Nga Ylli Pata
Sapo Rama shpalli qeverinë, të dielën në drekë në Asamblenë Socialistë, opozita iu turr çuditërisht për emrin e Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit, edhe pse kjo ishte bërë më dije muaj më parë dhe nuk kish asgjë për t’ju ndjerë e befasuar.
Nëse ju përpiqeni t’i drejtoheni një demokrati që e urren këtë figure klasike dhe tradicionale të së majtës, pra Ruçin, dhe e pyet se për çë konkretisht, vështirë se ai do mund ta detajojë se pse pra në gjoksin e tij ka një trazim nga ky emër. Nëse niset nga fakti që Ruçi ka qenë dikur pjesë e nomeklaturës komuniste, ky është një standart i prishur nga vetë PD, e cila prekj kur u themelua nuk e ka patur për hall që të fusë në gjirin e saj kontigjente njerëzore nga Partia e Punës, ku për paradoks vetë kreu i saj, Berisha, vjen pikërisht nga strukturat e asaj partie, si anëtar dhe funksionar i saj. Nëse nisemi nga fakti se Ruçi ka qenë Ministër i Brendshëm në kohën e 2 prillit tragjik në Shkodër, atij jo vetëm që nuk i është provuar ndonjë fajësi konkrete, por vetë PD nuk ka artikuluar kurrë ndonjë akuzë qoftë dhe politike ndaj tij, lidhur me atë ngjarje, përfshirë këtu dhe mosgritjen zyrtarisht të ndonjë të tillë.
Ndërkohë, në 25 vjet politikë, PD e ka respektuar Ruçin si individ politik. Mjaft fakti se është ulur me të në tryeza bisedimesh. Nëse do kishte ndonjë rezervë ndaj tij si një “ish”, ahere së paku do e kushte shmangur në emër të një morali politik. Atëherë për çfarë realisht u djeg Ruçi – kryetar Kuvendi?
Pra është e qartë se opozita synon ta kthejë “çështjen Ruçi” në një kartë morale.
Por dhe njehërë, a mund të jetë realisht një kartë morale kundërshtimi ndaj zgjedhjes së Gramoz Ruçit si kryetar Kuvendi?
Numri dy i Partisë Socialiste, është politikani më veteran që nga viti 1990 dhe është në një moshë politike me Sali Berishën dhe disa të tjerë. Që nga viti 1990, Ruçi ka qëndruar gjatë në strukturat e larta të PS-së por që nuk ka marrë kurrë pushtet aktiv në mandatet 1997-2005 dhe 2013-2017.
I diplomuar për biokimi në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, i lindur në Salari të Tepelenës, në kapërcyell të sistemit komunist drejtonte një organizatë të PPSH-së në një kooperative bujqësore.
Një vizitë e Ramiz Alisë në Tepelenë, i dha Ruçit fatin për t’u ngritur në karrierë. Në fund të komunizmit Ruçi drejtoi Komitetin e PPSH-së së rrethit Tepelenë.
Por Alia, nuk e kishte harruar salariotin energjik.
Në vitin 1991, i sugjeron Fatos Nanos që mund ta marrë në qeverisjen qendrore, ku kryeministri i qeverisë kujdestare që u emërua pas ngjarjeve të 20 shkurtit, pra rrëzimit të shtatores së Enver Hoxhës, e emëron Gramoz Ruçin si Ministër të Brendshëm.
Ruçi, ndodhi të jetë ministër në një kohë të rëndë, që menaxhoi zgjedhjet e para pluraliste të 31 marsit 1991, të cilat përgjithësisht shkuan të qeta, por më 2 prill 1991, pas një demonstrate të organizuar nga opozita e asaj kohe u vranë katër vetë: Arben Broci, Bujar Bishanaku, Naim Kryeziu dhe Besnik Ceka.
Për ngjarjen e rëndë dhe tragjike u zhvillua një process gjyqësor ku u shpallën fajtor katër drejtues të policisë lokale, por asnjëherë nuk doli në dritë fakti se kush armë i qëlloi “Dëshmorët e Demokracisë”.
Ka shumë teori për 2 Prillin, por realisht asnjëherë nuk doli një ekspertizë finale se nga cila armë doli plumbi.
Megjithatë, Gramoz Ruçi ishte ministër i Brendshëm në atë kohë. Dhe Partia Demokratike nuk ngriti zyrtarisht qoftë edhe një hetim normal ku Ruçi të ishte i pandehur.
Vetë Gramozi ka shkuar në prokurori në atë kohë në shumë e shumë seanca, pa munguar asnjëherë, madje mori pjesë edhe si dëshmitar në procesin ndaj Çapajev Taçit, Dilaver Papares, Gjek Çelës dhe Xhemal Demyles, që u dënuan për shpërdorim detyre në 2 prill.
