Nga Vepror Hasani
Në qytetin e Korçës bëhej dasmë. Martohej Andrea Ilo Rëmbeci. Kishin ftuar edhe “Bandën e Lirisë” për të kënduar këngët më të bukura shqiptare. Grekomanët që kishin marrë përsipër t’i tregonin botës se Korça ishte Greqi, të kryesuar nga Jani Dardha sulmuan ditën e dasmës, më 30 korrik 1909. Ca kishin rrëmbyer shkopinjtë e ca pushkët dhe u derdhën paprituar mbi djemtë e “Bandës”, rrahën çiliminjtë, muzikantët e vegjël dhe ikën nga sytë këmbët. Edhe pse e gjitha kjo ishte një marrëzi e pashembullt, ata përsëri nuk hoqën dorë nga çmenduria e tyre:
“Këta bukuroshë punën nuk e lanë me kaq, por për të nxjerrë një trazim, që të dëgjohej në botë e të përflitej se Korça është Greqi dhe jo Shqipëri, më të nesërmen, ca gjakatarë si Jani Dardha; biri i heqim Polenës; biri i Sugarit dhe shumë të tjerë qenë fshehur në farmaqio të Gaqi Fugës dhe në shkollën primare të grekomanëve, të cilat janë afër dhe përsëdrejti me shkollën e “Bandës së Lirisë”, dhe me të dalë nxënësit e “Bandës” zotërinjtë Fuat Dishnica, Ferid Frashëri, Nuçi Mborja dhe Jaup Dishnica, Jani Dardha i sulmoi ata, plagosi Feridin në këmbë dhe iku, po Perëndia nuk e la hakën pa marrë, se plumbat që hodhën shokët e zotit Jani nga farmaqia ndoqën Janin dhe paksëpaku i shpuan barkun”.
(Gazeta “Korça”, 14 gusht 1909)
Sikur të mos mjaftonte e gjitha kjo, dhespoti i Korçës doli në rrugë për të nxitur sherrin mes ortodoksve dhe myslimanëve:
“Atë ditë që u bënë këto plagosje, shenjtëri e tij, dhespoti, pa e patur detyrën e vet, por vetëm për ndonjë qëllim marrëzie, doli nëpër Çarshi që t’i binin pas të krishterët, megalidhiotët, edhe kështu të bëhej një turbullim që të merrte fund qëllimi dhe mejtimi i grekomanëve… me gjithkëtë kryeqeveritari Galip Pasha duke ditur detyrën e vet, dhespotit, i cili vajti sikur të qahet për ngjarjet që u bënë, i tha: “Ti je dhespot, puna jote është vetëm për shërbim besoj, dhe kurrë për gjëra të këtilla, prandaj nxito dhe ec në Mitropoli dhe mos të të shoh të voziç nëpër rrugë!”
Dhespoti, si mori këtë përgjigje nga kryeqeveritari, kuptoi fajin e tij dhe unji kokën e mbajti udhën e Mitropolisë…”.
(Gazeta “Korça”, 14 gusht 1909)
Ngjarja me djemtë e “Bandës”, la të çuditur gjithë qytetin. Askush nuk e besonte dot: “Neve çuditemi shumë për këto ngjarje. Vallë vërtet këta mendjeshkurtër ushqejnë ndonjë shpresë që t’i arrijnë asaj ditë të shohin veten e tyre sipas nevojës së vet? … Këta mendjehelenizmosët janë shumë të lajthitur. Duhet ta dinë se mejtimet e tyre janë fyle dhe kurrë nuk mund të gjejnë fund dëshirat që ushqejnë me shtytjen e ca interestarëve e ca njerëzve të pabesë. Do të jetë shumë mire që ata zotërinj, që venë pas berihajt edhe nuk dinë seç punojnë të heqin dorë, dhe dyke mbajtur kombësinë të mburren edhe të lavdërohen…”
(Gazeta “Korça”, 14 gusht 1909).
