Këto ditë të 20 viteve më parë, ai do jetonte ditët e para si kryeministër, gjë që nuk e kishte çuar kurrë nëpëmend. Mjaft të thuhet se në çastin kur i ka rënë telefoni për t’ia komunikuar këtë gjë, ai ka qenë duke bërë një dorë loje tavëll. Pra, është fjala për Bashkim Finon, njeriu që u fut në historinë politke të Shqipërisë post-komuniste si kreu i qeverisë së Pajtimit Kombëtar, duke udhëhequr vendin në kohët, ndoshta më tragjike të tij, ngjarjet e Pranverës ’97, që në gjuhën popullore shoqërohen me shprehjen “Mos ardhtë kurrë!” – ashtu siç erdhi pra.
Bashkim Fino ka qenë kryetar bashkie i Gjirokastrës në vitet 92-96 dhe viti i trazuar ’97 e gjeti tëpapunë. Por fati kishte rezervuar një moment kulmor për të si njeri dhe për karrierën e tij politike. Burri shtatshkurtër nga vendlindja e diktatorit Hoxha ishte në fakt i vetmi emër nga radhët e socialistëve që presidenti i atëhershëm Sali Berisha pranoi ta kishte kryeministër të një qeverie të përbashkët që mori emrin “Qeveria e Pajtimit Kombëtar”.
“Të gjithë kishim armë, biles kishte një uri tëçuditshme, nejurëzit shkonin merrnin armë, arka me municione. Ishte një situatë gri, ngriheshe në mëngjes dhe kishe frike se nga çdo anë dëgjoje krisma. Dilje nga shpi me një frikë se çdo plumb qorr mund të të kapte. Ishte një gjendje skandaloze, mbyllesha në shtëpi, dëgjoja lajmet, i gjithë pallati bënte roje me radhë”- kujton Fino në intervistë të dhënë për këtë moment në gazetën Panorama në muajin Mars 2003, vetëm 6 vite pas marsit të vitit 1997.
Kishit armë ju?
Natyrisht. Ishte si një mode që në pallatin tonë të gjithë morën automatikë, pistoleta. Kur të gjithë marrin, atëherë çfarë të bëja unë?! Nën krevatin tim dopio ishin arkat me municion. Në katin e gjashtë të pallatit ku unë jetoja rrinte një dykëmbësh.
Dhe në këtë moment ju papritur u bëtë kryeministër i vendit…si ndodhi?
Pikërisht. Në një situatë të tillë, totalisht absurde, ndodhi kjo gjë. Atë natë po luaja tavëll me mikun tim të vjetër, Hito Hitën. Vajtëm në shtëpi sepse ishte më qetë, lokalet nuk ishin të sigurtë. Njerëzit vriteshin kot, rrinin me pistoletënë xhep si në filmat west. Bie telefoni. Del Namik Dokle i pari. Më thotë: Bashkim do të them një gjë, ti do të thuash se këtij i ka ikur mendja, por po të ishte për veten time do të pranoja. Sikur unë të të propozoj për kryeministër, ti çfarë do të thuash? Unë i thashë- mos bëj shaka në telefon, kjo nuk është për të diskutuar, por më thuaj ndonjë gjë të veçantë që ne nuk e shohim në televizor. E ai më thotë se:“Kemi biseduar me Berishën, kemi pranuar që të bjerë qeveria Meksi, kemi arritur në konkluzion, po ndajmë vendet e kabinetit, por ne i kemi vënë kusht Berishës për emrin e kryeministrit. I thamë të vinte Fatos Nanon, i thamë për mua e të tjerë, por ai ka vënë kushtin që kryeministri të mos jetë anëtar i kryesisë së PS-së. Ndërsa për ty ai është dakord”.
Nga fundi i bisedës kuptova se Namiku fliste seriozisht sepse në fillim kisha dyshim. Nëna ime dhe gruaja po dëgjonin. E unë them se: Namik nuk mund t’i shmangem përgjegjësisë e të them që nuk vij, por është absurde sepse ka shokë më me shumë reputacion, nuk ka pse të vini deri tek unë.
Në në një moment të vetëm mendova se çfarë do të bëja, si do të sillesha, duke njohur kush ishte Berisha. Ishin shumë enigma që duheshin zgjidhur sepse unë vija nga Gjirokastra dhe nuk dija çfarë bëhej.
