
“Për 100 vjet, ne kemi qenë një institucion kolonial”, thotë Gryseels. “Për pjesën më të madhe të belgëve, takimi i parë me Afrikën ka ndodhur në muzeumin tonë. Përshtypja fillestare për Afrikën është marrë në këtë muzeum, dhe kjo ishte që një njeri i bardhë është person më i mirë sesa një njeri me ngjyrë. Ne ishim atje për t’i qytetëruar. Afrikanët që portretizonim këtu ishin lakuriq, me një shtizë, e pa kulturën e tyre”.
Një arsye për inercinë në muzeum, beson ai, është se në të vërtetë, shoqëria belge nuk ka dashur ta rimendojë të kaluarën kolonialiste. “Ka shumë emocion këtu pasi çdo familje belge ka një anëtar të saj i cili ka punuar në Kongo. Të gjithë. Misionar, mësues, administrator. Mund të pyesni belgët dhe ata do tregojnë. Kështu që është një debat ku përfshihen emocionet”.
Gryseels thotë se diskutimet për të kaluarën kolonialiste nuk kishin nisur në Belgjikë deri pas publikimit të librit të Adam Hochschild “Fantazma e mbretit Leopold” në vitin 1998. “Pak e nga pak pati më shumë debat”, thotë Gryseels. “Por, kurrikulat në shkollat belge, deri së fundmi, kanë qenë ‘ne sollëm qytetërimin’”.
Ka zëra nga diaspora Kongoleze në Belgjikë që kërkojnë “dekolonializimin” e institucionit dhe mbylljen e tij. Por, Gryseels thotë se detyra e tij në muajt e ardhshëm është të tregojë një histori të re për Belgjikën në Kongo. Ai pritet të mbajë fjalim në ditën e hapjes së muzeut të rinovuar, përpara familjes mbretërore. “Kemi përgjegjësinë se kemi kultivuar qëndrimin që shumë belgë janë superior ndaj njerëzve me ngjyrë”, thotë Gryseels. “Dhe kjo po ndryshon. Por do të kërkojë kohë”.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/