Është shuar Baki Shehu, një ndër ish-ushtarakët më të njohur shqiptarë, njëherësh ish-deputet demokrat.
Kreu i PD-së zyrtare, Basha, shkruan për të:
“Mësova me hidhërim ndarjen nga jeta të Baki Shehit, deputet i Partisë Demokratike, gjeneral i Forcave të Armatosura dhe studiues i apasionuar i historisë. I dashuruar pas vendlindjes së tij, të cilës i përkushtoi me pasion dhe humanizëm aktivitetin e tij politik, përmes një pune të gjatë e të palodhur, Baki Shehi hulumtoi me kërshëri të shkuarën e lashtë të Ndroqit, duke i dhënë jetë një libri që do të mbetet testament i lidhjes së tij të ngushtë me këtë komunitet, të cilit i shërbeu me devocion dhe dashuri. Ndonëse i sfiduar dhimbshëm nga dallgët e jetës, gjeneral Baki Shehi ruajti përherë zemërgjerësinë dhe fisnikërinë me të cilën do të kujtohet nga miqtë dhe kolegët e tij. Me ndarjen e tij nga kjo jetë Partia Demokratike humbi një prej kontribuesve të saj të vyer”.
Po ashtu, edhe Berisha, i dedikoi të ndjerit Baki Shehu, fjalë të zgjedhura nekrologjike:
“Gjeneral Baki Shehu mbylli sytë përgjithmonë.
Të dashur miq, gjeneral Baki Shehu, njëri nga figurat më të shquara të ushtrisë sonë, ish-deputet i Partisë Demokratike, politikan i urtë, atdhetar i flaktë, mbylli sytë përgjithmonë. Gjeneral Baki Shehu si ushtarak i lartë, dha kontribut të çmuar në detyrat më të larta në drejtimin e ushtrisë, reformimin dhe transformimin e saj në ushtri aleate të NATO-s. Ai u zgjodh gjithashtu deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë, në të cilin përfaqësoi me dinjitet e përkushtim zgjedhësit e e tij dhe të PD.
Duke shprehur nderimin dhe mirënjohjen time për bashkëpunimin që kemi patur dhe kontributin e gjeneral Baki Shehut, i shpreh familjes së tij të nderuar, miqve dhe të afërmve, ngushellimet më të ndjera dhe i lutem Zotit që shpirti i tij i mirë të gjejë paqen e merituar”, shkruan Berisha. /tesheshi.com/