Nga Bardha Nergjoni
Ata e kanë marrë seriozisht biznesin edhe pse janë nxënës gjimnazi. E kanë nisur 6 muaj më parë dhe kanë tërhequr vëmendjen e të gjithëve, aq sa po synojnë vendin e parë ndër gjetjet më orgjinale të të rinjve në sipërmarrje në të gjithë Shqipërinë. Janë një grup nxënësish në shkollën e mesme “Vasil Kamami” në Elbasan që me dëshirën, punën në grup dhe pasionin e artistit ia kanë dalë të sjellin disa punime mjaft intresante. Shpikja e tyre është stampimi i fotografive në dërrasë. Sekretin nuk e tregojnë pasi e konsiderojnë çelës suksesi por janë shumë të kënaqur dhe dëshirojnë që këtë sipërmarrje ta vazhdojnë edhe pas përfundimit të shkollës.
Denisa është presidentja e firmës aksionere të krijuar me paratë e nxënësve. Kjo firmë ka shtatë përgjegjës departamentesh dhe funksionon si kompanitë e mëdha, ku sejcili merret me fushën e tij dhe duket se frytet e para të kësaj sipërmarrjeje i kanë bërë këta nxënës të synojnë më tej. Piktura është një pjesë e rëndësishme e aktivitetit të sipërmarrjes së nxënësve. Më të mirin e pikturës në shkollë, të rinjtë e kanë afruar me kartolinat e personalizuara që kanë filluar të kërkohen shumë dhe të ruajnë traditën e punimeve me dorë të mundura nga dixhitalizimi.
Në laboratorin e shkollës ku i gjen çdo ditë, të bëjnë përshtypje shumë kërkesa për fotografitë e stampuara në dërrasë. E kënaqur se gjithçka po shkon mirë, Denisa Lleshi tregon se gjithçka e ka një funksion në laborator dhe po kështu stafi i firmës është organizuar në mënyrë të tillë që sejcili të kujdeset për një pjesë të këtij produkti, gati për panairin e radhës. Në fakt panairet për këta nxënës kanë qenë të suksesshëm dhe synimet e tyre i kanë të qarta. Duan të jenë fitues në konkurse por edhe në biznes.
Wood Art Galery është faqja e tyre ku mund të gjesh fotostampime në dru dhe kartolina të personalizuara. Me ide origjinale, dëshirën dhe pasionin që i karakterizon këta të rinj janë shembull se si mund të jesh i suksesshëm, të kultivosh pasione dhe të fitosh edhe para.
Piktori i që i jep ngjyra shoqërisë së biznesit
Ai është një prej artistëve të shoqërisë së biznesit. Pasioni i Paolos është piktura dhe realizon kartolinat e personalizuara të shoqërisë, një tjetër ofertë biznesi nga shoqëria tregëtare e të rinjve të shkollës “Vasil Kamami” në Elbasan. “Piktura ka qenë hobi për mua qysh i vogël. Kam pasur dorë dhe bëja të gjithë pikturat në klasë dhe në aktivitete të ndryshme. Stampimi në dru i fotografive erdhi si ide e Denisës dhe Megit ndërsa vetë kam qenë më aktiv me kartolinat pasi mësuesja kujdestare pa punimet e mia dhe propozoi që të merresha me këtë gjë. Ndoshta kjo do të jetë edhe fusha e së ardhmes sime por këtë më mirë t’ja lemë kohës. Sa për punën në shoqëri, do të ndihmoj gjithmonë për sa kohë do të kenë nevojë shoqet për punën time.
Denisa, si lindi idea për të krijuar një shoqëri biznesi në shkollën tuaj?
Në vitin e dytë të shkollës së mesme zhvillohet një lëndë që quhet “njohuri biznesi”, ku nxënësit marrin njohuritë kryesore rreth biznesit, menaxhimit dhe marketingut. Në vitin e tretë, meqenëse nxënësit kanë njohuri të mjaftueshme rreth kësaj fushe, mund t’i vazhdojnë në praktikë. Kështu ndodhi edhe me ne. U mblodhëm, hodhëm ide se çfarë mund të bënim. Idetë tona ishin rreth punimeve në dru apo artizanale pasi fatkeqësisht janë zëvëndësuar me dixhitalet dhe ne nuk duam që këto lloj punimesh të humbasin. Për këtë arsye na pëlqeu shumë idea e stampimit të fotove në dru. Me paraqitjen e idesë, pati pëlqim nga shumica e nxënësve dhe stafit pedogogjik.
Si ishte nga idea deri në materializim të saj?
