Nga Eva Gjura
Profesori i Filozofisë dhe i shkencave komunikative, Artan Fuga, në një intervistë krejt ndryshe për “tesheshi.com” thotë mendimin e tij për ato që ne mund t’i quajmë shqetësime lidhur me zhvillimet e ditës në vend. Dhe kijeni parasysh, është profesor Fuga, me stilin e tij unik të të menduarit, reflektuarit, perceptuarit, parsiaturit, shprehurit të asaj për çka pyetet….
Pikësëpari, keni një irritim të brendshëm kohët e fundit të shprehur në statuse facebook-u, adresuar qeverisjes, drejtpërdrejt ose në mënyrë të tërthortë. Ligji i Arsimit, apo diçka më tepër se kaq?
Prit ta kuptoj pak pyetjen mirë. Ku e dini ju se kam një irritim të brendshëm? Se edhe ju më dukeni pak e irrituar me mua nëse nisem nga pyetja juaj. Keni ndonjë arsye? Mos ju kam vendosur ndonjëherë ndonjë notë jo të mirë, apo keni diçka më shumë? Si mund ta dijë dikush nga jashtë se çfarë ndjen së brendshmi dikush tjetër, në këtë rast i intervistuari i tij?!
Nga pikëpamja filozofike kjo është e pamundur. Kur të keni kohë lexoni Ëittgensteinin dhe do të kuptoni shumë gjëra. Gaboheni! Jo, jam shumë i qetë, shumë brenda detyrës sime qytetare, shumë në përputhje me ambiciet e mia në profesion, madje jetoj në harmoni me gjithçka më rrethon, edhe me kozmosin po deshët. Se pyetja juaj nis me një konstatim të formës së prerë, krejt i pavërtetë dhe pastaj ju jepni edhe alternativa përgjigjesh për mua dhe në vendin tim. Pra, me fjalë të tjera ju vetë pyesni dhe vetë përgjigjeni. Bëni monolog. Ju jeni gazetare portali pure player dhe duhet ta dini se gjuha në rrjetet sociale që unë u kushtoj rreth 30 minuta në ditë, jo më tepër, nuk është e njëjtë me atë të mediave klasike; pra format e shprehjes online, nëse janë ato që duhen, duken të çuditshme, të irrituara nga ata që nuk e kuptojnë këtë stil online që është si bashkëbisedim rreth një gote me miqtë në një restorant apo pranë një oxhaku me zjarr bubulak. Me të hedhura dhe të pritura, jo me fjalime protokollare.
Se mos është ajo që aludon Henri Çili, xhelozi intelektuale, pra karshi Ramës?
Shiheni pyetjen tuaj! Ju supozoni ndaj meje, atë që ju supozoni se dikush tjetër supozoka ndaj meje. Jeni njëherësh edhe vetja, edhe ai tjetri, edhe unë. Kjo quhet përzierje identitetesh personaliteti që në tekste të ndryshme konstatohet shpesh. Pa merak. Është një supozim që ne në shkencë e quajmë hipotezë antishkencore ose absurde, sepse ajo kurrë nuk hidhet poshtë dhe kurrë nuk provohet me asnjë argument. Prandaj, i quajmë hipoteza që duhen evituar. Kurrë nuk mund të provohet një motiv i brendshëm. Pastaj ju besoj se ju intereson thelbi i pikëpamjeve të mia jo se nga motivohen ato. Motivet as vetë individi që i ka nuk është në gjendje t’i gjejë. Por, nisur nga më sipër atëherë kur në fillim të viteve 2000 kam shkruajtur librin “Shoqëria Periferike” duke kritikuar modelin ekonomik të instaluar në vend, paskam pasur zili intelektuale ndaj zotit Berisha. Kur në librin “Majtas Jo Djathtas” kritikoja në 1998 politikat e Partisë Socialiste paskam pasur zili intelektuale ndaj zotit Nano. Tani kam zili intelektuale ndaj zotit Rama. Shqiptarët kur kritikojnë shoferët e autobusëve kanë xhelozi intelektuale ndaj fatorinos. Të sëmurët kur kritikojnë gjendjen e spitaleve paskan xhelozi intelektuale ndaj zotit Beqja. Kurse kur unë kritikoj dhe them se sistemi i mbledhjes të plehrave në Tiranë është në ditë të hallit, paskam xhelozi intelektuale edhe ndaj pastruesve të qytetit. A e kuptoni ku viheni me këto hipoteza që nuk kanë asnjë qëllim tjetër veçse objektivisht të bëhen avokatë të pushtetit të radhës për të pritur shpërblime prej tij, ndërkohë që nuk ka nevojë. Mos mblidhni gurë e tulla nëpër rrugicat e qytetit për të më “gjuajtur” mua me to!
