Skuadra e Diego Simeone-s mbylli një javë mjaft pozitive për të. Së pari qe kualifikimi në çerekfinalet e Champions League-s, e tani, këtë të dielë, vjen dhe fitorja ndaj një rivali të drejtpërdrejtë.
Ndryshe ngjet me Seviljen. Të martën u eliminua në Champions League nga Lestër Siti, pesë ditë më pas e pëson nga Atletiko e Madridit, duke vënë në rrezik pozitën e favorshme në klasifikimin e kampionatit spanjoll.
Për Atletikon e Madridit qe parashikuar një pjesë sezoni e vështirë, por një seri rezultatesh pozitive e kanë shkëputur nga ndjekësit e vendeve të mposhtme të renditjes, si dhe e kanë rifutur në lojë për pozicionet e epërme.
Atletiko fitoi 3-1 ndaj Seviljes, me një gol në pjesën e parë nga Godin, e me dy të tjerë në pjesën e dytë, shënuar nga Griezmann e Koke. Miqtë u përgjigjën vetëm me një gol të minutës së 85-të, që ishte krejt i pamjaftueshëm në një sfidë të tillë.
Në vend të tretë, pas Realit të Madridit dhe Barcelonës, Sevilja ka 57 pikë, dy më shumë se Atletiko e Madridit. /tesheshi.com/