Çfarë kanë të përbashkët Balshoi dhe kallashnikovi? Sipas një dokumentari të ri që eksploron pasojat e një sulmi të vitit 2013 me acid mbi kompaninë legjendare të baletit në Rusi, këto janë dy markat që përcaktojnë Rusinë moderne.
Filmi që transmetohet në kinema, është xhiruar gjatë në një kohë kur institucioni ndodhej në një fazë të kërkimit të shpirtit të vet dhe shqyrton se çfarë do të thotë sulmi mbi drejtorin artistik, Sergei Filin, për panoramën më të gjerë të politikës ruse.
“Ishte një histori kaq e pazakontë kur shpërtheu, madje edhe sipas standarteve të botës së fshehtë ruse”, tha një nga regjisorët e filmit,
Nick Read, ndërsa filmi u dha premierë në një festival filmi në Kopenhagen.
“Acidi nuk është një armë që ka shumë përdorim. Kjo është arsyeja pse isha kaq kurioz dhe përse ngjarja krijoi një kureshtje të thellë në Rusi. Të gjithë ishin duke u menduar. Ngjarja hapi një nga tapat e shishes së gjarpërinjve”.
Së bashku me regjisorin tjetër, Mark Franchetti ishin duke përfunduar një dokumentar të gjatë për një burg të izoluar për vrasësit serialë në Uralet ruse, kur balerini kryesor në Balshoi u sulmua me acid. Të dy negociuan për të pasur akses për të filmuar brenda teatrit në sezonin 2013-2014, ndërsa kompania u pasurua me lidership të ri nën ndikimin e figurave të larta në qeverinë e Vladimir Putin dhe u përpoq të rikthejë reputacionin e krisur.
Historia zyrtare tregon se balerini Pavel Dmitrichenko kishte orkestruar sulmin e vënë në zbatim nga dy keqbërës, për shkak se e dashura e tij nuk kishte marrë rolin kryesor në Liqenin e Mjelmave. Mësuesi i saj kishte qenë Nikolai Tsiskaridze, një balerin veteran që ishte hidhëruar përse kishte humbur detyrën e rëndësishme.
“Si lançohen këta balerinë nuk bazohet gjithnjë tek merita”, thotë Read. “Më shumë bëhet fjalë se kujt i je besnik, kë “lyen” dhe kush të ka nën patronazh. Kjo është trashëgimia e një të kaluare komuniste. Njerëzit janë të detyruar ta bëjnë veten të dukshëm, dhe kjo është arsyeja përse dalin në pah kaq shumë taktika të tjera si dyshimet për favore seksuale, korrupsion e të tjera”.
Dokumentari gjen material në kulturën e Balshoit që përfshin ndasi të mëdha mes palëve, të cilat i ka thelluar edhe më shumë presioni i fundit për t’u shndërruar në një entitet tregtar në epokën kapitaliste. Kërcimtarët tashmë janë në marrëdhënie të lirë pune për të shtuar rrogën bazë të tyre, ndërsa kanë një konkurrencë të egër për rolet e mëdha.
“Shpenzuam shumë kohë duke u përpjekur të gjejmë sesa i saktë ishte pasqyrimi i peisazhit politik në këtë teatër”, thotë Read. “Jam ende i pavendosur. Ka një intensitet politik dhe është përdorur si putër nga regjimi, por në të njëjtën kohë është një fluckë në realitet. Muret janë shumë të trasha”.
Read përshkruan mutacionet të cilave u është nënshtruar Balshoi.
“Gjatë luftës së Ftohtë ata ishin mesazherët që ngrinin në qiell nënën Rusi dhe që dërgoheshin jashtë vendit si ikona të pushtetit të butë. Madje edhe gjatë glasnostit dhe perestrojkës ata u dërguan në Shtëpinë e Bardhë për të kërcyer përpara Gorbaçovit që kishte mbërritur për të takuar Reganin.
“Më pas, në vitet e Jelcinit, kur strukturat shtetërore u çmontuan, krimi i organizuar u galvanizua dhe u shfaqën oligarkët. Balshoi duhet të ndryshonte me kohën. Edhe në vitet kur financoheshin nga shteti, ata ishin të varfër për shkak se e gjithë ekonomia nuk kishte qëndrueshmëri, por tashmë duhet të nisnin turet e tyre më dendur”, thotë ai.