Megjithatë, prof. Fuga është parë ndër vite si një intelektual klasi. Ama, denoncimet tuaja për atë që nuk shkon mirë në praktikat dhe vizionin qeverisës, janë dhe ca populiste. Vjen vetëvetishëm kjo, apo e keni zgjedhur me ndërgjegje stilin?
Pyetja juaj nis me dy konstatime që unë duhet t’i gëlltis, sepse më nxisni të shkoj te elementi i tretë që është pyetja. Më tepër, ju luani me egon time që unë të pranoj se jam “intelektual klasi”, që pastaj për inerci të pranoj se jam edhe “ca populist”. Kush i ha këto? Unë nuk di se çfarë është “klasi”, unë di se në Shqipëri dhe në Francë kam titujt dhe gradat shkencore më të larta universitare. Më vjen turp të bëhem i paturp. Me punë arrihet gjithçka. Ndërkaq, imagjino po më quajtët mua populist si do t’i quani ata që kanë folur për shëndetësi falas, për të pasur dhe të varfër që do të udhëtojnë në të njëjtin autobuz urban, për taksa më të larta për më të pasurit, etj. Nejse, ju keni të drejtë të etiketoni si të doni, problemi është të dimë statuset tona këtu, nëse jeni duke më bërë pyetje, apo jeni duke bërë pretenca gjyqësore me etiketa? Ju pohoni diçka dhe pastaj nuk pyesni nëse është e vërtetë apo jo, por kërkoni se përse jam ashtu si thoni ju. Ku quhet manipulim i pastër.
Paradokohe, patët dhe një replikë me bashkëkohësin tuaj, prof. Tarifën, mbi ligjin e Arsimin e Lartë. Por fatkeqësisht, ajo lloj replike, ai lloj debati në distancë, prej së cilit mund të përfitohej, edhe pse me kundërshti, nisi e degradoi në gjëra të sferës personale të tipit “kush je ti e kush jam unë”. Ju vjen keq për këtë?
Prapë i njëjti stil interviste. Më pëlqen që i vini atij personi etiketën “bashkëkohës” sepse vetëm koha astronomike na bashkon. Jam me miliarda individë bashkëkohës në të gjithë planetin, imagjino sikur të ketë edhe jashtëtokësorë!!! Përsëri po ju saktësoj. Nuk kam bërë asnjë replikë me asnjë “bashkëkohës” për ligjin e arsimit të lartë. Kam kritikuar tekstin kaq. Teknika juaj është jo korrekte. Ju më vini mua në një plan me kundërshtarin dhe thoni se degradoi debati në qendrime mbi personat, kush je ti dhe kush jam unë. E para, unë kur nuk debatoj duke sulmuar individin. Por, mbrojtësit e paguar të ligjit më kanë sulmuar në planin personal. Ndonjëherë edhe unë jam përgjigjur në rrafshin personal ndonjërit, por në mënyrë shumë të përmbajtur në raport me ato që mund të them e që di. Jam kundërpërgjigjur sulmeve në planin personal vetëm sa për të thënë se edhe unë mund ta bëj këtë gjë dhe se e njoh atë sport. Nuk është e vërtetë se ligjërimi im degradoi në planin personal. Në dhjetëra tekste të miat ju dhe kushdo tjetër ka qendrimin tim të argumentuar ndaj atij ligji. Pra nuk ka degradim. Kurse kur thoni se u mora me “kush je ti edhe kush jam unë”, përsëri gaboni, sepse në ato që kam thënë se “kush je ti” nuk janë veçse plotësisht të vërteta, kurse se “kush jam unë”, nuk e kam zakon ta them. Ju kthehuni në dokumente dhe shihni sa të vërteta janë këto që them unë. Pra, pse do të më vijë keq? Le që unë i harroj këto vogëlsira, incidente pa pikë vlere.
E vëreni që, kjo dhe me ndihmën e rrjeteve sociale, jemi shndërruar në mjeshtra denoncimi, ekselentë për t’ia nxjerrë bojën njëri-tjetrit, varësisht pozicioneve, por shumë pak ndërtues, shumë pak përgëzues për atë çfarë bëhet mirë, sigurisht nga tjetri. A është e nevojshme të ndërrojmë pak kahje dhe si, pasi nuk shkohet vetëm duke denoncuar?
