Afera “Babale”, e cila ka pushtuar opinionin publik shqiptar me zhurmën e saj, prej shumëkujt trajtohet dhe etiketohet si një “llum”, e jo vetëm se protagonistë të saj janë dy persona me kualitet të ulët qytetar, Albert Veliu dhe Fredi Alizoti. Prej tyre, është tashmë politika që ka shfaqur anën më të llumtë të saj, prej atij krahu që ka vendosur t’i rekruktojë për llogaritë e tyre në planet e ulëta politike, cilidoqoftë ai, i majtë apo i djathtë. Por tej kësaj, afera “Babale” është dhe refleksion i asaj çfarë ka gatuar politika, ose një kthim restoje për defekte të rënda në politikëbërje.
Te PS, “Babale” është përgjigja e një pandjeshmërie nga ana e lidershipit qeverisës për të patur në poste të larta drejtuese e përfaqsuese njerëz me integritet edhe tej vetes në rrafsh personal. Gjatë këtyre viteve, mazhoranca ka çeduar rëndë pikërisht në këtë pikë. Ajo u ka besuar pushtet njerëzve me cene, që më pas, pavarësisht (a)moralitetit politik të opozitës, janë bërë shënjestra të saj duke i sjellë kosto të rënda imazhit qeverisës.
Nëse vihet re, kur Rama flet për rolin e SPAK-ut te pasuria e politikanëve që do e hetojë, ngre paksa zërin edhe për të afërmit e tyre në gjak. Por këtë standart nuk e ka zbatuar me të zgjedhurit e tij. Rasti më i fundit është deputeti Rraja, i cili, edhe pse ne rrafsh personal nuk ka ndonjë mëkat, fakti që paska një fëmijë problematik në shoqëri, që në një moment edhe mund të të bëjë gjëmën, është një akuzë e rëndë për një kryeministër me pretendime sqimtare. Kështu ndodhi dhe me rastin e Luiza Xhuvanit, e kështu po ndodh dhe me rastin e Fatmir Xhafajt, pa llogaritur precedentet me deputetë e krerë bashkish me probleme në të kaluarën. Ai dokumenti zyrtar me të cilin mbrohet Rama, kur thotë se dëshmia e penalitetit ka mjaftuar për të, nuk vlen aspak kur është fjala për një vend të vogël si ky i yni ku njerëzia, pavarësisht se çfarë mund të thotë një dokument, të njeh mirë se kush je e sa vlen.
Kështu dhe në rastin me ministrin Xhafaj. Për hir të së vërtetës, Fatmir Xhafaj si individ politik, është ndër më korrektët e më seriozët. Edhe në rrafshin etik, ai është një model i komunikimit ku në asnjë rast nuk fyen, përçmon apo llapaqenëron ndaj opozitës me fjalor të rëndë. Por ja që e ka një cen, edhe pse jo për faj të tij – siç është pra një problem penal në të kaluarën e të vëllait, e që për më tepër ka të bëjë me çështjen sensitive të drogës, për të cilin nuk duhej ta merrte drejtimin e ministrisë së Rendit. Qelibarësia që kërkohet për poste të tilla, nuk është teprim. Sepse, ja kostot.
Po opozita ç’po paguan? Ajo po paguan po ashtu atë që vet ka gatuar kur ka patur pushtet në dorë. Në mënyrë të paprecedent, ajo po sulmon organin e akuzës, duke harruar që është pjesë e një drejtësie që ajo, sa qe në pushtet nuk u rrek kurrë ta reformojë. A keni dëgjuar ndonjëherë përsa PD qeverisi që shprehej për drejtësi të korruptuar që duhej reformuar? Kurrë jo! Madje kur erdhi në pushtet më 2005-ën, kishte në listë qeverinë e korruptuar por aspak drejtësinë e korruptuar, të cilën e degradoi akoma dhe më keq në 8 vite pushtet, duke e bërë që të shënojë rekorde pacipësie, për politizim e korrupsion bashkë.
Ajo, Prokuroria e poshtër për të cilën po qahet PD-ja për rastin “Babale”, nuk u bë e tillë sot. Ajo është dhe prej saj, mënyrës se si ka qeverisur, duke lënë situata dramatike në çdo sektor, te drejtësia akoma dhe më shumë. /tesheshi.com/