Me një popullsi të moshuar dhe në tkurrje të shpejtë, qyteti Sutera në Sicili e pa fluksin migrator drejt Italisë si një mundësi shpëtimi.
Kur një telefonatë mbërriti në Sutera, pak vjet më parë, me kërkesën nëse do të kishte vend në varreza, përgjigja ishte e prerë: jo. Një anije plot me emigrantë ishte fundosur në Mesdhe. Pothuajse 400 persona kishin humbur jetën dhe duhej të varroseshin diku. Por në qytetin sicialian të Suterës, populluar gati tërësisht nga të moshuar, varrezat kishin shumë kohë që ishin mbushur.
Por, edhe pse nuk kishte vend për të vdekurit, kishte hapësirë të bollshme për të gjallët. Të gjithë banorët, përveç pak qindrave, ishin larguar nga qyteti për të gjetur punë në metropolet e mëdha, duke lënë pas vetes shtëpi të boshatisura. Tashmë, po vinte rasti që ato të ripopulloheshin.
Dhe kështu, që prej vitit 2014, Sutera e ka rritur popullsinë e vet me dhjetëra azil-kërkues. Shkollat kanë rilindur: kasapët dhe dyqanet ushqimore janë të lumtur me rritjen e bilancit, niveli i lindjeve ka arritur nivele të papara.
“Në vitet 1970, Sutera kishte më shumë se 5 mijë banorë”, thotë kryebashkiaku i qytetit, Giuseppe Grizzanti, për “The Guardian”. “Deri në vitet 1980 ne ishim 4 mijë, më pas në vitet ’90 vetëm 3 mijë. Çdo vit, Sutera humbte nga 300 banorë, për shkak të papunësisë. Shtëpitë u boshatisën, dyqanet u mbyllën dhe ne rrezikonim të shndërroheshim në një qytet fantazmë”.
Emri i qytetit, Sutera vjen nga greqishtja e lashtë, “soter” që do të thotë shpëtim. Vendosur në faqet e një mali të izoluar, ai përbënte një strehë ideale në kohë lufte. Tani, qëllimi antik po rigjallëron kuptimin e vet.
Për të djathtën italiane kundër-emigrantëve që është në lulëzim e sipër, komuniteti përfaqëson katastrofën e shekullit të 21-të: zëvendësimin e italianëve me të huaj. Por për banorët lokalë, përfaqëson një histori më të vjetër siçiliane: atë të emigracionit dhe largimit nga lufta, dhe mundësi tregtare po ashtu, që sjell lëvizja dhe shkëmbimi.
Ishte një prej tragjedive më të rënda me emigrantët në Mesdhe që krijoi këtë mundësi. Më 3 tetor 2013, pak milje larg ishullit italian të Lampeduzës, 368 persona humbën jetën kur shpërtheu zjarri në një anijë që po i afrohej bregut. Roma u kërkoi bashkive të zonës të varrosnin viktimat në varrezat e tyre. Sutera nuk ishte në gjendje të ndihmonte, por pati një tjetër ide.
“Mendova se nëse nuk mund të prisnim të vdekurit, të paktën të bënim diçka për të gjallët”, thotë Grizzanti, i cili në vitin 2014 ra dakord të lejonte shtetin italian që të vendoste azil-kërkuesit në shtëpitë bosh të komunitetit. Sutera u bashkua me programin e risistemimit që financon qytetet për të pritur një numër të caktuar njerëzish.
26-vjeçarja nigeriane Deborah, viktimë e trafikimit, është një prej 50 azilkërkuesve që jetojnë aktualisht në qytet. Ajo është strehuar në një apartament modest në katin e parë të një shtëpie. “Nuk mund t’u besoj syve”, thotë ajo. “Në vendin tim, nuk kisha madje një krevat. Ne kemi këtu ngrohje dhe kujdes mjekësor”.
Deborah kaloi 6 muaj në Libi, ku u përdhunua nga trafikantët. Vajza e saj, Sofia, lindur në Sutera, është tashmë një vjeç. Përpara arritjes së refugjatëve, kisha e Santa Agatës kryente shumë më tepër funerale sesa pagëzime, por kjo mungesë balance ka nisur të vetëkorrigjohet: në vitin 2016, në Sutera u lindën 7 fëmijë, gjashtë nga të cilët prej familjeve të azilkërkuesve.
Në vitin 2012, autoritetet po merrnin në konsideratë mbylljen e shkollës lokale, një kompleks masiv prej më shumë se 1 mijë metrash katrorë, trupa totale e nxënësve të së cilës shkonte deri në 10. Falë fëmijëve nga Etiopia, Pakistani dhe Nigeria, numri i fëmijëve në shkollë është i mjaftueshme për mbijetesën e saj. Refugjatët po ashtu po ndihmojnë në mbijetesën e bizneseve të tilla si kasapët, dyqanet ushqimore dhe bukëpjekësit.
Sutera është shndërruar në një simbol të integrimit, ndërsa modeli i saj po shqyrtohet edhe nga bashki e komuna të tjera siçilianë në rrezik zhdukjeje. Qytetet fqinje Mazzarino dhe Milena kanë ndjekur shembullin e saj, duke pritur dhe sistemuar azilkërkuesit e tyre.
Nunzio Vitellaro, koordinator i shoqatës që ndihmon në përzgjedhjen e aplikantëve për programin thotë: “Sutera tregon se procesi i integrimit nuk ka vetëm qëllime etike, por është po ashtu një mundësi për punë për shumë të rinj, të cilët, pa këtë projekt, do të ishin larguar nga ishulli”.
Për mbështetësit e së djathtës ekstreme, qyteti është një projekt naiv, financuar nga BE për “zëvendësimin e racës së bardhë”. Por për banorët lokalë, përfshirë edhe emigrantët, shtëpitë e të cilëve iu janë dhënë të ardhurve të rinj, tregon për atë që ka nevojë më shumë zona rurale e Italisë: jetë të re.
Gaetano Nicastro, djali i emigrantëve siçilianë, sheh një simetri të qartë në program: “Këtu ne jemi përballur me integrimin për 2 mijë vjet, dhe Sutera ka qenë “shpëtim” për shumë të huaj, por merreni me mend që Sutera sot është shpëtimi i vërtetë për refugjatët”.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/