Për plagosjen e Jani Dardhës dhe Ferid Frashërit u bënë shumë arrestime. Jani Dardha këmbëngulte që ishte plagosur nga anëtarët e “Bandës së Lirisë” dhe jo nga shokët e tij: “Nga ata të çmendurit grekomanë, që u vajtën përsipër djemve të “Bandës”, pardje u burgosën 25 shpirt dhe tre nga djemtë e “Bandës” duke u gjykuar si fajtorë”.
(Gazeta “Korça”, 1 vjesht e II-të 1909)
Ditë më pas, pati arrestime të tjera:
“Për plagosjen e z. Jani Dardha dhe të Ferid Frshërit, është burgosur Hysen, Fuad, Jakub Dishica, Jusuf Halid Kolonja, Shaban Frashëri, Kristaq Aristidhi, i biri i Kost heqim Polenës, edhe Asllan Starja, Nuçi Dishnica dhe Dhori Lepçishti”.
(Gazeta “Korça”, 21 vjesht’ e I-rë 1909)
Megjithatë “Banda e Lirisë” vazhdonte të funksiononte njësoj si më parë. Grekomanët nuk guxonin më të qaseshin afër saj:
“Të dielën që shkoi “Banda e Lirisë” bëri një shëtitje përjashta qytetit tonë për zbavitje. Afro gjysmi i qytetit kishte dalë që të dëgjonte “Bandën” edhe të kënaqej shqip. “Banda”, kur kthehej, lojti një pjesë të bukur përjashta Katundarisë (Bashkisë), afër zyrës së gazetës “Korça”.
(Gazeta “Korça”, 8 vjesht’ e II-të 1909).
Ndërkohë Ferid Frashëri ishte shëruar dhe gëzonte shëndët të plotë:
“Ferid Frashëri, i cili qe plagosur nga grekomanët u shërua, dhe është mirë nga shëndeti. Gëzohemi”.
(Gazeta “Korça”, 15 vjesht’ e II-të 1909)
Më pas erdhi lajmi më i keq nga ai që prisnin grekomanët. Shumë prej anëtarve të “Bandës së Lirisë” që mbaheshin në burg, u liruan:
“Djemtë e “Bandës”, që qenë burgosur, pardje u lëshuan dhe këto ditë do të nis të rrjedhë gjyqi i tyre”.
(Gazeta “Korça”, 22 vjesht e II-të 1909)
Shpresat për shpalljen të pafajshëm të anëtarëve të “Bandës” ishin të mëdha:
“Njëdizaj shkuan për Manastir 9 shpirt që janë mbyllur për çështjen e Jani Dardhës. Të gjithë ishin korçarë, duke patur nga dy xhandarë në çdo karrocë. Jemi më shumë se sigur që Gjykatorja e Manastirit do t’i lirojë këta njerëz pa faj, të cilët dergjen në burg. …Shprehemi për së shpejti të vështrojmë në Korçë të liruar e të kthyer me shëndet, se e drejta mbretëron”.
(Gazeta “Korça”, 2 vjesht’ e III-të 1909)
Kurse gazeta “Lidhja Ortodokse” jepte këtë informacion:
“Gjithë djemtë që bënë atë zihje (zënkë) në dasmë të Andrea Ilo Rrëmbecit, u lëshuan nga burgu. Tani kanë mbetur në burg vetëm ata me çështjen e Jani Dardhës. Këta janë: Fuat bej Dishnica, Jaup bej Dishnica, Ferid bej Frashëri, Kristaq Aristidhi, Arsllan Starja, Shaban Isufi, Nuçi Hanxhiu, Dhori lepçishti, Themistokli Polena, Isuf Taullau. Gjyqi i kësaj çështjeje do të gjykohet në Manastir edhe kemi shpresë të madhe që e drejta do të dalë në shesh e do të lirohen të gjithë me mos patur ndonjë faj”.