Mbahet si epike ardhja e Ruçit në vitin 1993 në Shkodër, ku jo vetëm që dha dëshminë e tij publike, por doli në qytet duke takuar miq të vjetër të Universitetit dhe natyrisht edhe të partisë.
Nuk pati asnjë lançim publik, madje as akuzë nga PD-ja lokale.
Gramoz Ruçi si ministër i Brendshëm, ka firmosur një urdhër ku lironte të gjithë të burgosurit politikë që ishin dënuar gjatë 45 vjetëve të diktaturës.
Pas zgjedhjes së Ramiz Alisë si President i Republikës, pra në fillim të prillit 1991, Fatos Nano ngriti qeverivë e parë post-pluraliste në vend, ku Gramoz Ruçi u emërua në postin e Kryetarit të Sigurimit Kombëtar.
Pra Nano e ktheu shërbimin sekret si një dikaster që varej nga qeveria- një ministri.
Qeveria e Nanos mori votbesimin nga Parlamenti por u rrëzua një muaj më pas. Megjithatë, ajo qëndroi në punë deri në muajin qershor kur erdhi në fuqi qeveria e Ylli Bufit, e koalicionit PS-PD.
Lufta më e madhe në Parlament e PD-së ishte që shërbimin sekret ta linin jashtë qeverisë, si një institucion me ligj të veçantë. Siç ndodhi, ku po në vitin 1991, në krye të SHIK-ut u zgjodh Irakli Koçollari, që vinte nga strukturat e kundërzbulimit.
Por Grramoz Ruçi, qëndroi në krye të shërbimit sekret për 2 muaj. Pa zhurmë dhe bujë. Më pas vazhdoi karrierën e tij si deputet i Partisë Socialiste, ku u zgjodh edhe Sekretar i Përgjithshmëm.
Kjo periudhë është dhe koha që Ruçi mori edhe pushtetin më të madh real por jo virtual.
Të gjithë i druheshin njeriut që “mund të kishte dosjet e frikshme të politikës”, por vetë Ruçi ka mohuar çdo gjë.
Çfarë nuk është folur për atë kohë, që ka kopjuar gjithçka, ka regjistruar me mikrofilma dhe di të gjithë pseudonimet e politikës.
Por fakt është që kur dilte Gramoz Ruçi në parlament e fliste pak si gjithnjë, të gjithë s’bzanin. Ruçi realisht nuk dha asgjë dhe nuk sulmoi asnjë politikan për lidhje me sigurimin.
Natyrisht komunikimi i tij në politikë nuk është konvencional, në mënyrën e tij: i qartë, i sertë alla-labçe por realisht pa sharje dhe sulme personale.
Në vitin 1996 Berisha bëri gati edhe ta arrestonte, por Gramoz Ruçi e mori vesh “live” dhe u largua nga vendi.
Në vitin 1997 rikthehet në politikë, duke mbuluar sërish organizimin e PS-së.
Në betejat e famshme mes Fatos Nanos dhe Pandeli Majkos dhe Fatos Nanos dhe Ilir Metës, Ruçi kthehet në një grup i rëndësishëm interesi brenda PS-së, duke u bërë njeriu që i referoheshin një pjesë e madhe e bazës socialiste. Sidomos në jug të vendit por jo vetëm.
Në vitin 2005, kur PS humbi zgjedhjet, Ruçi mbështeti Edi Ramën për kryetar, duke sakrifikuar edhe veten, ku dha dorëheqjen.
Pas një largimi të shkurtër, Rama e riktheu duke e pasur numrin dy të padiskutueshëm në të gjitha betejat elektorale.
Në 8 vjet opozitë, Ruçi ishte kryetar i grupit parlamentar, ku Rama largoi Blushin për këtë.
Rama i dha qarkun më të vështirë siç ishte ai i Fierit, që ka numrin më të madh të deputetëve dhe Ruçi në çdo zgjedhje arriti ta kthejë në fitues, gjithmonë e më shumë, duke ardhur në zgjedhjet e fundit që arriti rekord.
Ndaj këtë herë pas një periudhe të gjatë pa një post publik dhe kur flitet se Ruçi po bëhet gati të largohet nga politika, Rama ka bërë gati dhuratën t’i japë parlamentin si testament politik.
Por duke rrezikuar. Varet si janë bërë llogaritë e Ramës, megjithatë Ruçi nuk mund të kthehet në çështje politike për opozitën, e cila ka pasur 25 vjet që të kthente këtë histori në një ngjarje. Por jo vetëm që nuk e ktheu por mori me vete edhe pjesë të historisë që Ruçi i përket. Kastriot Islami është vetëm një emër. /tesheshi.com/