Lulzim Basha mbledh aleatët dhe zyrtarisht ka përshëndetur qëndrimin e Ilir Metës, që e fton të nisin dialogun për qeverinë teknike.
Në deklaratën finale, kreu demokrat dhe aleatët e djathtë bëjnë të ditur se dialogun e nisin vetëm nëse do të jetë si objekt qeveria teknike dhe se Reforma në Drejtësi do të zbatohet pas zgjedhjeve.
Ja deklarata e plotë e PD-së dhe aleatëve:
“Koalicioni Opozitar konfirmoi sot se rruga e vetme e daljes nga kriza është krijimi i qeverisë teknike, me mbështetje të gjerë politike, që do të punojë për të realizuar kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme.
Duke përshendetur hapin e hedhur mbrëmë nga LSI për tu bërë pjesë e zgjidhjes së krizës së rëndë politike në vend, Koalicioni Opozitar rikonfirmon gatishmërinë për nisjen e dialogut politik për qeverinë teknike dhe fton Edi Ramën të heqë dorë nga kushtet dhe të vendosë interesat e vendit dhe të qytetarëve shqiptarë para interesave personale të pushtetit të tij.
Koalicioni Opozitar shpreh gatishmërinë e plotë për të punuar me të gjitha forcat politike pa asnjë paragjykim, për krijimin e qeverisë teknike, duke i dhënë asaj një mandat të fortë për:
1-Zbatimin e plotë të ligjit të dekriminalizimit.
2-Luftë efikase kundër narkotrafikut, krimit të organizuar dhe parave të drogës.
3-Përgatitjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme.
4-Zbatimin e reformës në drejtësi, sipas përcaktimeve kushtetuese të 22 korrikut.
Kjo është e vetmja garanci për të organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme ku shqiptarët të votojnë lirisht, të zgjedhin lirisht dhe vota e tyre të mos tjetërsohet”. /tesheshi.com/