E ashtuquajtura “Lista e Zezë” e Edi Ramës u diskutua aq shumë për 24 orë në tre dimensionet e saj, duke risjellë akuzat për autoritarizëm, arrogancë, e shumë versione të njohura të kundërshtimit ndaj kryeministrit.
Por ajo që ka mbetur në fakt pa u komentuar me detaje, janë sfondi apo efekti që ajo listë jep në opinionin publik, dhe tjetër është mesazhi i koduar i ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili në fakt paralajmëron një akt publik që mund të ndodhë me instalimin e Ilir Metës me të drejta të plota në institucionin nr.1 të shtetit shqiptar-Presidentit të Republikës.
Përveç shumë emrave, të renditur dukshëm me qëllim, me rrëmujë dhe pa kujdes në faqen zyrtare të një perfeksionisti imazhi si Edi Rama, ra në sy mbi të gjitha emri i Mentor Petrelës.
Padyshim një nga autoritetet e mjekësisë shqiptare; në një farë mënyrë “ikonave” që nuk lëvizin kurrë nga vendi i “nderit” kushdo qeveri të ndryshojë.
Dr.Petrela përveçse një pjesëtar i një familje të njohur të Tiranës, është një intelektual, por edhe neurokirurgu më i famshëm shqiptar.
Vetë Edi Rama e përgëzoi jo më larg se katër muaj më parë, kur dr.Petrela kreu një operacion shumë të rëndësishëm që u vlerësua nga ajka e mjekësisë së Europës.
Po pse u përmend Petrela, i cili përveçse një autoritet i njohur, dihet nga të gjithë që është një përkrahës jo aktiv i së djathtës dhe mik i Sali Berishës, fakte këto që i shtojnë të ashtuquajturin “imunitet” nga kundërshtarët?
Për ta thënë më qartë: Dr.Petrela është siç ishte Halim Kosova përpara se të kandidonte për kryetar bashkie të Tiranës, një figurë që nuk mund të sulmohej.
Por vendosja “pa dashje” e emrit të kreut të Neurokirurgjisë, duket se parathotë një hap të madh të qeverisë së Edi Ramës, për një lëvizje që duket se do të jetë gati homologe me reformën në drejtësi.
Kur Rama përmend Mentor Petrelën, (që është siç thamë më lart një figurë shumë e imunizuar e me autoritet), si një mundësi për lëvizje, autoritetet e tjera të mjekësisë janë një “fjalë goje”.
Që do të thotë se Edi Rama po përgatitet për të rrëzuar një elitë shumë të fuqishme në Shqipëri, siç është ajo e Shëndetësisë.
Kanë ndryshuar shumë qeveri në Shqipëri, madje edhe Sali Berisha, një nga mjekët më të famshëm e të talentuar ka qenë kryeministër, por asnjëra nuk ka mundur dot të prekë një “oligarki” në plot kuptimin e fjalës në Shëndetësi.
Pavionet e mëdhenj të Qendrës Spitalore Universitare në Tiranë drejtohen prej 20 vjetësh nga një grup mjekësh që nuk hapin rrugë, edhe pse kanë arritur moshën.
Është një pushtet shumë i fuqishëm që nuk pyet për asnjeri.
Ka një anekdotë që qarkullonte në kulmin e pushtetit të Edi Ramës.
Ogerta Manastirliu, ish-drejtoresha e pushtetshme e QSUT-së i dërgon me asistentin e saj, një shefi pavioni, një letër sinjalizimi nga publiku se ka marrë 5 mijë euro për një operacion të rëndë.
Shefi i pavionit ia kthen drejtoreshës letrën me një shënim: “Shifra është gabim. Unë marr 12 mijë euro e lart!”
Në Spitalin Qendror të Shqipërisë, nuk ka rëndësi aq shumë administrata e qeverisë, pasi shefat e klinikave janë ata që vendosin gjithçka; emërime, shkarkime, promocione dhe linçime të stafit mjeksor.
