Policia e Shkodrës ka mundur t’i vërë prangat një prej të frikshmëve të qarkut verior, 29-vjeçarit Artan Koçeku, banues në fshatin Pog.
Vrasës e grabitës me nam, ai u arrestua nëpërmjet operacionit të koduar “Dora e Hekurt”.
Dy vite më parë, viktimë e tij mbeti shtetasi Angjelin Shkambi, por jo vetëm kaq.
Siç raporton TCH, në shkurt të 2017-ës, Koçeku u akuzua se ishte një prej personave që vendosi eksploziv në automjetin e P. Vuksani, efektiv në Komisariatin e Policisë së Pukës. Ngjarja kishte të bënte me punën e Vuksanit si punonjës policie.
Pak javë përpara kësaj ngjarjeje, në datat 12 dhe 14 mars të të njëjtit vit, Artan Koçeku akuzohej se kishte kryer grabitjen e tetë pikave të ndryshme të karburantit, duke përvetësuar shuma të konsiderueshme parash. Po kështu, sipas policisë, së bashku me një person tjetër, ai ka vjedhur edhe dy automjete.
I dënuar më parë për vjedhje, aktiviteti kriminal i Koçekut kishte për objektiv edhe dyqanet në Shkodër, ku akuzohej se kishte grabitur 12 sosh.
Një vit më parë, Koçeku u përfshi në një konflikt me armë, ku gjatë ndjekjes nga policia mundi t’i shpëtojë kësaj të fundit duke braktisur mjetin në fshatin Shtoj dhe larguar më pas. /tesheshi.com/