Nga Bashkim Kastrati
Në Universitetin e Prishtinës (UP) janë gjetur shumë parregullsi të natyrave të ndryshme. Sipas raportit të auditit, ekziston një numër i dobësive të qeverisjes së këtij universiteti veçanërisht në lidhje me llogaridhënien, komunikimin dhe bashkëpunimin e brendshëm, ndërtimin e besimit të ndërsjellët ndërmjet stafit, menaxhimin e rrezikut dhe cilësinë e raportimit menaxherial.
Parregullsi të tilla e kanë shoqëruar UP-në edhe në vitet paraprake dhe të cilat janë evidentuar nga auditi.
Sipas këtij raporti, lista kontrolluese e vetëvlerësimit, e plotësuar nga universiteti, e pasqyron këtë situatë vetëm pjesërisht, me disa komente pozitive mbi ekzistimin e aranzhimeve ekzistuese që nuk bazohen në dëshmi. Aranzhimet tjera të cilat do ta mbështesnin zhvillimin e qeverisjes, si përgjigjja efektive ndaj rekomandimeve të auditimit dhe operimi i një sistemi i auditimit të brendshëm të cilësisë së lartë, nuk janë të vendosura.
Sipas auditit, buxheti i pagave dhe mëditjeve nuk ishte planifikuar mirë sepse kompensimi i shtesave për përvojë të punës nuk ishte paraparë në rishikim të buxhetit. Kjo ka qenë një ndër shkaktarët për mos pagesën e orëve mbi normë ndaj profesorëve që arrinin në fund të vitit vlerën 775 mijë e 190 euro.
Gjithashtu, një numër i caktuar i pagesave ishin keq-klasifikuar. Katër pagesa me vlerë të përbashkët 75 mijë e 298 euro, ishin paguar nga investimet kapitale ndërsa blerjet i takonin kategorisë mallra dhe shërbime. Ndërsa dy pagesa me vlerë të përbashkët 12 mijë e 559 euro të ekzekutuara nga thesari, janë bërë nga subvencionet për mallra dhe shërbime. Po ashtu, kishte keq-klasifikime tjera në vlerë 133 mijë e 698 euro, brenda kategorisë së njëjtë ekonomike por në kode të gabueshme.
“Grumbullimi i faturave dhe mos pagesa me kohë për kontratën për furnizim me material zyrtar, faturat nuk ishin paguar sipas afatit të tyre mirëpo ishin grumbulluar nga muaji qershor deri në nëntor, duke rezultuar me 32 fatura në shumë 34 mijë e 760 euro. Si pasojë, 28 fatura ishin paguar pas afatit ligjor prej 30 ditëve. Kjo ka ndodhur si rezultat i kuptimit të dobët të kërkesave për pagesat e faturave brenda afatit 30 ditë”, thuhet në raportin e auditit.
Blerje pa procedura të prokurimit
Në Universitetin e Prishtinës, përkatësisht në rektorat shpenzimet për telefoni mobile për vitin 2015 ishin 25 mijë euro dhe shërbimet ishin blerë nga operatori “Vala” përmes kartelave mbushëse pa ndonjë procedurë të prokurimit. Gjithashtu edhe për shpenzimet e biletave të udhëtimeve zyrtare është vepruar njësoj
“Në dy raste kriteret e “larta” të vendosura në dosjen e tenderit kanë rezultuar me mungesë të operatorëve të përgjegjshëm, dhe rishpallje të tenderit. Si pasojë e kësaj është vonuar realizimi i projekteve. Për kontratën “Furnizim me pajisje të teknologjisë informative” i ndarë në tri lote nuk është planifikuar mirë disponueshmëria e fondeve sepse vetëm 2 nga 3 lotet e arrinin shumën 208 mijë e 297 euro, ndërsa në dispozicion ishin 210 mijë euro”, është e gjetura e radhës.
Gjithashtu, specifikat teknike të kontratës “Furnizim me pajisje të ndryshme në laboratorin e Fakultetit të Shkencave Matematikore dhe Natyrore (FSHMN)” ishin të mangëta. Njësia kërkuese kishte përshkruar specifikat në mënyrë identike me katalogun e kompanisë fituese duke vendosur edhe fotot në dosjen e tenderit. Kjo është në kundërshtim me legjislacionin e prokurimit dhe mund të perceptohet si favorizuese ndaj një kompanie të caktuar. Përkundër kësaj, zyra e Prokurimit nuk i kishe përmirësuar specifikat e njësisë kërkuese sepse sipas zyrtarëve të prokurimit kjo është kërkuar të vendoset nga menaxhmenti i universitetit.
