Analisti dhe diplomati i njohur Arsim Zekolli, beson se për krizën në Maqedoni do vijë një çast kur SHBA do ndërhyjnë drejtpërdrejtë, duke besuar se monitorimi amerikan për çka po ndodh është maksimal. Por në fund ai shprehet kundët ombrellës amerikane, brenda së cilës dëshiron në fakt të qëndrojë elita politika aktuale, krejt e kriminalizuar sipas tij. Dhe sa për rolin e partive shqiptare në këtë krizë, Zekolli rezervon një fjalor mjaft të ashpër, sidomos për BDI-në…
Bisedoi: Artlind Reçi
Meqë jeni diplomat, le ta çojmë gjuhën atje ku dhemb dhëmbi: Si e vlerësoni qëndrimin e faktorit ndërkombëtar për momentin, në raport me krizën që po kalon vendi?
Qëndrimi i ndërkombëtareve ndaj krizës në Maqedoni më ngjan në qëndrimin e faktorëve politik të Shkupit ndaj gjendjes në Dibër apo Kochani: plot fjalë të mëdha, aspak vepra konkrete. Por kjo është natyra e politikës konform teorisë së zinxhirit evolutiv: të mëdhenjtë sillen ndaj nesh, ashtu sikurse ne sillemi ndaj më të vegjëlve.
Në opinion shpesh dëgjojmë shpjegime sipas të cilave, qasja e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Maqedonisë ka qenë e gabueshme, plot lëshime, shkurtpamëse. Por kjo është qasje naive. Politika si disiplinë nuk njeh dhe nuk pranon termin “gabim”, pasiqë në vete bërthamën e politikës shtrihet besimi se palët e përfshira janë aq serioze, analitike dhe zbërthyese, sa që nuk lejojnë lëshime në gjëra aq të rëndësishme. Së dyti, gabimi mund të jetë vetëm episodik, në kuptim të politikave dhe vendimeve ditore, por kurrsesi jo në zhvillime që zgjasin me dekada. Prandaj, nuk besoj se kemi të bëjmë me “qasje te gabueshme” nga faktori jashtëm, por me politika tejet të paramenduara.
Zanafilla e politikave të tilla burojnë nga luftërat në rajon dhe interesit parësor të SHBA-ve dhe BE-së që të qetësojnë gjendjen duke e inkuadruar faktorin e luftës dhe të dhunës në politikë. Dhe kjo është qasje normale që imponohet nga dëshira për stabilizim të gjendjes dhe rikthim të paqes.
Por fatkeqësisht, kjo qasje, në vend se të zgjasë deri në etablim të institucioneve dhe rikthim të politikës, eruptoi në dekadencë të plotë nga ana e “çlirimtarëve” që demonstruan pangopësi të pashembullt, sa që edhe nuk dallon shumë nga ata kundër të cilëve luftuan. Në këtë qasje, përshtat u shkonte edhe mosinteresimi i diplomacisë së jashtme në Shkup, e cila e preokupuar me parandalim të incidenteve dhe dhënies së përshtypjes së normalitetit gjatë mandateve personale, toleronte eskalimin e veprimeve anti-demokratike nga partitë në pushtet.
Me kohë kjo qasje trashëgohej nga një gjeneratë diplomatësh në një tjetër; dhe pas dhjetë viteve u shndërrua në “kulturë diplomatike” të amnestimit të keqbërjeve në emër të së ardhmes së vendit, integrimeve në BE dhe NATO.
Për zgjidhjen e krizës, të gjithë janë në pritje të Uashingtonit. Realisht, a mund të zgjidhet kriza pa përfshirjen e SHBA-ve?
Historitë nga e kaluara e afërt dhe raportet mes aktorëve të implikuar në këtë krizë, e bëjnë të qartë se roli amerikan në zgjidhjen e krizës është i pazëvëndësueshëm. Është gabim të thuhet se SHBA nuk janë të përfshira, apo se ato qëndrojnë në një qoshe dhe të painteresuara, pasi janë të preokupuara me kriza në meridiane tjera të globit. Për të kundërtën, mjafton të merrni në konsideratë rolin dhe shtrirjen grandioze të përfaqësisë diplomatike amerikane në Shkup dhe të kuptoni se dilemat mbi mospërfshirjen e Uashingtonit në këtë krizë janë thjesht absurde. SHBA si asnjë vend tjetër kanë qasje dhe njohuri për zhvillimet në tërësinë shoqërore, si dhe në segmente specifike të vendit; kanë të dhëna preçize, informata burimore, trende kohore, kontakte në gjitha nivelet etj. Pra, kur i keni të gjitha këto të dhëna në dispozicion, ju mundësohet që përafërsisht të parashikoni kahjet dhe dinamikat në aspektin afatshkurtër dhe atë të mesëm; dhe krahas me këtë të planifikoni periudhën e monitorimit nga distanca dhe momentin e mëpastajmë të ndërhyrjes së drejtpërdrejtë në zgjidhje të krizës.