(“Lidhja Ortodokse”, e hënë, 2 vjesht’ e III-të 1909)
Ndërkohë mbërriti edhe një lajm tjetër i keq. Kishte vdekur biri i Kost heqim Polenës: “Më 2 të nëntorit vdiq i biri i heqim Polenës, i cili ishte burgosur për ngjarjet e fundit në Korçë. Prindërit i ngushëllojmë nga zemra për humbjen që u ngjau. Varrimi iu bë me nder të madh nga ana e grekomanëve, me gjithë që vdiq prej një vdekjeje natyrale dhe jo prej gjësendi tjetër. Në fjalën që mbajti dhespoti tha se vdiq theror i kombit dhe se vdekja e tij do të zërë atë më të bukurën faqe të historisë(!) Përse???”
(Gazeta “Korça”, 5 vjesht’ e III-të 1909)
Të burgosurit e Manastirit ishin krenaria e gjithë shqiptarëve kudo që ndodheshin:
“Një letër që morëm nga të burgosurit shqiptarë që janë në burg të Manastirit për plagosjen e Jani Dardhës, na tregon se shqiptarët që ndodhen në Manastir i kanë kënaqur me të tepër. Kryesonjësi dhe nënkryesonjësi i klubit dhe gjithë atdhetarët e Manastirit kanë vajtur dhe përditë venë e i pyesin për shëndenë dhe dyke u dhënë kurajo, nuk i lënë të helmohen. Qofshin të lavdëruar!”
(Gazeta “Korça”, 12 vjesht’ e III-të 1909)
Jani Dardha kishte nisur të kuptonte se laku po shtrëngohej për qafën e tij:
“Zoti Jani Dardha që u nis për të vajtur në Misir, me qenë që është i pandehur i plagosjes së Ferid Frashërit, Gjykatorja e Manastirit e ndaloi dhe tashti është në Manastir nën vështrim të xhandarmërisë gjer sa të marrë fund përpyetja e parë”.
(Gazeta “Korça”, 12 vjesht’ e III-të 1909)
Dhe ashtu po ndodhte vërtet:
“Në gjykatorën e Manastirit u vërtetua që Jani Dardha është plagosësi i Ferid bej Frashërit. Z. Jani Dardha me të marrë vesh vendimin e Gjykatores, përnjeherë u fsheh në Manastir dhe akoma nuk ka dalë në shesh. Shumë herë i kanë shkelur shtëpinë këtu në Korçë, po nuk e kanë gjetur. Si flitet, Jani Dardha ndërroi fytyrën dhe kapërceu kufijt e Turqisë dhe thonë se arriti në Misir, po nuk besojmë. Ne themi që është fshehur më ndonjë vrimë të ndonjë manastirjoti ose për Idhenë e Eladhës do të jetë bashkuar me karavidhet e Greqisë”.
(Gazeta “Korça”, 19 vjesht’ e III-të 1909).
Anëtarët e “Bandës së Lirisë” u kthyen kryelartë në Korçë:
“Gjyqi për ngjarjet e Jani Dardhës u mbarua, edhe korçarët e burgosur prej 5 muajsh dolën të pafajshëm dhe i kthyen në Korçë ku shqiptarët i pritën me “Bandën” edhe me kushedi sesa qere plot njerëz”.
(Gazeta “Korça”, 30 janar 1910)
Ndërsa Lidhja Ortodokse shkruante:
“Të burgosurit e Manastirit z. Fuat dhe Jakup Dishnica, Jusuf Taullau, Kristaq Aristidhi e Ferid bej Frashëri urdhëruan në Korçë. Banda e Lirisë e një shumicë e madhe duall edhe pritën atdhetarët e flaktë, të cilët ndenjën nga 6 muaj në burg”.
(“Lidhja ortodokse”, 9 shkurt 1910)
Vetëm Jani Dardha nuk po dukej. Nuk dihej nëse do të dilte më në mejdan.
Gjithsesi, kjo ngjarje tregon më së miri kush ishin nxënësit e “Bandës së Lirisës” me të cilët është spekuluar aq shumë.
Megjithatë, për të mësuar më shumë na ndiqni fundjavën që vjen, do t’ju tregojmë çfarë ka thënë Gjergj Fishta për grekomanët e Korçës. /tesheshi.com/