Një përsëritje e provave të dy javëve më parë në Melburn të Australisë. Kjo është ajo çka ofruan provat zyrtare të garës së dytë sezonale në Formula 1, të zhvilluara para pak minutash në pistën e Bahrejnit.
Mjaft janë përpjekur pilotët e Ferrari-t ta lëkundin hegjemoninë e padiskutueshme të Mercedes-it në prova, por nuk ia kanë dalë dot. Edhe pse bëri një gabim në një prej xhirove, britaniku Hamilton, kampioni i botës në fuqi, e ka mbyllur me një kohë rekord xhiron e fundit të tij, që i ka mjaftuar të sigurojë vendin e parë.
Rosberg është renditur pas tij, me një diferencë të vogël kohore, dhe kështu dyshja e pilotëve të Mercedes-it do të jetë e para nesër në nisje.
Makinat Ferrari janë të vetmet që po tregojnë se mund t’i konkurrojnë aq sa munden ato Mercedes, me Vettel-in e Raikkonen-in të renditur sot në vend të tretë e të katërt.
Ricciardo shfaqet përsëri befasues me Red Bull-in, duke i mbyllur provat i pesti. Ai ndiqet nga dy pilotët e Williams-it.
Pilotët që do të nisen nesër nga tetë vendet e para janë këta, sipas rezultateve të provave të sotme zyrtare:
Hamilton, Rosberg, Vettel, Raikkonen, Ricciardo, Bottas, Massa, Hulkenberg.
Gara e Bahrejnit nis të dielën në orën 17:00. /tesheshi.com/