Dhe le t`i kthehemi pak sferës shqiptare të ndërveprimit politik: opozitës, që në fakt thuajse nuk egziston. Pse ndodh kështu?
Së pari, pajtohem plotësisht me vlerësimin e pyetjes se nuk ka opozitë shqiptare ndaj Gruevskit. Pasi që nuk ka, këto lëvizje miniskule që shpërthyen viteve të fundit, u shndërruan në grupime të rinjsh arrogantë e prepotentë të preokupuar me grindavecje të pafundta të ndërsjellta, mu sikur edhe partitë nga të cilat buronin, BDI dhe PDSH, nga të cilat trashëguan mentalitetin e impotencës në kundërshtim të politikave nacionaliste te VMRO-DPMNE, që me shumë pompë mediale dhe krekosje të bezdisshme e kamuflonin përmes fjalosjeve, gjoks-rrahjeve dhe sharjeve të ndërsjellta.
Ndaj këto janë parti opozitare vetëm në aspektin e “oborrit shqiptar”. Asnjëra nga partitë egzistuese – të regjistruara apo jo – shtiren se nuk kuptojnë absurdin e qasjes së tyre dhe kontraditën e platformave politike. Që të gjitha aspirojnë të perfaqësojnë dhe të flasin në emër të shqiptarëve, por njëkohësisht që të gjitha insitojnë që këtë ta arrijnë duke luftuar rivalin përbrenda etnisë, por jo atë dominant. Që të gjitha identifikohen si parti shqiptare, por asnjëra nuk pranon definime të politikave shqiptare që nuk përshtaten me interpretimet e presidencave partiake. Që të gjitha flasin për “çështje shqiptare”, por asnjëra nuk ofron “përgjigjen shqiptare” që tejkalon ngjyrimet partiake. Të mëdha o të vogla, i kanë në gojë “vlerat shqiptare”, por asnjëra nuk vepron konform vlerave dhe drejtave njerezore. Dhe në fund, që të gjitha do akordohen se këto që i thashë nuk kanë të bëjnë me partinë e tyre, por me atë tjetrën, të kojshisë.
Si e vlerësoni BDI-në, parti e cila doli nga lufta? Imagjinohej se do ishte radikale…
Nëse më duhet të gjej një term që definon BDI-në, ai do ishte “polivalenca” e saj, që në fakt shpjegon edhe definimin si “parti tematike”, që tërthorazi pranon karakterin e saj labil dhe të paqëndrueshëm, gjithnjë të kushtëzuar nga rrethanat eksterne e asnjëherë nga vlerat interne, të cilat në fakt as që i ka. BDI është parti politike vetëm në formë, por në substancë është një instalacion kriminal që ka kidnapuar qytetarët shqiptarë, mu ashtu sikur që VMRO-DPMNE ka kidnapur shtetin e Maqedonisë. Në vend të avancimit të pozitës së shqiptarëve, BDI i mban ata si mburojë dhe peng, si shërbëtorë të interesave private, duke shkatërruar dhe degjeneruar indin kombëtar, si një infeksion parazitik që shkatërron indet, organet, eshtrat e trupit, deri sa t`i konsumojë të gjitha që ka për të konsumuar dhe pastaj e lëshon atë.
Kjo lehtë vërehet në qasjet e kesaj partie për çdo çështje që ndërlidhet me shqiptarët dhe interesat e tyre. Për interesa personale, ata paturpësisht cënuan integritetin e flamurit kombëtar dhe e prezantuan si arritje kolosale; aspiratën për arsimim shqiptar e degraduan në allish-verish biznesi duke u kamufluar me godina dhe mbytur cilësinë shkencore dhe akademike; decentralizimin si formë faktorizimi e degraduan në klane mafioze dhe primitivizme lokaliste; vullnetin për anëtarësim në NATO dhe BE e çuan deri në përbuzje dhe zhvlerësim të ndjenjave pro-perëndimore; përfaqësimin politik e shndërruan në konkurs për servilizëm, krim dhe prostitucion; nacionalizmin burimor, autentik e autokton, e banalizuan me fjalime mashtruese, folklorizim të politikës dhe madhërim të figurave për të cilat një ditë do turpërohemi para gjeneratave më të reja; islamin e moderuar dhe tradicional e ndotën me politikë dhe infiltrime te dyshimta; dhe në fund, imazhin e shqiptarit e degraduan në karikaturë, deri në atë masë sa që asnjë armik tjetër nuk do mund ta bënte.