…Namiku më tha nuk do të jesh vetëm do të kesh shokët e partisë, por deri në orën 5.00 duhet kthyer përgjigje sepse pas kësaj ore i humb PS-së ky post. Fola me gjithë shokët e kryesisë në telefon, i fundit ishte Rexhep Meidani. Mbaj mend që ishte i ngjirur: ”Bashkim dua mendimin tënd, jam i lodhur nga gjithë këto takime”-më tha. Dakord- i thashë unë.
Ju ishin tashmë kryeministër si u ndjetë, si e priti familja?
Miku im tha; po hajt gëzuar kryeministër. Mua më erdhi për të qeshur në atë moment. Isha i veshur sportiv me tuta siç rri njeriu në shtëpi. Ashtu siç isha dola tëpërcillja Hiton matanë pallatit. Imagjinoni, momentin që unë dal s’kisha bërë as 20 metra rrugë dhe kur po kthesha në shtëpi dalin komshinjtë në ballkon duke më parë. Si duket shokët e PS-së kishin folur me Berishën, ai kishte panuar dhe lajmi ishte dhënë në BBC, në TVSH, dhe ata thonin me vete “ ky është Bashkimi që do të bëhet kryeministër apo s’është ky”. “Bashkim urime” më thonin nga ballkonet. Që nga ai moment dera e shtëpisë sime u hap, futeshin gjithë njerëzit, miq e dashamirës. Një lloj solidariteti. Erdhën me armë rrethuan shtëpinë me idenë se kryeministri është këtu.
Atë ditë hynin e dilnin gazetarë grekë, të BBC, etj. Kush e kush të merrte deklaratën e parë nga kryeministri i dekretuar. Në orën 7 e gjysëm më merr Berisha në telefon. Më uroi dhe më tha; Bashkim unë të dekretova kryeministër, të njoh. Nesër do të dërgoj një helikopter të ministrisë së Rendit që të vini në Tiranë. “Dua të më sigurosh që nuk goditet helikopteri’- i thashë. “Po e marr përsipër”- tha Berisha. Biseda ishte e shkurtër, e lamë të bisedojmë në Tiranë. Në telefon Berisha dukej shumë i vrarë, shumë i lodhur.
Familja ngeli e befasuar. Gjatë kohës që flisja në telefon u kërkoja me shenja që të më jepnin një ok-ej. Gruaja më thoshte; E di ti vendimin, unë nuk ndërhyj. Në fakt kur e kam pyetur më tha që nuk donte. Normalisht nuk donte, as ajo, as nëna. Unë isha çun i vetëm, as motër, as vëlla, babai i vdekur, kështu që njerëzit më të afërt në atë situatë me armë mendojnë më të keqen.
Çfarë ndodhi tjetër atë natë?
Orët e vona të asaj nate, mbaj mend se Preç Zogaj dhe Ridvan Peshkëpia ishin në Jug, ishin kundër kësaj qeverie. Ishin me protestuesit. Më thirrën në shtëpinë e oficerëve dhe unë shkova. Duke më ngacmuar në sedër më thanë: “Kryeministër duan të bëhen të gjithë dhe mbase është një rast i veçantë për ty, por ti s’duhet të pranosh në këtë moment’. Unë i sqarova se nuk ishte fjala se unë doja të bëhesha kryeministër se në një situatë të tillë vetëm një i marrë mund ta marrë përsipër. Ju thashë se partia juaj ka firmosur për një qeveri të pajtimit kombëtar, nuk e kuptoj qëndrimin tuaj. Unë tashmë kam pranuar, por marr përsipër që shqetësimin tuaj t’ia përcjell partisë time në Tiranë.
Kështu, ajo natë ishte gjatë. Kam bërë gjumë të pakët. Në mëngjes kam marrë njëçantë të vogël me dy ndërresa sikur po shkoja me shërbim në Tiranë për 2-3 ditë. U nisa për tek helikopteri. Më kanë bërë një përcjellje vërtet dinjitoze që më kanë lënë të shokuar. Ishin rreth 300 burra të armatosur. U takova me ta duke më thënë; “mos na harro”. Kuptohet, kishte lloj-lloj njerëzish. Me pilotët kam bërë një bisedë shumë interesante gjatë rrugës, më thanë që kishin ardhur të merrnin Nanon para ca ditësh nga burgu i Bënçës dhe e çuan në burgun e Tiranës. Më thanë se Nano kishte bërë shaka me ta gjithë rrugës.
Si ishte ndarja me familjen?
