Postë elektronike e hakeruar, vjedhje të llogarive në Twitter, aludime njollosëse dhe marrëveshja prapa skene. Mirësevini në garën për detyrën më të lartë diplomatike në komunitetin ndërkombëtar- atë për sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.
Fituesi i mundshëm i garës do të ngjitet në fron për të qenë një shenjtor sekularist, një ambasador i paqes dhe zëri i të varfërve dhe keqtrajtuarve. Por, rruga drejt një pozicioni të tillë të lartë është e shtruar me mina dhe kurthe.
Këshilli i Sigurimit pritet të mbajë serinë e pestë të votimit që synon të nxjerrë një fitues nga nëntë garuesit e mbetur, për të cilin do të shprehen 15 vendet anëtare me votë të fshehtë.
Nga votimet e deritanishme, kryesuesi ka qenë António Guterres, ish-kryeministri portugez dhe komisioneri i lartë i OKB-së për refugjatët. Ai ka qenë qartësisht në krye në tre takimet e mëparshme të Këshillit të Sigurimit.
Guterres ka përfituar nga procesi i hershëm i përzgjedhjes që rezultoi të ishte në mënyrë të paprecedent i hapur për standardet e OKB-së. Secili konkurrent duhet të paraqiste një manifesto personale përpara 193 vendeve të Asamblesë së Përgjithshme dhe Guterres fitoi pikë me përmbledhjen e tij ku kishte humor, karizëm dhe mjeshtëri. Por rruga e tij drejt karrikes së sekretarit të Përgjithshëm është ende e bllokuar nga vetoja e një prej pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, me mjaft gjasa Rusisë.
Moska argumenton se është radha për një europianolindor që të udhëheqë Kombet e Bashkuara dhe mund të bëhet pengesë që një ish lider i një vendi anëtar të NATO-s të marrë timonin. Shefi aktual i OKB-së, Ban Ki-Moon është nga një vend aleat me SHBA-në, Koreja e Jugut dhe ishte kandidati i preferuar i amerikanëve dhjetë vjet më parë.
Në vend të dytë është ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajčák, i cili njohu një rritje surprizë nga i parafundit në listë pasi kryeministri prorus i vendit të tij vizitoi Moskën katër ditë përpara votimit të tretë ku fitoi pikë duke nënvizuar kritikat ndaj sanksioneve të BE-së për Rusinë për shkak të aneksimit të Krimesë. Për këtë arsye, Lajčák mund të përballet me veton e një ose me shumë vendeve anëtare nga pesëshja e përhershme.
Në vend të tretë, Vuk Jeremić, ish-ministri i Jashtëm serb, që sipas diplomatëve do të ketë me siguri veton e Uashingtonit. Ky i fundit nuk e ka falur kurrë Jeremić për kundërshtinë e tij ndaj pavarësisë së Kosovës, mes perceptimit se ai e përdori kohën që qëndroi president i Asamblesë së Përgjithshme si një platformë për retorikë nacionaliste.
Kërcënimi me veto, sidoqoftë, do të bëhet vendimtar vetëm në raundin e ardhshëm, kur pesëshja e përhershme do të hedhë votat e ngjyrosura. Secili kandidat që merr një votë të ngjyrosur midis votave shkurajuese do të dijë se ka goditur në një mur guri.
Në votimet e deritanishme, shpresa për një garë të fortë të konkurrenteve femra që do të sillte gruan e parë si shefe të OKB-së, duket se nuk ka gjetur terren. Në votimin e fundit, tre vendet e para në garë u zunë prej burrave.
Helen Clark, ish-kryeministrja e Zelandës së Re dhe shefja e programit të Zhvillimit të OKB-së, është një nga disa gratë e shumëkualifikuara në garë e cila doli shumë më keq nga sa pritej në votime, por megjithatë ajo hodhi poshtë rolin e seksizmit në gjithë këtë.
Në fund fare, konkurrenca dhe marrëveshjet mes fuqive të mëdha do të përcaktojnë fituesin. Ulje-ngritjet e votimeve paraprake janë një shenjë e asaj që po ndodh pas dyerve të mbyllura, por ato nuk rrëfejnë të gjithë historinë. Rivaliteti më i madh i garës së kësaj jave, për shembull, do të luhet me mijëra milje nga selia e Kombeve të Bashkuara, në kryeqytetin bullgar, Sofje.
