Federica Mogherini ka refuzuar ta takojë Lulzim Bashën pasi ky i fundit nuk ka pranuar të jetë e pranishme në takim ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin.
Siç mësohet, shefja e diplomacisë së BE-së do të takojë presidentin Nishani, kryeministrin Rama, kryeparlamentarin Meta, por jo kryetarin e opozitës, Lulzim Basha.
Gjatë katër viteve të fundit, Tirana është vizituar dy herë nga një ministre e Jashtme e Bashkimit Europian, dhe, si Catherine Ashton në vitin 2013, ashtu edhe Federica Mogherini në 2016-n, janë takuar me kryetarin e opozitës, përkatësisht Edi Ramën dhe Lulzim Bashën.
Burime diplomatike e shpjeguan përjashtimin e Bashës nga takimi me Mogherinin duke iu referuar gjuhës së dhunshme verbale që kreu i opozitës përdori pak ditë më parë. Një problem që e preku në deklaratën e vet edhe zëdhënësi i kancelares gjermane Angela Merkel.
Megjithatë, për të dhënë mesazhin se nuk është përjashtuese ndaj opozitës, Federica Mogherini ka parashikuar në axhendën e vet një takim me drejtuesit e Parlamentit. Opozita është e përfshirë në nivelin e nënkryetarit të Kuvendit, kryetarit të grupit parlamentar dhe kryetares së Komisionit të Integrimit.
Deri tani, nga Partia Demokratike nuk ka një përgjigje nëse do të pranojë të takohet me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Europian për Politikat e Jashtme dhe Sigurinë në kushtet kur kryetari i opozitës është i përjashtuar. /tesheshi.com/