Nu ka asnjë shenjë apo mundësi karriere në QSUT. Atje drejton një kastë reale, e cila ka nisur që të punojë edhe me trashëgimi.
Një shembull? Një shef i njohur klinike, i cili ka qenë edhe deputet por edhe ministër, ka 20 vjet pa lëvizur në një nga pavionet më të rëndësishme të Qendrës Universitare të Tiranës.
Ai ka ofruar të birin dhe ka promovuar njerëz të afërm të familjes që të marrin stafetën e tij meqë është edhe në prag të pensionit.
Të gjithë këta doktorë kanë lidhje shumë të forta me pushtetet në vend, që nga ai i dukshëm dhe i padukshëm. Të gjithë në fund të fundit, edhe politikanët, kanë nevojë për shërbimin mjekësor dhe kanë qenë në një farë mënyrë në dorë të ustallarëve të bisturisë.
Të bëjmë një ilustrim: Mentor Petrela ka mbi 25 vjet që drejton Spitalin e Neurokirurgjisë; Mustafa Xhani ka të njëjtën kohë dhe është i gjithëpushtetin tek sëmundjet e brendshme; Dritan Goda është “pasha” të zemra; Edvin Prifti është i gjithëpushtetshëm tek kardiokirurgjia; Petrit Bara është gjithashtu një nga shefat legjendarë tek Kardiologjia 2, që prej shumë vitesh; Gjergji Belba, i djegie-plastikës është gjithashtu nga të lashtët e shefave të shërbimeve në QSUT; tek mjekësia interne drejton Mihal Tase, i cili gjithashtu ka qenë edhe drejtor i QSUT.
Të gjithë emrat e përmendur janë padyshim autoritete të padiskutueshme të shkencës shqiptare të mjeksisë. Ata janë vlera intelektuale të ngritura falë punës së tyre ndër vite.
Por a kanë qenë ata humanë dhe a kanë ç’të japin më si menaxherë të shërbimeve prej shumë e shumë vitesh?
Kjo është një pyetje që në fakt jepet ballas dhe me një vlerësim të drejtë e profesional dhe jo me rrjete sociale.
Por duket se Edi Rama ka treguar se është gati për të tronditur këtë kastë drejtuesish në Shëndetësi, duke viktimizuar fillimisht Dr.Petrelën.
Si metodë natyrisht që është e padrejtë dhe çdo përgjigje që do të kishte bërë neurokirurgu i famshëm do të përligjej, pasi ishte e rëndë përmendja e emrit.
Por çuditërisht duhet thënë se kjo nismë e Ramës ka gjetur një përkrahje virale në rrjetin sociale, pasi njerëzit duan që të mos vazhdojë kjo kastë e palëvizshme edhe në mjekësi.
Mesazhi i Berishës
Ish-kryeministri Sali Berisha, deklaroi dje se qëllimi i Edi Ramës me publikimin e emrit të Mentor Petrelës ishte që të frikësonte këtë të fundit që të mos ja jepte Ilir Metës dosjen klinike të Edi Ramës, i cili si presidentit i zgjedhur do ta kërkojë atë para se ta dekretojë si kryeministër.
Po e beson kush, që, nëse Berisha do të kishte një dosje klinike për problem nga trutë e kokës të kundërshtarit të tij politik dhe nuk do e publikonte?
Ish-kryeministri ka hedhur në tregun publik një tezë që qarkullonte prej kohësh dhe madje është folur edhe në qarqet diplomatike, që sipas saj, Ilir Meta pas betimit si President i Republikës nuk do ta dekretojë Edi Ramën Kryeministër, pa i kërkuar këtij të fundit të bëjë ca analiza mjeksore.
Vetë Ilir Meta, e ka thënë publikisht se nuk do të dekretojë Kryeministra dhe ministra që prishin zgjedhjet.
Por a do ta bëjë vërtetë këtë hap Presidenti Ilir Meta pas betimit të tij më 24 korrik duke përsëritur precedentin e Ivanovit me Gruevskin?!
Duhet pritur njëherë seance e betimit…/tesheshi.com/