Pasi e nominuara zyrtare e Bullgarisë, Irina Bokova, shefja e organizatës për arsimin dhe kulturën në OKB, UNESCO, doli me rezultate më të dobëta nga sa pritej në votimin në këshillin e Sigurimit, një fushatë me prapaskena nisi për zëvendësimin e saj me kolegen bashkëpatriote Kristalina Georgieva, komisioneren e BE-së për buxhetin, e cila ishte mposhtur në garën fillestare për nominim.
Publikimi i një serie artikujsh që sulmonin Bokovën, në shtypin britanik e gjetkë, bënë që ajo të ankohej për një fushatë të padinjitetshme njollosjeje. Liderët konservatorë dhe ata të krahut të djathtë në Europë nisën të ngrenë lart Georgievën, fushatë që kulmoi me një përpjekje të Angela Merkelit për të bindur Vladimir Putinin ta pranonte atë, përpjekje e kryer gjatë samitit të G20 në Kinë.
Kthesa gjermane solli pasoja, duke nxitur reagimin e Moskës e ndërkaq duke “xhindosur” Francën e cila kundërshtoi përpjekjen e Merkelit për të treguar muskujt në atë që Parisi e sheh si një prerogativë të Këshillit të Sigurimit.
Georgieva ishte edhe në shënjestër të disa trukeve të pista. Më 9 shtator, llogaria e emailit e një prej anëtarëve të stafit të saj u hakerua dhe posta drejtuar një prej këshilltarëve të saj kryesorë e ku kërkohej të sulmohej Bokova, iu dërgua pjesës tjetër të stafit. Kampi i saj e konsideroi këtë një përpjekje për ta diskredituar Georgievën.
Rezultati i kësaj beteje të hidhur do të duket pas votimit në Këshillin e Sigurimit që do të ndikojë në vendimin e kryeministrit bullgar, Boyko Borisov për të dhënë mbështetjen e tij. 24 orë më herët, zyrtarë të tij u thanë gazetarëve në Sofje se Borisov do të jepte mbështetje për Georgievën, por menjëherë pas këtij lajmi, ai ndryshoi mendje dhe tha se do të vendoste duke parë sesi do të dilte Bokova në votimin më të fundit.
Që prej kësaj deklarate, zyrtarët rusë po ofrojnë votën për Bokovën si një mënyrë për të mbajtur rivalen e saj jashte gare.
Vetot e pesëshes së përhershme të Këshillit të Sigurimit për konkurrentët në garën për shefin e ri të OKB-së janë si një lojë me letra në një tavolinë ku luhet rëndshëm në rivalitetin për Sirinë, Ukrainën dhe konflikte të tjera. Atmosfera e helmuar në Këshill mund të krijojë një betejë të vërtetë nga e cila mund të bjenë viktimë kandidatët më të kualifikuar, duke hapur rrugën për garues më të panjohur.
Por mund të ndodhë edhe e kundërta, që pesëshja e përhershme të lërë mënjanë problemet përkohësisht dhe të mbrojë privilegjet e veta, pasi në rast së dështon të sugjerojë shefin e ri të OKB-së hap rrugën për një rol më të madh të Asamblesë dhe anëtarëve të tjerë në zgjidhjen e ngërçit.
“Megjithë diferencat gjeopolitike, logjika e kontrollit e pesëshes do të thotë se ata mund të arrijnë në marrëveshje. Ata janë pak të paduruar për të parë sesi transparenca më e madhe në përzgjedhje ka formësuar garën”, thonë ekspertët. Ata shtojnë se pikëpamja që mbizotëron mes pesë anëtarëve të përhershëm është se Asambleja e kreu rolin e saj dhe se zgjidhjet duhet të kthehen brenda kutisë.
Rrymat aktuale të betejave gjeopolitike dhe intrigat politike të Ballkanit duan të thonë se asgjë nuk vendoset deri në momentin e fundit. Për këtë arsye, kandidatët me rezultate të ndryshme në votimet e këshillit të Sigurimit po qëndrojnë në garë, të paktën deri në votat e ngjyrosura të tetorit.
“Orkestra nuk ka mbaruar akoma së luajturi”, thonë ekspertët, “çdo gjë mund të dalë si rezultat”.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/