Komisionet për mbikëqyrjen e punëve pa vendime zyrtare
Mbikëqyrja e punimeve për kontratën “Rregullimi e fasadës në objektin e FSHMN-së dhe Fakultetit Filologjik është përcjellë me një sërë problemesh. Përveç organit mbikëqyrës të caktuar në fillim, ishin formuar edhe dy komisione tjera, të cilat kanë mbikëqyrë punën e komisioneve paraprake. Përveç komisionit të rregullt, dy komisionet shtesë nuk kishin vendime zyrtare për punën e tyre nga rektori. Të gjitha këto kanë shkaktuar komunikim të dobët ndërmjet komisioneve, dhe vonesa në përfundimin e punëve; dhe Për kontratën për pastrimin e objekteve të UP-së, në raportet e njësive akademike nuk ishte specifikuar sasia e shërbimeve (metrat katrorë të objekteve për pastrim). Përderisa kompania që kryen shërbimet kishte faturuar në bazë të metrave katrorë.
“Rreziku Mbikëqyrja e dobët e kontratave apo projekteve rrezikon cilësinë dhe sasinë e shërbimeve dhe punëve të kryera. Mungesa besimit tek mekanizmat e brendshëm për mbikëqyrje kanë shkaktuar vonesa në kryerjen e punëve, mos ekzekutim të buxhetit, dhe potencialisht mund të paraqesin humbje financiare për universitetin”, tërheq vërejtjen auditi.
Duke marrë parasysh këtë parregullsi, auditi i rekomandon rektorit që të bëjë një vlerësim të kapaciteteve të brendshme për mbikëqyrjen e projekteve kapitale. Në rastet kur angazhohen staf i jashtëm duhet të sigurohet që mbështeten me vendime dhe të përcaktohen qartë kushtet e angazhimit për të shmangur konfliktet e mundshme ndërmjet komisioneve të mbikëqyrjes.
Gjatë vitit 2015, senati kishte angazhuar 478 ligjërues me orë mbi normë, mirëpo rektorati kishte vonuar aprovimin e listës dhe nënshkrimin e kontratave deri në 6 muaj. Në shumicën e rasteve profesorët i kanë mbajtur ligjëratat e semestrit dimëror (tetor, nëntor, dhjetor) 2015, ndërsa, kontratat e tyre janë nënshkruar deri në 6 muaj me vonesë. Kjo ka ndikuar në vonesën e kryerjes së pagesave dhe grumbullimin e obligimeve për orët e mbajtura. Sipas auditit, arsyet për këtë janë bashkëpunimi i dobët ndërmjet organeve qeverisëse të universitetit.
Ligjërues me katër kontrata për mësimdhënie!
Rregullorja e UP-së për të ardhurat personale përcakton që personeli akademik me dy marrëdhënie pune (me cilindo universitet) nuk mund të angazhohet me orë mbi normë.
Por auditi ka gjetur se në një rast i angazhuari ishte në dy marrëdhënie të punës, në universitetin e Prishtinës me kontratë primare, ndërsa në atë të Pejës me kontratë sekondare. Përkundër kësaj ai ishte angazhuar për orë mbi normë në Universitetin e Prishtinës dhe të Gjilanit.
Përveç kësaj, nuk ishte aplikuar ndëshkimi (i parashikuar me rregullore) ndaj ligjërueseve për mosplotësimin e orëve minimale të ligjërimit dhe të cilët ishin kompensuar edhe për orët e pa mbajtura.
“Kompensimet e parregullta të orëve mbi normë dhe për orët e pa mbajtura e dëmton financiarisht universitetin, e zvogëlon cilësinë e mësimdhënies si dhe sfidon arritjen e objektivave të universitetit. Rektori duhet të bëj një analizë për të përcaktuar pse kërkesat e rregullores së brendshme sa i përket angazhimit të stafit akademik dhe kompensimit të orëve nuk po zbatohen plotësisht. Në bazë të kësaj analize duhet të përcaktohen dhe ndërmerren veprimet e nevojshme për adresimin e sfidave të identifikuara”, thuhet në raport.
Sipas auditit, rektori ka marrë në konsideratë dhe është pajtuar me të gjeturat e detajuara dhe konkluzionet e auditimit, si dhe është zotuar se do t’i adresojë rekomandimet e dhëna. /tesheshi.com/