Në ditën e dytë të vizitës në Kosovë, kreu demokrat Basha transferoi pak ethe politike të Tiranës në Prishtinë, teksa deklaroi se “angazhimi i parë që kam marrë në këtë vizitë është që bashkërendimi i Prishtinës dhe Tiranës të jetë i plotë, i sinqertë dhe në funksion dhe mbështetje të institucioneve të Kosovës dhe forcave politike të Kosovës. Ky është shërbimi më i mirë që mund të bëjë Tirana larg protagonizmit të pavend dhe larg iniciativave të pakonsultuara të cilat kanë sjellë dëme”. Me këtë të fundit, siç mund të kuptohet, Basha ka aluduar në të ashtuquajturin “Shengen rajonal”, një inisiativë e treshes Rama-Vuçiç-Zaev, e që e cila ka përkrahje ndërkombëtare.
Komentet e Bashës u bënë pas një takimi me kreun e Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti. Ky i fundit iu drejtua si Luli, pasi tha se kishin njohje të hershme dhe kësisoj ishin miq të hershëm.
“Po e quaj Luli, se me Lulin njihemi shumë me tepër, bile e thashë, është kosovar, sepse ka jetuar këtu, unë e njoh prej kohësh që ka qënë në punë në Kosovë, pas përfundimit të luftës. Kemi vazhduar komunikimin dhe kur fitova unë, ai ishte Kryetar Bashkie në Tiranë. Shfrytëzuam rastin të flasim për ngjarjet e fundit, për situatën politike, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri. Por po e them me theks të veçantë në Kosovë, për të cilin gjithmonë e falenderoj Lulin, për interesimin e vazhdueshëm që ka patur për Kosovën”, tha Ahmeti.
Basha ishte dhe në Mitrovicës, ku kreu homazhe te varri i Isa Boletinit, ishte gjithashtu për homazhe te Jasharajt në Prekaz, si dhe kreu homazhe dhe te varri i Rugovës. /tesheshi.com/