Familja ime nuk ndërhyri në vendimin tim dhe atë mëngjes duke parë atë bohçen e vogël me plaçka dukej sikur u thoja: shiko se do të shkoj, po do vij prapë. Ka qenë një ndarje që kishte brenda shumë shqetësim. Gruaja dhe nëna nuk arritën të më thonin; po bën gabim që po shkon, nuk donin të më ngarkonin me këtë emocion shumë të madh. Por dukej sikur më thonin: “A mendon për ne, si na le ne këtu, çfarë na le në fund të fundit?” Fëmijët i kisha të vegjël, nuk kuptonin se çfarë po ndodhte.
Ku u vendosët në Tiranë?
Natën e parë fjeta tek xhaxhai, pastaj në vilën 30. Nuk mund të bëhej fjalë për jetë private. Merresha me politikë 24 orë. Shkoja në vilën 30 në orën dy apo tre të natës. Zakonisht flija si ushtarët e gatshëm. Mund të hiqja këpucët, por flija i veshur dhe gati. Telefonat rrinin hapur për çdo gjë…
Ju njiheshit më parë me Berishën, a ka një arsye të qartë se pse ai ju zgjodhi pikërish ju?
Njihesha më parë në mënyrë shumë institucionale. Kur kam qenë kryetar bashkie e kam pritur disa herë presidentin Berisha. Kam treguar civilizim, në një kohë kur shumë kryetar bashkie të tjerë të PS-së nuk merrnin pjesë në aktivitete ku ishte Berisha.
Muajt e qeverisjes tuaj si i kujtoni? Marrëdhëniet me Berishën? A mendoni se shumë gjëra mund t’i bënit më mirë?
Unë jam munduar të jem sa më institucional me Berishën. Nëse kërkoni gazetat e asaj kohe nuk do të gjeni asnjë thënie që kryeministri Fino të ketë fyer presidentin, apo të bëjë luftë politike me Berishën. Nuk e kam bërë këtë për dy qëllime. E para nuk duhet të ngatërroja punët e kryeministrit me atë të presidentit, që për herë të parë ishin një i PS-së, një i PD-së. Së dyti, fansat e mi ishin të shumtë, po të mendonim se kishim një shumicë në parlament që e donin Berishën. Unë doja të reflektoja tek ata se unë nuk kam ardhur këtu të marr revanshin ndaj Berishës, por kam ardhur të bëj qeveri të pajtimit kombëtar për të minimizuar në maksimum luftën civile.
Diçka të shpërthente mes PS-së dhe PD-së dhe në të vërtetë shpërthente lufta civile. Kjo ishte thembra e Akilit, që luftojaçdo ditëtë mos ndodhte. Por unë jam i dëshpëruar që gjatë qeverisjes time pati shumë të plagosur, të vrarë.
Si erdhi çarja mes jush dhe Berishës?
Pas fitores së PS-së në zgjedhje, mbaj mend që një natë Saliu merr në telefon vonë dhe më thotë se: “Bashkim kam të dhëna se do të shpërthejnë Bankën e Shqipërisë dhe do të nxjerr Gardën e Republikës që të patrullojë”. Kjo ka qenë fjalia për të cilën kemi bërë debat një orë. Jemi zënë si rrugaçë me njëri-tjetrin.
I kam thënë: Unë do të dal nesër t’u them njerëzve se Berisha po bën grusht shteti. Do të njoftoj faktorin ndërkombëtar”. Ishte një debat që kaloi fjalorin etik mes një kryeministri dhe presidenti. Unë dhe shokët e mi socialistë jemi shqetësuar dhe kemi bërë telefonata tërë natën me gjithë përfaqësuesit diplomatikë duke nisur nga Ollbrajti, Prodi, Vranicki, Simitisi. Nga ora tre e natës u qetësua gjendja. Të gjitha ata bënë telefonata me Berishën duke i thënë se do të mbajë përgjegjësi për një gjë të tillë. Presioni ndërkombëtar ishte i jashtëzakonshëm. Të nesërmen kam dhënë një konferencë për shtyp ku i kam thënë popullit të Tiranës se “keni bërë gjumë të qetë, por atë do t’ua prishte Berisha”. Pas këtij momenti Berisha më thirri në zyrë dhe më kërkoi të bëhesha prapë kryeministër. I thashë: ”Mos bëj hipokrizi me mua, roli ynë tashmë mbaroi”.
Intervistoi: Blerina Gjoka/ Panorama,31 Mars, 2003
Përgatiti për publikim: tesheshi.com