Sigurisht që nuk ishte aq e lehtë. Tani i kemi shumë më të qarta gjërat por në fillimet tona ishte shumë më e vështirë. Krijimi i shoqërisë ka nisur nga fillimi i shkollës. Vështirësitë nuk ishin thjesht në organizim por edhe në funksionimin e idesë. Duheshin gjetur materialet e duhura dhe formatet e duhura për stampimin e fotove. Patëm disa tentativa dhe arritëm në formatin e duhur.
grupi i parë i fotove në dru u pëlqye shumë. Kur e hodhëm idenë pati dhe skeptikë, nuk është se të gjithë na mbështetën, por kur panë rezultatin, atëherë gjithçka ndryshoi. Fotot e para u pëlqyen shumë dhe ne u ndjemë shumë krenarë. Pati shumë kërkesa më vonë si në faqen e facebook-ut të shkollës ashtu edhe nga nxënës, të afërm e mësues. Të gjithë filluan të sjellin fotot e të afërmeve dhe kështu filloi puna për stampimin e fotove në dru.
Ju keni marrë pjesë edhe në panaire…
Panairi “Dita e Verës” ishte vërtet një reklamë e madhe për shoqërinë tonë. Aty patëm dhe bumin e shitjeve. Nga panairi na njohën për atë që bënim edhe në qytetet e tjera. Shumë shpërndanë atë çfarë bënim dhe nga ky panair na erdhën edhe shumë porosi.
Aktualisht jemi përzgjedhur për të marrë pjesë në Panairin e Shkollave të Mesme që do të zhvillohet në ditët e para të majit në aeroportin “Nënë Tereza”. Jemi në përgatitjet e fundit për stampimet dhe kartolinat e personalizuara.
Në fakt, shoqëria që keni krijuar funksionon si një sipërmarrje e vërtetë biznesi apo jo?
Shoqëria është themeluar nga aksionerë vetë nxënësit. Ata kanë marrë nga një aksion që kushtonte 200 lekë të reja duke krijuar kështu buxhetin e shoqërisë. Shoqëria ka një presidente dhe 5 drejtorë departamentesh. Secili departament ka funksionin e tij dhe sigurisht që kemi edhe një drejtor financash. Me menaxhimin e parave hyrëse dhe kostove merret ai. Aktualisht jemi 7 persona të angazhuar por kemi shumë shokë e shoqe që na ndihmojnë e na mbështesin vullnetarisht.
Jeni shoqëri me fitim?
Më shumë se fitimi ishte kënaqësia e një ideje fituese dhe origjinale. Ishte bashkim i mendimeve të të gjithëve që arritëm deri këtu. Sigurisht që jemi shumë të kënaqur nga rezultatet dhe kemi fitim. Kemi pasur shumë kërkesa si për fotografitë e stampuara ashtu edhe për kartolina të personalizuara. Me rastin e festave ne patëm kërkesa për kartolina. Kartolinat erdhën si produktet edhe për faktin se tradita e kartolinave fatkeqësisht po zhduket dita-ditës. Patëm shitje kryesisht në ndërrimin e viteve, por edhe Ditën e Verës, ditëlindje, etj.
Ju jeni në vitin e tretë dhe shkolla po përfundon. Cili do të jetë fati i shoqërisë që keni themeluar?
Shoqëria funksionon vetëm përgjatë një viti shkollor dhe mendoj se e arritëm qëllimin. Por duke qenë tregu ka kapluar produktet tona, ka shumë mundësi të vazhdojë edhe më tej jashtë shkolle me këto produktet . Pra të krijojmë një shoqëri të vërtetë biznesi.
Kush ju ka mbështetur në nismën tuaj?
Mësuesja jonë koordinatore, Alma Qosja është një mbështetje e madhe dhe po kështu stafi pedagogjik i shkollës ka qenë gjithmonë mbështetës për nismën tonë. Një vlerësim na ka ardhur nga prefekti i qarkut, Arben Kamami, i cili mundësoi pjesëmarrjen tonë në panairin “Dita e Verës” duke na përgëzuar për iniciativën.
Shoqëria Tregëtare Ëood Art Gallery
Mësuese koordinatore – Alma Qosja
Presidente – Denisa Lleshi
Drejtore e Departamentit të Financës – Megi Kila
Drejtore e Prodhimit – Anjeza Ranxha
Drejtore e Burimeve Njerëzore – Tesnima Bica
Drejtore e Marketingut – Elsiana Elezi
Drejtore e Marrëdhënieve me Publikun – Era Vashaku
/tesheshi.com/