Po nëse më pyesni se si BDI arrin të fitojë zgjedhjet, përgjigja – në mendimin tim – do ishte se këtë e arrijnë përmes komercializimit të çështjes kombëtare dhe instalimit të strategjisë “përça e sundo” të menaxhuar nga Ali Ahmeti dhe Musa Xhaferi personalisht. Prandaj nuk duhet befasuar nga këto urrejtje të ndërsjellta mes klaneve të ndryshme në të gjitha degët e BDI-së.
BDI mund t`i fitojë zgjedhjet deri sa ato të mbahen nën përkujdesjen e rregjimit të tanishëm. Por këto janë “fitore Piroje”, të cilave mëgjithatë do u vjen fundi një ditë.
Çfarë vlerësimi keni për atë që përflitet më së shumti në këto kohë: një ballafaqim amerikano-rus që reflektohet në ca zhvillime ballkanke, e pse jo dhe në Maqedoni?
Është ballafaqim tradicional që tani dallon për nga dinamika e diktuar nga realitetet të reja. Në këtë rivalitet, qasja e SHBA-ve diktohet nga dëshira për të ruajtur – apo së paku zgjatur – pozitën “Uberpower”, fuqi mbi të gjitha fuqitë, siç e definon Josef Joffe, që do të thotë vazhdim i “shekullit amerikan” kudo në botë. Mbase për një kohë edhe do arrijë ta mbajë këtë primat, por gjithsesi se jo me atë intensitet që e kishte deri në krizën financiare globale që nisi në vitin 2008. Rusia ndërkaq aspiron rikthim të statusit të superfuqisë rivale ndaj SHBA-së dhe insiston që kjo të pranohet nga bota perëndimore. Por përkundër avancimeve në industrinë ushtarake, përmisimit të standardit jetesor në një pjesë të popullatës ruse, rikthimit të ndikimit në një pjesë të territoreve te ish-BRSS-së, Rusia vuan nga një rradhë handikapesh nga të cilat vështirë se do mund të shërohet, ku më kryesorja është mungesa e ofertës ideologjike si pandan ndaj konceptit të demokracisë perëndimore, që e zhvesh qasjen ruse në një nacionalizëm tipik pa dekor inspirativ dhe tërheqës, ashtu siç ishte komunizmi.
Në Ballkan, ky rivalitet amerikano-rus kalon në faza fërkimi, por edhe përputhshmërisht të heshtura. Momenti i rivalitetit është evident: SHBA dëshiron të ruajë atë që përfitoi gjatë luftërave në rajon, ndërsa Rusia aspiron rikthim të ndikimit dhe zgjerim të sferës së interesit, me qëllim që Ballkani të bëhet pjesë e aduteve globale.
Dhe në fund, anashkalimi i Shkupit nga Merkeli…
E konsideroj këtë anashkalim të Shkupit si një simbolikë të pajtimit të Berlinit me dëshirat suicidale të regjimit Gruevski-Ahmeti, që për hir të interesave personale dhe private preferojnë ombrellën amerikane që ju siguron qëndrim në pushtet në kurriz të zhvillimit ekonomik, mirëqenies së qytetarëve, integrimeve në BE dhe NATO. Deklarata e zonjes Merkel mbi “gjasat reale të Shqipërisë, Serbisë dhe Bosnjës për anëtarësim në BE” pa përmendur Maqedoninë dhe Kosovën, është verdikt katastrofal për ardhmërinë e dy vendeve të cilat do vazhdojnë të ngulfaten në varfëri, krim, korrupsion, dhe mbase tensione në fushën e sigurisë.
Me këtë qasje, Gjermania nuk humb shumë apo fare asgjë; Maqedonia humb të gjitha, ndërsa SHBA vijojnë dominancën politike pa oferta ekonomike për qytetarët, por tolerancë për klasën e korruptuar politike në qeveri, që përfundimisht vendin do e shndërronin në një tampon-zonë nën kontroll të një junte kriminale dhe mafioze, dhe rrjedhimisht pa “perspektive europiane”, sic e deklaroi para ca javësh ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiç. /tesheshi.com/