Si kryetar i komisionit kuvendar për zhvillim ekonomik dhe njohës i kësaj fushe, është një prej njerëzve që dha kontributin më të madh për miratimin e ligjit për “Trepçën”.
Dhe thotë se miratimi i ligjit në fjalë do të zhvillojë vendin, rritë punësimin, sjell investime; kurse kundërshtimet dhe kërkesat e Serbisë i vlerëson absurde.
Pra bëhet fjalë për deputetin e LDK-së, Muhamet Mustafa, i cili sqaron se përse Serbia nuk mund të ketë asnjë pretendim për “Trepçën”…
Intervistoi: Blendi Gashi
I nderuar deputet Mustafa, ju merreni më shumë më çështjet ekonomike dhe njohës i kësaj fushe po e nisim intervistën me miratimin e ligjit për “Trepçën”. Pse ky ligj është një zgjidhje e mirë?
Siç e dini, “Trepça” për më shumë se një çerek shekulli e ka humbur rrugën e zhvillimit. Për gati një dekadë në vitet 90-të shekullit të kaluar ishte e pushtuar nga regjimi i Millosheviqit, ashtu si dhe ndërmarrjet e tjera në Kosovë, dhe gjatë asaj kohe u abuzua në mënyrën më të keqe.
Pas lufte, qeverisja me “Trepçën”, nën administrimin e Agjencisë së Mirëbesimit (AKM) në kohën e UNMIK-ut dhe më vonë nën administrimin e AKP (Agjencisë së Privatizimit), ky aset ishte në një statusquo, në një gjendje të mbijetesës së vështirë, pa hapur perspektiva të investimeve dhe zhvillimit. Ligji mbi “Trepçën”, i aprovuar javën e kalur e çbëri këtë statusquo, përkufizon titullarin e pronësisë, krijon një strukturë moderne organizative të një shoqërie aksionare me infrastrukturë të nevojshme për t’u bërë atraktive për investime nga burime të ndryshme të kapitalit publik e privat, të invstitorëve vendorë dhe të huaj.
Ligji me përmbajtjen e vet ka krijuar një optimum të mbrojtjes së interesit publik dhe të aktorëve të tjerë të interesuar dhe të rëndësishëm për zhvillimet aktuale dhe përspektivën e kësaj kompanie me interes të veçantë. Interesi publik është i siguruar jo vetëm me përqindje të aksioneve që kontrollon qeveria (80%) si admnistratore e këtyre aksioneve e autorizuar nga Kuvendi, dhe kjo do të thotë edhe nga qytetarët e Kosovës. Fakti se punëtorët kanë 20% të aksioneve ka rëndësi esenciale jo vetëm për faktin se ata kanë bartur dhe bartin një barrë të madhe, por në zhvillimet e ardhshme, si pronarë të aksioneve ata do t’i kontribuojnë transparencës dhe llogaridhënies në kuadër të qeverisjes moderne korporative. Ata do të kenë qasje të detyrueshme në gjithë informacionin.
Ligji garanton edhe mbrojtjen e interesave të komunitetit në lokalitet ku janë minierat, ngase obligon që 20% e rentës minerare që paguhet në secilën tonelatë nxjerrur të xehes të përdoret për nevoja të komunitetit lidhur me mbrojtjen mjedisore, investime në infrastrukturë, shëndetsi, shkollim, sport e të ngjashme. Ligji promovon mundësi për investime në kuadër të partneritetit publiko-privat, investime direkte, inevstime të përbashkëta (joint venture) si dhe emetimin e letrave me vlerë, shitje të letrave me vlerë aksioneve për të siguruar burime për investime kur kjo kompani do të aftësohet për t’u regjistruar në njërën nga bursat e letrave me vlerë të standardeve ndërkombëtare. Ligji ka obliguar gjithashtu që mbrohen edhe të drejtat e “Trepçës” dhe të Kosovës për asetet e saj që ndodhen në entitet – shtet që kanë dalë nga ish-Jugosllavia dhe më gjerë. Pra ligji ka siguruar një qasje komplekse dhe të përshtatshme për specifikat e saj dhe ka hapur perspektivat zhvillimore.
Çka tash e tutje pas miratimit të ligjit për “Trepçën”?