Ky është momenti kur “marka Balshoi” hyri në skenë për t’u përdorur. “Tashmë ata kanë më shumë aspirata si institucion, sikundër edhe vetë balerinët”, thotë regjisori.
Drama njerëzore e Babilonisë Balshoi vjen nga tensioni midis Filin, Tsiskaridze dhe Vladimir Urin, kreu të ri që Kremlini solli nga teatri Stanislavsky.
Ai u ngarkua me detyrën e rikthimit të kontrollit dhe vendosjes së një sistemi të ri e transparent, por ankthi i Urin dallohet qartë në dokumentar.
Read thotë: “Je në vijën e zjarrit nëse je në krye të teatrit Balshoi. Eshtë një rol shumë i politizuar. Jam i sigurtë se dihet mjaftueshëm për stilin politik të Putin, që të kuptosh se çfarë ndodh nëse del jashtë radhëve”.
Read thotë se Urin ishte “thellësisht kontradiktor” : “Nga njëra anë ai është një besnik e nga ana tjetër është një rebel. E pyeta njëherë nëse ai besonte tek demokracia dhe ai vetëm sa qeshi, që është në një farë mënyre që lloj reagimi komunist. Njerëzit e brezit të tij janë pothuajse, le të themi, ambivalent për parimet demokratike. Eshtë një linjë e ashpër, një tipar dominues disiplinar”.
Edhe pse patën mundësi të hyjnë në teatër, Balshoi nuk është një libër i hapur. Read thotë: “Kishte rreth 3 mijë njerëz që punonin brenda tij, që është sinqerisht një shifër tmerruese”.
Fillimisht balerinët hezitonin të diskutonin për sulmin me acid. “Nisëm të bisedonimpër disiplinën e artit të tyre, frikën e lëndimeve, kohën e shkurtër në dispozicion për të pasur karrierë, të gjitha çështjet që janë të përbashkëta për balerinët në të gjithë botën. Na u desh shumë kohë që të ndërtonim besimin e duhur për të bërë pyetjet që donim vërtet të bënim”.
“Edhe pse ka shumë xhelozi profesionale, ata janë të gjithë besnikë të linjës së fortë ndaj institucionit. Ata e dinë se nuk do të kenë asgjë më të mirë në botën e tyre sesa të kërcejnë për Balshoin. Por në bisedat me ne ata sigurisht ndjenin se kishte nisur një process pastrimi në atë që ata duhet të arrinin në anën tjetër”.
Kishte edhe shumë ego për t’u kënaqur. “Filin ishte ekstremisht i vështirë për t’u përballur me të”, thotë Read. “Ai po rimëkëmbej nga një lëndim shumë serioz, kështu që fillimisht ishte nën trajtim dhe nuk mund të gjendej lehtë”.
Ish-drejtori ishte i padisponueshëm për të gjithë. “Ai është i vetmi personazh në ndërtesë që operonte nga pas dyerve të mbyllura me çelës. Kjo është arsyeja përse bëhet fjalë për një figurë përçarëse. Ai ishte një balerin i madh, po kush e ka thënë se balerinë të tillë mund të bëhen edhe menaxherë të mëdhenj”.
Pavarësisht skandalit dhe intrigës në zemër të historisë, “Bolshoi Babylon” i shmanget një mesazhi përfundimtar apo moralizues për skandalin me acidin dhe pasojave të tij.
“Rritur me një traditë vëzhgimi, unë do ta bëja më shumë audiencën të vendosë vetë”, thotë Read. “Por, duke parë skenën thellësisht të politizuar dokumentari përfaqëson një dritare unike për të parë një institucion që e mban balancën delikate mbi tehun e thikës: atë mes virtuozitetit kulturor dhe natyrës brutale të aspiratave në Rusinë moderne.
Siç thotë një komentator rus në nisje të filmit: “Rusinë nuk e përfaqësojnë shumë marka. Një prej tyre është baleti Bolshoi, tjetra është kallashnikovi”.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/