Ndërsa Shqipëria sapo ka nisur të shkruajë historinë e saj në elitën e futbollit europian, lojtarët e saj po kuotohen lart në bursën e këtij sporti popullor.
Anglezët po çmenden ndaj mbrojtësit të kombëtares shqiptare, shkodranit Elseid Hysajn, i cili luan në Serinë A me Napolin.
E përditshmja angleze, “Daily Star” ka botuar një lajm ekskluziv, ku thekson se londinezët janë gati të paguajnë 19 milionë stërlina kartonin e Hysajt, i cili në ndeshjen e debutimit me Zvicrën ishte më i miri në fushë.
Hysaj u transferua për 3 milionë euro te Napoli, ndërsa tani Arsenali është gati të paguajë 26 milionë euro për të.
“Daily Star” shkruan se Arsene Wenger është impresionuar jashtëzakonisht nga paraqitjet e Hysajt në Serie A gjatë 12 muajve të fundit dhe është gati ta konfirmojë këtë interesim me një ofertë konkrete.
Menaxheri i “Topçinjve” që i kryen personalisht blerjet, kërkon të forcojë mbrojtjen dhe beson se Hysaj, i cili mund të luajë lehtësisht edhe në krahun e majtë dhe atë të djathtë, do t’i jepte ekzaktësisht atë që kërkon.
Talenti spanjoll, Hector Bellerin, që luan aktualisht në krahun e djathtë të mbrojtjes te Arsenali, duket se mund të joshet nga oferta e Barcelonës, por “Daily Star” thekson se Barça po ndjek nga afër Hysajn, pasi po kërkon të zëvendësojë Dani Alves i destinuar të shkojë te Juventusi.
Chelsea dhe Manchester United gjithashtu po monitorojnë Hysajn por tabloidi britanik shpjegon se këto dy klube kanë më pak shanse për të arritur te mbrojtësi shkodran, pasi nuk mund t’i ofrojnë Hysajt futbollin e Champions League. /tesheshi.com/