Ligji tani për tani në kuadër të “Trepça sh.a”, ka futur minierat dhe flotacionet, por obligon që në kuadër të saj të jenë edhe njësitë biznesore të metalurgjisë së plumbit, asaj të zinkut dhe ajo e industrisë kimike. Mënyra se si këto njësi do të hynë në kuadër të “Trepçës” do të përcaktohet pas studimit të fizibilitetit që po punohet në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP) dhe pritet të përfundohet deri në fund të shkurtit 2017. Aktualisht, këto njësi janë jofunksionale dhe të ndërlidhura, dhe për dallim nga minierat e flotacionet të lidhura me më shumë pretendime të kreditorëve. Ka shumë zhvillime të reja teknologjike në këtë fushë, prandaj vendimet duhet të merren në bazë të informacioneve që do të jep studimi i fizibilitetit. Përveç kësaj, ligji promovon mundësinë që “Trepça .sh.a” të krijojë aleanca strategjike me investitorë për të përpunuar metalet e veta në Kosovë, në industri të shumta përpunuese që do të gjeneronin vlerë të lartë shtuese dhe punësim në Kosovë.
Pra, përpunmi i metaleve do të jetë e obligueshme të bëhet në Kosovë. Ky është një model biznesor që ndjek logjikën e zhvillimeve në vitet 70’ kur “Trepça” përjetoi një Rilindje në vitet 70’ të shekullit të kaluar nën udhëheqjen e ekspertëve të shkëlyeshëm të Kosovës nën lidershipin e Veli Deves. Ringjallja natyrisht se do të jetë një proces.
Ndryshimet do të jenë besoj imediate, po zbatimi i strategjisë së re të “Trepës” do të fillojë në vitin e ardhshëm. Ligji obligon bordin mbikqyrës të “Trepçës” dhe qeverinë që më së largu 6 muaj pas përfundimit të studimit të fizibilitetita të prezanetojë strategjinë në Kuvend dhe me këtë dokument do të përvijohet rruga zhvillimore e “Trepçës” si një kompani moderne e prosperuese.
Lista Serbe (partner në qeverisje i partisë suaj LDK-së) nuk e njeh vendimin e Kuvendit për “Trepçën”, për çka i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese? Si e shihni këtë veprim të tyre.
Ata i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese më tepër për disa aspekte procedurale dhe nuk kanë paraqitur asnjë kundershtim për përmbajtjen ligjit. Ankohen se nuk kanë qenë të konsultuar në procesin e përagtitjes dhe aprovimit të ligjit. Natyrisht se Gjykata Kushtetuese do të vlerësojë këtë parashtresë por përfaqësuesit e Listes Serbe në Kuvend dhe qeveri kanë pasur gjithë hapësirën dhe mundësitë e prëfshirjes në procesin përgatitjes dhe aprovimit të ligjit për “Trepçën” sikurse edhe partitë e tjera në koalicionin qeveritar dhe partitë e tjera në Kuvend.
Unë këtë më shumë e shoh si një tentim për politizim të kësaj çështjeje dhe si një tendencë nga Beogradi që kështu të tentojë të krijojë një hapësirë infiltrimi për t’u bërë palë diskutimi lidhur me pronën e Kosovës e që natyrisht është një nonsens dhe një aspiratë e pakuptueshme. Me këtë logjikë edhe do të duhej të diskutonim për transformimet dhe çështjet e tjera që kanë të bëjnë me kompanitë që kanë selitë e tyre në Serbi. Serbia dhe Kosova si dy entitete të ish-federatës Jugosllave kanë pasur të njëjtat kompetenca dhe ingerenca për administrimin e pronës shoqërore brenda kufijve të tyre.
Siç jeni në dijeni Beogradi po e kundërshton fuqishëm miratimin e ligjit për “Trepçën”, për çka ka marrë edhe një vendim për “shfuqizim” duke thënë se nuk e njeh vendimin e marrë nga Kuvendi i Kosovës. A ka rrezik që kjo çështje të përfundojë si temë e bisedimeve në Bruksel mes palës kosovare dhe asaj serbe?
Po shoh se shumë po merremi me deklaratat dhe “kërcënimet” nga Serbia lidhur me “Trepçën”. Gjithçka që vijen prej andej është pa kurrfarë baze ligjore dhe sistemore. Administrimi dhe qeverisja e “Trepçës” edhe në kohën e ish-Federatës Jugosllave kanë qenë tërësisht në duart e Kosovës autonome. Për të gjitha investimet që janë bërë ka garantuar Kosova dhe ka bërë investimet e dedikuara për zhvillimin e saj. Serbia nuk ka investuar asgjë në “Trepçë” dhe edhe po të donte nuk do të mund ta bënte këtë . Kjo situatë është përjetuar si faktike dhe asnjëherë as që është ngritur nga Serbia si një problem ekzistues. Kështu ishte deri në gjysmën e vitit 1990, kur qeveria e Serbisë, jashtë autorizimeve kushtetuese, me polici dhe ushtri e okupoi Kosovën, suspendoi gjendjen institucionale, vendosi një administrim pushtues kolonial, okupoi edhe gjithë ndërmarrjet shoqërore, përjashtoi 70% të të punësuarve në to ( shqiptarët), instaloi struktura menaxheriale pushtuese, instaloi të ashtuquajtura masa të administrimit të dhunshëm.