Te rrjetet sociale e gjete t’i vesh diga denoncimit? Pikërisht te i vetmi mjet që ka qytetari për t’u shprehur lirshëm. Pse nuk u thua politikanëve mos denoncojnë aq shumë njeri -tjetrin! Pse nuk u thua gazetarëve dhe opinionistëve të mos denoncojnë njeri- tjetrin! Qytetarëve doni t’u mbyllni gojën? Jo, unë mendoj se fryma e kritikës e rrjeteve sociale duhet të shtrihet edhe në jetën reale.
Gjithë këtë mbrapshti, këtë paaftësi totale për t’i kthyer gjërat për mirë në shoqërinë shqiptare, ka zëra që ja adresojnë një elite të kalbur shqiptare; në mos të kalbur, të strukur; në mos të strukur të pashëndetshme moralisht, deri në vetëasfiksi. Është vërtet kështu në gjykimin tuaj?
“Kalbur”, “të pashëndetshme moralisht”, “të vetëasfiksuar” etj., janë metafora artistike dhe nuk e di se çfarë duan të thonë si kërkues shkencor dhe filozof i logjikave. M’i saktëso dhe të përgjigjem. Mos bëjmë hipoteza metafizike që as nuk vërtetohen dhe as hidhen poshtë dot. Mos e kërkoni nga unë këtë metodë ideologjike dhe amatoreske të arsyetuari. Unë interesohem vetëm për konstatime të shprehura me fjali protokollare logjike dhe që argumentohen në mënyrë të matshme dhe kuantifikuar. P.sh, po të them se elitat politike parlamentare sot përfitojnë nga një pozicion antidemokratik monopol duke shkelur barazinë e shtetasve për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, këtë e vërtetoj edhe institucionalisht dhe statistikisht. Po të them se elitat politike parlamentare bëjnë edhe liderin e turmave, edhe politikanin, edhe ligjvënësin, edhe prokurorin, edhe administratorin e ekonomisë, etj.; pra kanë një superpozim statutesh, edhe këtë e vërtetoj në të gjitha planet. Po të them se deputeti sot është i zgjedhuri i kryetarit të partisë dhe jo i popullit, edhe këtë mund ta vërtetoj. Edhe nëse them se në vend nuk ka ndarje pushtetesh gjyqësor, legjislativ dhe ekzekutiv edhe këtë e vërtetoj edhe statistikisht edhe institucionalisht. Por, epitete si “e kalbur”, “e asfiksuar”, etj. nuk di se çfarë janë. Nuk janë termat të politologjisë. Domatet kalben, të goditur nga zjarri asfiksohen.
A do ishte e nevojshme në këtë stad delikat ku ndodhet vendi që ju, intelektualë dhe akademikë, të ndërmerrnit një lëvizje, një aksion atdhetar me përmasë shoqërore, për të promovuar një moral të ri, të tipit “Refleksione” si këtu e 25 vjet më parë?
Pyetja juaj më kujton ato lëvizjet malësore, besëlidhjet, para shpalljes të pavarësisë. Edhe ju jeni viktimë e idesë se rolin e qytetarit do ta marrin intelektualët? Çfarë iluzioni që na vjen që nga koha e pritjes të Mesisë! Ju kërkoni një lëvizje demokratike pa demokraci, por me lidera intelektualë që ndriçojnë rrugën popujve? Qytetari të flerë dhe intelektuali të veprojë duke ndriçuar. Të digjet si qiriu i Naimit? Ju ende vazhdoni të mendoni se shoqëria drejtohet me shkenca ekzakte, dhe jo nga interesa dhe besime apo alternativa konfliktuale, përderisa kërkoni që shkencëtari që di p.sh anatomi të dijë edhe si ndërtohet politika. Ju ende mendoni se intelektualët dhe shkencëtarët kanë ide të përbashkëta, sepse i bashkon “e vërteta” që është një? Dhe se populli nuk pret veçse të vërtetën absolute për të vepruar? Më bëni të buzëqesh me optimizmin tuaj. Po mirë e ke, kjo quhet “transferim i reputacionit”. Jam artiste e bukur, kam legjitimitet të bëj reklamë edhe për kremrat e lëkurës ndonëse nuk ua di fare përbërjen kimike. Jam matematicien, pra di edhe politikë. Jam inxhinier, di edhe të bëjë ligje. Jam gazetar mediokër, di edhe të kullandris rrjetin e transportit urban në Zululand. Sa për atë që pohoni pa pikë mëdyshjeje se “Refleksionet” paska qenë një “aksion atdhetar me përmasë shoqërore për të promovuar një moral të ri”, po jua a lë juve ta thoni e provoni. Kujdes, jepni argumentet e duhur! Se ju nuk po më pyesni mua për to, por po pohoni vetë. Ndonjë ditë tjetër hajdeni përsëri për ta biseduar historinë politike të tranzicionit.