Çka ndodhi gjatë viteve korrik 1990 – qershor 1999 kur “Trepça” u pushtua nga regjimi i Miloseviqit?
Udhëheqësit/menaxherët e punëtorët shqiptarë u përjashtuan nga puna menjëherë, u zëvendësuan me administratorë të dhunshëm serbë, prodhimi gradualisht ra në vetëm 10-30 % të prodhimit; para korrikut 1990, pasoi një dezinvestim i thellë ( kur asetet vetëm u amortizuan dhe nuk zëvendësuan me investime as në nivel të amortizimit), qeverisës i “Trepçës”, regjimi serb nuk paguante borgjet për kreditë e marruna, të cilat sot ato figurojnë si obligim i Kosovës (!?) Në përgjithësi edhe ajo u fut brenda ekonomisë luftarake dhe vrastare të regjimit serb. Veç kësaj Serbia krijoi një fond fiktiv, fantom që tash e përmend aty këtu , i cili gjoja krijoi një pronësi në më shumë se gjysmën e “Trepçës” pa investuar asnjë “dinar”. Pas luftës regjimi kolonial serb u largua nga Kosova me gjithë aparatin e dhunës dhe instrumentet e tjera, “Trepça” ju kthye administrimit të Kosovës.
Administrata e OKB-së anuloi gjithë aktet diskriminuese të regjimit serb (duke përfshirë edhe këto të natyrës së këtij fondit fantom). Dhe rrjedhimisht qeveria serbe nuk është pyetur për asgjë, e as nuk ka mundur të pyetet rreth “Trepçës”. Prej nga atëherë e ka burimin gjithë ky hidhërim në Beograd? Është e vështirë që kjo të kuptohet ndryshe pos , një blof politik, një lojë e papërgjegjshme politike me reminishencë millosheviqiane dhe neokoloniale, në llogari të tensioneve në Kosovë e rajon, ngadalësim të proceseve të integrimeve evropiane për rajonin e për vete, ushqim i tensioneve ndëretnike, pengim punëtorëve serbë te “Trepçës” që të përfitojnë prej zgjedhjeve të avansuara që u ofron ligji, atyre njësoj si gjithë të tjerëve brenda një shoqërie aksionare dhe kompanie moderne.
Kërkesat serbe dhe ankesat e tyre janë aq absurde, jashtë kohës, jashtë hapësirës dhe realiteteve ekzistuese dhe atyre historike. Aq absurde saqë po më duket se shumë po merremi me to, si politikanët ashtu edhe mediat.Në kuadër të spastrimit të llogarive ekonomike, brenda procesit të normalizimit të mardhënjeve mids dy vendeve, në bisedimet për çështje ekonomike midis dy vendeve, këto dëme të mëdha dhe borgje të papaguara të “Trepçës” duhet të përfshihen në faturën e tërsishme që duhet të paguaj qeveria e Serbisë.
Pyetja e fundit për çështje ekonomike. Partitë e koalicionit PDK dhe LDK gjatë zgjedhjeve së bashku premtuan 120 deri 250 mijë vende pune. Sa janë përmbushur këto premtime? A ka shifra të sakta për punësimin dhe papunësinë në vend?
Po, njëri partner qeverisës ka premtuar rreth 120 mijë (LDK) e tjeri (PDK) 250 mijë vende pune. Më vonë pas formimit të koalicionit qeverisës është krijuar një program i përbashkët, ku nuk fiksohet ndonjë projeksion i vendeve të reja të punës , por logjika e tij është më tepër kah një mundësi reale që përputhet më shumë me projeksionet e LDK-së.
Ai projeksion ka një bazë të një modeli ekonomik që bazohet në një rritje vjetore ekonomike prej rreth 7% . Kjo nuk po arrihet këto dy vite të para të qeverisjes, mendoj për shkak të situatës politike, luftës së antagonizuar politike e cila ka hargjuar shumë energji. Për të arritur këto projeksione të rritjes ekonomike dhe të punësimit, investimet vjetore duhet të rriten diku për rreth 350 -500 milon euro.
Situata politike dhe ngecjet në forcimin e zbatimit të shtetit ligjor janë pengesat kryesore për këtë. Mendoj se në dy vitet që vijnë mund të priten rezultate më të mira. Vlerësime të përafërta lidhur me papunësinë ka, ndërkaq nuk ka statistika zyrtare për numrin e të punësuarve përgjithsisht e as sa është numri i të punësuarve brenda vitit. Natyrisht se ky është një nonsens për një vend ku rritja e punësimit është prioriteti më i lartë. Kemi kërkuar nga Agjencia e Statistikave që kjo mungesë serioze në vend të tejkalohet sa më shpejt. /tesheshi.com/