Le të qëndrojmë sërish tek kontributet sesa tek denoncimi: ç’do ishte e para gjë që do bënit nëse do u jepej të qeverisnit këtë vend? Pra, nga do ja nisnit? Dhe cili do qe ajo kredo etike dhe morale me të cilën do qeverisnit?
Nuk kam menduar ndonjëherë ta qeveris këtë vend, kështu që pyetja juaj më gjen papregatitur. Megjithatë për të menduar se çfarë duhet bërë, kjo nuk lidhet medoemos me të qenurit qeveritar. Mund të mendosh si duhet të jetë qeverisja edhe duke qenë qytetar. Pse e lidhni vetëm me qeveritarin??? Unë nuk mendoj se të qeverisësh ka një gjë të parë që duhet të bësh sapo ulesh në karrige. Duhen bërë një sistem gjërash njëherësh. Nuk është njësoj si të bësh dush, pra që në fillim heq pallton dhe këpucët, pastaj sheh nëse ka korrent, për të parë nëse ke ujë të ngrohtë, e më pas merr rrobëdeshambrin, zhvishesh, etj. Sidoqoftë unë kam pikëpamjet e mia sesi duhet qeverisur Shqipëria pa dyshim.
A ju duket se është pikërisht kriza ekonomike ajo që ka nxjerrë në pah një degradim të përgjithshëm të shoqërisë; por në të kundërt, një ekonomi e mirë, që tek shqiptarët duket sikur përkthehet ca para më shumë në xhep dhe kaq, nuk do ishim dhe kaq të dëshpëruar; ndërkohë që me pak ose më shumë para në xhepa, problemet janë sërish aty, duke u akumuluar për t’ja bërë bam një ditë, si fjala vjen arsimi…
Nuk e kuptoj arsyetimin dhe pyetjen tuaj. Një “ekonomi e mirë” sikurse thoni, sigurisht do të thotë se edhe shumë probleme janë zgjidhur dhe kjo sjell edhe fuqi blerëse.
Meqë jeni specialist komunikimi, e keni vënë re që në ligjërimin e përgjithshëm politik, më shumë i mëshohet nevojës së një reforme për hir të integrimit europian – e has si thënie stereotipe në dy kahjet: “reforma në drejtësi, është një ndër kushtet e BE-së” – se sa si nevojë e njerëzve, popullit, vendit? A nis prej së këndejmi vizioni i cungët i kësaj politike?
Jo nuk e kam venë re. Por, po të ishte për integrimin europian, përse nuk marrim modele shteti, parlamenti, zgjedhjesh, prokurorish, gjykatash, si i kanë vendet europiane??? Shqipëria, sipas gjykimit tim, nuk e dëshiron integrimin europian, pavarësisht se çfarë thotë në darka e forume.
Ç’është ajo që u dëshpëron më shumë, ose që nga ana tjetër u bën optimist, kur shihni se si po ecin gjërat në këtë vend?
Autizmi politik është plagë e rëndë, pastaj, marrja e imagjinatës si realitet nga ana e pushtetarëve, pastaj amatorizmi korruptiv në trajtimin e problemeve, pastaj demagogjia dhe propaganda në media mbështetur në kulte personale, pastaj marrja e sportit për politikë dhe e politikës për sport, pastaj padija kolektive e çertifikuar me diploma të shitura, pastaj investimet kapitale në sektorë pa dobi shoqërore, pastaj thellimi pabarazive sociale dhe ekonomike, pastaj braktisje e territorit, pastaj … Gjithçka shkon keq e më keq në Shqipëri. Por, ju dukeni e lumtur!
Dhe në fund, duke iu rikthyer kontributit më shumë se denoncimit, cili është ai filiz që mbjell çdo ditë prof. Fuga, ai moral pune që promovon, për të ardhmen e këtij vendi, pavarësisht një trishtimi dhe revolte të brendshme?
Kush tha se kam trishtim? Apo e ka thënë dikush tjetër për mua? Kush tha se kam revoltë të brendshme? Unë e kam të eksteriorizuar revoltën time për atë që shkon keq në vend dhe prandaj brenda meje jam i qetë fare. Çfarë mbolla sot? Ja sot, tani, mbolla këtë intervistë bashkë me ju. /tesheshi.com/